Orët e fundit, Barça negocion me Nice klauzolën e Seri

Gazeta Dita

Jean-Michaël Seri, mesfushori nga Bregu i Fildishtë me pasaportë franceze që aktivizohet në Ligue 1 me skuadrën e Nice do të jetë një futbollist i Barcelonës. Klubi katalanas është i gatshëm të paguajë klauzolën e futbollistit të fiksuar në shumën 40 milionë euro, por tashmë po negocion me drejtuesit e Nice në lidhje me mënyrën e pagesës për ta shndërruar këtë transaksion në një transferim të plotë të 26-vjeçarit.

Menaxheri i futbollistit ishte dje në Barcelonë për të përcaktuar kushtet dhe detajet e fundit të kontratës që do të transferojë Seri nga Nice, te Barcelona deri në vitin 2022.

Dita e sotme parashikonte diskutime mes drejtuesve të dy klubeve, Barcelonës dhe Nice, për të sqaruar çdo detaj që do të kristalizonte transferimin e Seri. Sipas të gjitha gjasave, drejtuesit e Nice do të kërkojnë nga pala katalanase që pavarësisht realizimit të transferimit, Seri të mund të luajë të martën në ndeshjen e kthimit të vlefshme për fazën playoff  të Champions League kundër Napolit, me qëllimin që ekipi francez të mund të kualifikohet për në fazën e grupeve, për të parën herë në histori.

Sipas raportimeve të “Mundo Deportivo” Seri dëshiron tu japë lamtumirën tifozëve në fushë duke luajtur. Të shtunën ai luajti në fitoren 2-0 ndaj Guingamp, duke shënuar një prej golave, por pa bërë deklarata.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *