Ndërkohë që të gjithë tifozët e Milanit ëndërrojnë rikthimin si protagonist në Serinë A pas blerjeve të fundit, një zë ka dalë kundër rrymës. Dhe nuk është një zë dosido, por ish-sulmuesi legjendar i këtij ekipi, ukrainasi Andriy Shevchenko, aktualisht trajner i kombëtares së vendit të tij.
Ai ka kritikuar blerjet e bëra, duke deklaruar: “Nuk e di se ku mund të shkojë ku Milan i ri. Ka dy mënyra të ndryshme për të arritur rezultate: Duke i programuar gjërat dhe duke improvizuar. Mua me duket se te Milani gjërat janë të improvizuara, nuk ka një plan afatgjatë dhe të qëndrueshëm”, tha Shevchenko për “football.ua”.
Ish-sulmuesi legjendar i Milanit, ukrainasi Andriy Shevchenko
Sulmuesi që bëri Milanin të madh dhe që adhurohet nga tifozët kuqezinj nuk është aspak i kënaqur nga mënyra se si drejtuesit e rinj të klubit po operojnë në merkato.
“Trajneri Montella kishte një vision dhe strategji, por gjatë kësaj periudhe duhej të kishte lëvizur më shpejt në ndërtimin e skuadrës. Kanë ardhur kaq shumë lojtarë të rinj.
Kanë blerë një lojtar në një pozicion të caktuar dhe pas një muaji vjen një tjetër lojtar, po në atë rol. Këto janë evndime të improvizuara”, shprehet Shevchenko, që pavarësisht kritikave shprehet se uron më të mirën për skuadrën e zemrës: “Unë uroj që të shkojnë sa më lart edhe pse nuk e di se cilat janë objektivat”.
