Valon Ahmedi ka një ëndërr, të luajë për Shqipërinë

Gazeta Dita

Liga e Kampionëve edhe sivjet do të ketë shqiptarë. Njëri prej tyre do të jetë Valon Ahmedi, i cili luan me NK Mariborin e Sllovenisë dhe kanë siguruar një vend në mesin e 32 skuadrave elitare të kontinentit. Ahmedi është shprehur i kënaqur për kualifikimin e skuadrës së tij në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, teksa Maribori eliminoi Hapoel Beer Sheva (1-0, 1-2). “Është një ndjenjë e papërshkrueshme.

Një ëndërr që më bëhet realitet, pas shumë sakrificave, punës, durimit dhe vetëbesimit tim”, – tha njëri prej më meritorëve për suksesin e skuadrës së Mariborit, Ahmedi, me origjinë nga Kërçova. Ai thotë se me respekt i sheh të gjitha skuadrat në Champions dhe se në grup do të kishte dëshiruar Realin, Barcelonën, PSG-në e të tjerë.

“Të gjithë e dimë se ekipet pjesëmarrëse në Champions janë të forta, kështu që do të përballemi me kundërshtarë të fortë. Të jesh në grupet e Championsit është një sukses i madh. Të them të drejtën në grup do t’i dëshiroja gjigantët; Realin, Barçën dhe PSG-në”, – theksoi 22-vjeçari.

Ahmedi tregon se ka edhe një ëndërr, të luajë për Shqipërinë: “Mund të them se ëndrra ime është që të përfaqësoj kombin tim. Do të ishte nder dhe kënaqësi të më ftojë Shqipëria. Unë e pres një ftesë nga kombëtarja kuqezi pas paraqitjeve të mira me bluzën e Mariborit”. Kujtojmë se Valon Ahmedi ka qenë i grumbulluar më herët me Shqipëria U-21.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *