Tre aksidente rrugore janë regjistruar këtë të premte duke shkaktuar 10 persona të lënduar. Aksidentet kanë ndodhur në Fushë-Krujë, Klos dhe në Berat ndërsa të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën.
10 persona të plagosur është bilanci i tre aksidenteve të ndodhura këtë të premte në vendin tonë.
Në aksin rrugor Fushë Krujë-Milot 3 automjete janë përshirë në një aksident rrugor duke shkaktuar 5 persona të plagosur. Tre prej tyre, shtetas kosovarë, janë dërguar në Spitalin e Traumës për mjekim më të specializuar, ndërsa burimet bëjnë më dije se gjendja e tyre nuk paraqet rrezik për jetën.
Ndërkohë një grup hetimor në vendngjarje po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë në Fshatin Suç të Klosit nga përplasja e një furgoni mallrash me nje automjet tip “Volsvagen” kanë mbetur të lënduar katër persona mes tyre edhe një 13 vjeçar. Si pasojë e plagëve të marra është plagosur rëndë shtetasi Olsi Pepa 27 vjeç, i cili po ashtu ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Në Berat, një çift turistësh danezë që ishin duke udhëtuar me një mjet tip “Chevrolet” i kanë prerë rrugën një motoçiklete që udhëtonte në rrugën hyrëse të qytetit.
Si pasojë e aksidentit drejtuesi i motoçikletës, 58-vjeçari nga Berati me inicialet T.P, ka marrë goditje të rënda në kokë e trup.
I plagosuri është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Beratit ku mjekët thonë se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
