Zinedine Zidane ka dalë në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes së javës së parë të La Liga për sezonin e ri. Pas dy trofeve “të freskët” në Superkupën e Europës dhe atë të Spanjës, tashmë “Los Blancos” nisin udhëtimin për të mbrojtur kurorën e kampionit në vendin iberik.
Gjë për të cilën duhet punë dhe përkushtim, sipas trajnerit francez: “Ka shumë faktorë që ndikojnë në futboll, por, siç them gjithmonë, është puna që do të na çojë në arritjen e gjërave të dëshiruara. Ne po punojmë mirë, jemi në një moment shumë të mirë dhe duhet të përfitojmë. Vitin e kaluar arritëm që gjithçka ta vendosnim ditën e fundit.
Kundërshtari i radhës? Deportivo është një ekip që do të përpiqet të bëjë mirë, luan në shtëpi. Presim një rival me publik shumë të mirë dhe të rëndësishëm. Se çfarë duhet të bëjmë më shumë se rivali do ta tregojë fusha e lojës. Real Madridi, ekipi për t’u mundur? Ne e dimë këtë gjë, sot më shumë se herët e tjera, sepse të gjithë rivalët dëshirojnë të fitojnë kundër Real Madridit.
Çdo ndeshje do të jetë e rëndësishme, por, në qoftë se doni të fitoni një kampionat, ka shumë rëndësi ta fillosh garën mirë. Në çdo lojë duhet të jetë një përpjekje e madhe, çdo kundërshtar do të kërkojë për të fituar ndaj nesh. Me rëndësi për momentin është fillimi në mënyrën më të mirë të mundshme. Asensio? Unë mendoj se të gjithë e dinë se çfarë mund të sjellin për të përbashktën me emër Real Madridi.
Ai është duke bërë më të mirën, është shfaqur fenomenal në dy përplasjet me Barcelonën. Të gjithë jemi të fokusuar, jemi shumë mirë. Merkato? Kam një grup lojtarësh fantastikë, që ende mund të përmirësohen. Sidoqoftë, deri në 31 gusht mund të ndodhë diçka, këtu dhe jashtë vendit. bbC titullar?
Ne të gjithë jemi në të njëjtën barkë. Nuk ka një skuadër A dhe një tjetër B. Këtu gjithmonë do të ketë ndryshime. Objektivat? Dihen kur bëhet fjalë për Real Madridin. Ne do të përpiqemi të përsërisim vetveten, më së paku.”
