Atentat me breshëri automatiku makinës në të cilën udhëtonte “i forti” i Shijakut, Dashamir Gjoka dhe familja e tij. Fatmirësisht “Benz”-i me të cilin lëviz ai është i blinduar, çka iu ka shpëtuar jetën.
Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në hyrje të Shijakut, pak metra larg bashkisë së këtij qyteti. Persona ende të paidentifikuar nga policia kanë qëlluar me armë zjarri automatik të tipit kallashnikov në drejtim të automjetit, me të cilin ka qenë në lëvizje familja Gjoka, dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke humbur kësisoj edhe gjurmët.
“Më datë 23.08.2017, rreth orës 14:05, në vendin e quajtur ‘4 Rrugët Shijak’, në afërsi të Komunës Xhafzotaj, është marrë njoftim se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit tip ‘Benz’, me drejtues shtetasin D.Gj.
Nuk ka persona të lënduar. Menjëherë është ngritur grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit”, bëri të ditur Policia.
DYSHIMI
Breshëria e gjatë e automatikut nuk ka lënduar as persona kalimtarë, pasi në momentin e ngjarjes rruga ka qenë e boshatisur ngase përkonte piku i vapës. Biznesmeni i njohur, i dyshuar për vepra të ndryshme penale, duket sikur e priste një sinjal (atentat) të tillë dhe ishte pajisur me makinë të blinduar.
Prej kohësh, Gjoka lëviz shumë i kujdesshëm dhe me sa duket ai i druhej ndonjë atentati ndaj tij. Gjatë denoncimit të ngjarjes, Gjoka mësohet të këtë deklaruar ndër të tjera se nuk ka arritur ta identifikonte autorin, pasi gjithçka, sipas tij, ka ndodhur në harkun e pak sekondave.
Ndërkohë, grupi hetimor pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe dëshmisë së Gjokës, ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Për shkak të së kaluarës kriminale të Gjokës, policia ka ngritur dy pista hetimi: Hakmarrja dhe larje hesapesh.
Për t’u pyetur për ngjarjen, policia shoqëroi një numër të lartë personash, mes tyre dëshmitarë dhe persona që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen. Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, Gjykata vendosi para disa kohësh konfiskimin e pasurive të Dashamir Gjokës, vendim, i cili u rrëzua nga Apeli.
Hetimi pasuror, në kuadër të ligjit “Antimafia”, nisi ndaj këtij shtetasi nga Prokuroria për Krime të Rënda, pas dyshimeve se ai i kishte krijuar pasuritë në bazë të të ardhurave të krijuara nga aktiviteti kriminal që ka kryer në Itali.
Me vendimin e Gjykatës së Apelit të Milanos, Itali, të datës 02.11.2007, shtetasi Dashamir Gjoka është dënuar me 10 vjet dhe 6 muaj burgim, për veprat penale “shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “trafikimi i personave”, të parashikuara nga nenet 114 dhe 110/a të K.Penal, duke qenë në këtë mënyrë subjekt i masave parandaluese pasurore të ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (ligji “Antimafia”)

LERI MORE TE HANE KOKAT ME NJERI TJETRIN
KY ESHTE ORTAKU I DJEMVE TE ENVER HOXHES