Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka hapur tenderin për blerje energjie për muajin shtator për të plotësuar nevojat që ka vendi. Ky vendim vjen vetëm pak ditë pas hapjes së procedurave nga Korporata Elektroenergjitike për blerje energjie. Situata e prodhimit të energjisë në vend është përkeqësuar gjatë kësaj vere për shkak të thatësirës së tejzgjatur.
Pas Korporatës Elektroenergjitike edhe Operatori i Shpërndarjes së energjisë elektrike ka hapur tenderin për blerje energjie gjatë shtatorit.
Në faqen zyrtare të këtij institucioni është publikuar kërkesa ndaj kompanive private.
Periudha për blerjen e energjisë është data 1 deri në 30 shtator por sasia e enrgjisë që do të blihet do të jetë me tre lote.
Përkatësisht loti i parë do të jetë 140 MW, i dyti 150 dhe i treti 220 MW.
Vetëm pak ditë më parë KESH njoftoi se do të blejë mbi 129 mijë megavat energji elektrike, ndërkohë që sasia tjetër që nevojitet për të plotësuar nevojat e vendit për konsum do të importohet nga OSHEE.
Qeveria ka akorduar 4.5 miliard lekë për blerje energjie me anë të ndryshimeve të fundit në buxhet.
Ndërkohë që edhe Banka Botërore ka autorizuar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare të përdorë fondin 23 milionë euro për të blerë energji nga importi.
Thatësira e tejzgjatur dhe kuotat e ulta në HEC-e kanë detyruar Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare që të hap tenderin për blerje energjie edhe për muajin shtator.
Vetëm gjatë korrikut dhe gushtit, Shqipëria ka importuar energji elektrike që kap një vlerë mbi 50 milionë euro.
