Bashkim Canodemaj
Meqenëse u largova shpejtë nga fshati, që me mbarimin e shkollës 7-vjeçare, nuk isha në kontakt të plotë me këngën dhe vallen labe, por festat dhe dasmat kur shkoja me pushime ma plotësonin deri diku boshllëkun. Ndjeja një frymëmarrje shpirtërore kur ndodhesha midis tyre e sidomos kur këndoja dhe unë. Kisha një admirim të veçantë për këngëtarët si Lulo Zeneli (Lloji), Devoll Hallko, Çane Mëno, Qazim Jonuzi, Hetem Shkurti, Lesko Çeloleskaj, Arap Çeloleskaj, si marrës të përsosur e plot temperament, duke përmendur edhe disa nga ata më të hershmit si Tare Selmanin, Murat Abazin, Smahil Qorrin, Laçe Balilin, Ramo Nuron e të tjerë. E ndjeja shpirtërisht e më emociononin kur i dëgjoja të ja merrnin këngës.
Secili nga këngëtarët e përmendur më lartë, kishin karakteristikën e tyre në mënyrën e të kënduarit dhe interpretuarit të këngës vranishtiote, aq sa kënga që këndonte Lulo Zeneli quhesh lulozenelçe, duke u pagëzuar me emrin dhe mbiemrin e tij. Batjar Kanani, një nga prestarët e këngës dhe valles, e interpretonte bukur lulozenelçen. Po ashtu kënga e kënduar nga Devoll Halko, Çane Mëno, Qazim Jonuzi apo Arap Çeloleskaj.

E veçanta e këngës, por dhe e valles, ishte se fillonte shtruar, merrte një ngritje graduale, sa në fund përfundonte si një kushtrim. Duket që kjo ishte dhe rruga e saj që nga krijimi, përfaqësimi që bënte, veç vlerës shpirtërore edhe atë luftarake, të cilat koha ia kishte imponuar.
Duhet ta kishe në gjak që të këndoje bukur, duhej ta kishe në gjak që të hidhje vallen bukur, por asnjëherë vetëm. Më kujtohet një rast për të ilustruar këtë të fundit: Marrësi nuk mund jepte gjithë mundësinë dhe të shprehte gjithë emocionin e tij, po të ishte se kënga nuk kishte mbushjen e plotë në harmoni me të gjithë parametrat e këngës e në një rast, në një koncert, marrësi Arap Çeloleskaj, në mesin e këngës që kishte marrë, kthen kokën mbrapa nga isoja për të tërhequr vëmendjen atyre se dhe ai po pengohej për t’u shprehur në marrjen e saj.
Ishte domethënëse harmonia, pavarësisht se kush ishte i pari, i dyti apo i treti. Dhe, për ta arritur këtë, duhesh të dije të shpreheshe duke dhënë edhe emocione tek ai që të dëgjonte, por në radhë të parë duhej ta ndjeje vetë emocionin. Për mua, kënga labe në përgjithësi dhe po se po ajo vranishtiote që e kam përjetuar dhe ndjej edhe sot drithmat e saj, më duket diçka e përkryer dhe magji e zërit të atyre që këndojnë. Një demonstrim shprehës pa asnjë vegël muzikore, një kombinim zërash kaq të harmonizuar, ku notat muzikore janë të shkruar në mendjen, idenë dhe gojën e atij që i shpreh për të qenë në unison të gjithë me njëri tjetrin. Kuptohet, këta lindin dhe formohen në rrugë e sipër, por rëndësi të madhe ka dhe organizimi shoqëror.

Në Vranisht kishte shumë vite që grupi këngës dhe valles ishte i krijuar dhe funksiononte si për vajzat ashtu dhe djemtë, por ndërtimi i shtëpisë së kulturës, pothuajse më e madhja në krahinë, me kontributin e të gjithë vranishtiotëve kudo që ishin anë e mbanë Shqipërisë, kudo që punonin për vete dhe për shoqërinë, i dha një zhvillim të madh aktiviteteve kulturore e në veçanti këngës e valles. E rëndësishme është se pati edhe një mbështete të madhe dhe kontribut edhe nga veteranët që banonin aty Maman Saliu e Çobo Osmëni, por edhe veteranë e intelektualë vranishtiotë në fshat dhe kudo që ndodheshin.
Grupin e këngës unë e kujtoj që kur isha në moshë të re me këngën “Jelek verdha veshur-o” ku ishin si marrës Arapi e kthyesi virtuoz Taborr Shkurti, hedhes elegant Nase Habili. Dëgjoja në radio, sidomos në mëngjes, këtë kënge dhe kënaqesha, por kur u bëra pjesë e tij në vitin 1973 ku drejtues i shtëpisë së kulturës ishte Pavllo Çulla, në fillim si prezantues bashkë me Azime Skëndaj Duka, e pastaj si pjesë e pandashme e grupit, çdo mbasdite dhe darkë, shtëpi të dytë kishim sallën e koncerteve. Gjatë kësaj periudhe, me largimin e Pavllos dhe ardhjen përgjegjës të mësuesit Muhamet Tartari, pati një rritje të madhe të nivelit artistik të këngës dhe valles varnishtiote aq sa një ditë, në Vranisht erdhi edhe Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve për të miratuar vallen e përpunuar labe, sipas rregullit dhe ligjit. Para kësaj, Panajot Kanaçi e Tish Dajia na thirrën në Tirane në sallën e Operas e Baletit për t’u a mësuar valltarëve profesionist.
E vërteta është se vallja e Vranishti, për atë kohe, por dhe sot me sa kam parë, ngelet një nga vallet më të fuqishme labe. Eleganca e heqësit valles Hetem Shkurti, duke dhënë sinjalin me tundjen e shamisë, kolonës së valles Arap Çeloleskaj, Selman Aliaj, Zihni Janushi, Spiro Çino, Bashkim Canodemaj, Kastriot Limoj, Laver Alikaj, Ismahil Shakaj, Jazo Hibri, Batjar Kanani, Lesko Çeloleskaj, i bënë të interesohesh kaq shumë Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve.
Harmonizimi i këngës së kënduar me këmbët që hidhnim ishte i përsosur. Por dhe elementët e valles së kënduar kishin diçka që shprehnin, si tundja e shamisë nga kreu valles, kushtrimin, apo elementë të tjerë si tundja e këmbës e prere, goditja në tokë me këmbë, rrotullimi, aa-pa-pa-pa-pa-ja e Arapit, një sinjal për lëvizjen tjetër që do të bëhej. Ishin elementë artistikë qe përfaqësonin histori popullore vëndase. Kështu vallja arriti kulmin kur ne morëm pjesë edhe në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës në tetor të vitit 1978, një aktivitet madhështor ku nuk kërcyem vetëm në skenën e festivalit në kala, por edhe në qytet të Gjirokastrës, në Libohovë e fshatra të tjerë, në Sarandë e gjetkë.

Ishte vallja e kënduar “O trima vallen ma mbani” qe u bë si himn i valleve labe në atë kohë, por për fatin e keq të sotëm, s’mund ta lë pa përmendur, kjo valle nuk gjendet gjëkundi si gjithë këngët dhe vallet e tjera për ta parë e për t’u ngushëlluar me të. Nuk e di që edhe bashkëfshatarët e mi që i kanë mundësitë, nuk e kanë gjetur këtë perlë të papërsëritur të valles labe. Nuk e di pse heshti dhe Muhamet Tartari, që në një farë mënyre e kishte edhe produkt të tij. Si ka mundësi që i shkruhet vetëm titulli valles në ndonjë shkrim dhe nuk gjendet filmimi? Ajo është kërcyer në festival, pas mbarimit të festivalit, është kërcyer në sallën e Operës e Baletit në Pallatin e Kulturës Tiranë dhe po ashtu tri net rresht në Pallatin e Sportit, atëherë Partizani, po në Tiranë ! Është e patolerueshme, se këngë që janë kënduar në të njëjtin koncert apo festival, sot i gjen me një të klikuar.
Do gëzohesha shumë që kjo kritikë vëllazërore dashamirëse që unë bej, të nxirrte nga bodrumet e Televizionit Shqiptar këtë thesar shpirtëror e kulturor të Vranishtit.
Por nuk ishte vetëm kënga dhe vallja e burrave, por edhe e grave po aq me vlera e ëmbëlsi sa ashpërsia burrërore. E, jo vetëm kaq: për aktivitetin e larmishëm kulturor e artistik lab mund të shkruhet shumë dhe secili vranishtiot mund të krijojë arshivën e tij muzeale të kohës, përveç këngëtarëve e valltarëve. Si shembull mund të merret i paharruari ynë Arapi që, kur filloi të këndojë e deri sa u nda nga jeta, krijoi arshivën e këngëve dhe atje mund ti gjeje kur të doje. Besoj dhe sot po ti kërkosh në shtëpinë e tij, i ke gati. Dhe më e bukura ishte se në vitin 1982, si në 1912-ën me vallen “Cili je ti more burrë”, në 70-vjetorin e Pavarësisë së vendit, në Vlorë, në Sheshin e Flamurit, vallja vranishtiote u kërcye me 36 burra nga 12 që ishte normalisht, aq sa thoshin të pranishmit: paskan zbritur të gjithë vranishtiotët në Vlorë dhe e lanë fshatin shkretë!
Këto përmasa kishte kënga dhe vallja se e këndonin dhe kërcenin të gjithë në fshat, të mëdhenj e të vegjël, pa dallim moshe.
Bruksel, gusht 2017
Le të rrjedhë atje në shelqe…
Duke medituar, shkrova ca vargje edhe si porosi:
Ku janë ata levendë
Arapi me gjithë Hetemë
Më ka zënë nostalgjia
Kur jepte sinjal shamia
Vallja të tundet tek Rrapi
Si Hetemi me Arapin
Vranishtit t’i rrisni nur
Laveri e Jazo Hibri
Kastrioti, Ismahili
Pas tyre Batjar bilbili
Le të uroj nga shpirti e zëmra
Si uron djalin nëna
Leskua që mbyll dollinë
Ashtu si e do zakoni
Dhe pleqtë mos i harroni
Të gjithë djema uturimë
O ju djem të fshatit tënë
Selmanin me gjithë Zininë
Le të rrjedhë atje në Shelqe
Me Spiron edhe Bashkimë
T’u kujtojë historinë
Si djemve, ashtu dhe pleqe!

Te thuash kenga Labe dhe jo Epirote Polifonike,eshte njesoj kur thua Shqiperia fanar ndricues i botes.
Nacionalizem kudo edhe ne kulturen,vallet,traditat historike shume shekullore te zonave vetem se ndikohen nga politika,sidomos ajo e pushtuesve Osmane qe e kane ndryshuar identitetin,kulturen,historine e ketij vendi qe ne lashtesi nuk ka as edhe nje gje te perbashket me te sotmen,qe nga emerimi i Toponimeve,Fese e mire apo e keqe,konfliktetdhe lufta ne emer te saj.
Dikush i njohur dhe i ditur ka thene qe,kush beson se Dogmat nuk jane Identitet nuk ka mundur te kuptoje se ne cfare planeti jeton.
Atehere pyetja ka qene,eshte dhe do jete kush eshte fajtore per ndryshimin e ketij Identiteti?
Ata qe u perdhunuan,u vrane,luftuan,u moren peng apo ata qe kane akoma Identtitet pushtuesi turk?
A ka turp me te madh te tradhetosh prinderit ,gjysherit,emrat e tyre?
Dhe ceshte me e keqja nuk vene edhe mend,por akoma vazhdojne te ngulin kembe tek feja e turkut,tek percarja e saj dhe jo bashkejetese qe kengen do ja degjojme me vone se nuk duam te nxjerrim mesime nga historia dhe realiteti i sotem.
Te pergezoj i dashur Bashkim per shkrimin plote ndjenje e nostalgji per gjithe ata qe i dhane fame grupit te Vranishtit, te cilet qysh ne monizem paten privilegjin te iterpretonin vallen labe edhe ne Paris. Kenge dhe valle te tilla si Jelek verdha veshuro, Vellezerit Frasheri, Vlore e bukur bregdetare, Nena labe, Hape, hape dereno, O trima vallen ma mbani, Shpata jone gris fermane, Prapa me vjen historia etj kane hyre ne fondin e arte te polifonise shqiptare dhe kane percuar vlera te larta interpretative dhe artistike neper breza. Bashkohem me shqetesimin tend se kenge dhe valle te tilla duhet te transmentohen here pas here dhe jo te qendrojne ne disqe plote pluhur ne arkiven e RTSH.
Ështe bërë një gabim i vogël në renditjen e vargjeve, ndoshta edhe nga hapja e Wordi-t. Njê korigjim:
Ku janë ata levendë
Arapi me gjithë Hetem
Më ka zënë nostalgjia
Kur jepte sinjal shamia
Mbani traditën në këmbë
O ju djem të fshatit tënë
Vallja të tundet tek rrapi
Si Hetemi me Arapin
Mos e lerni këngën kurrë
Vranishtit t’i rrisni nur
Uroj nga shpirti e zëmra
Si uron djalin nëna
Dhe pleqtë mos i harroni
Ashtu si e do zakoni
Selmanin me gjithë Zininë
Me Spiron edhe Bashkimë
Kastrioti, Ismahili
Laveri e Jazo Hibri
Pas tyre Batjar bilbili
Leskua që mbyll dollinë
Të gjithë djema uturimë
Le të rrjedhë Shushicë e pastër
Le të rrjedhë atje në Shelqe
Tu kujtojë historinë
Si djemëve ashtu dhe pleqe.
Ju faleminderi për mirëkuptimin – Bashkim Canodemaj
Me te lumte Arben, qe mbeshtetesh ne GEN-atdhetarizmin,sa dhe komentuesi “Pellazgos.
Ju pershendes.
Guri Naimit D..
Autori i këtij shkrimi, përveçse është ndër të paktët bij që Vranishti nxorri në shekullin e kaluar(po them në dhjetëshe), përfaqëson edhe një botë të pasur shpirtërore, si rrallëkush. Kënga dhe vallja, janë të lindura te vranishtiotët, në atë masë, saqë për të kënduar një këngë cilësisht të arrirë, nuk ke nevojë të përzgjedhësh njerëz, e t`i kërkosh me qiri ata, siç mund të ndodhë tjetërkund. Mund t`i thuash kujtdo që kalon aty afër, e të këndosh për qejf, duke interpretuar si në skenë. Autori, nuk ka qenë thjesht një këngëtar, apo një valltar. Sepse të tillë pati e ka shumë ai fshat. Ai ka qenë shumë më tepër; ka qenë njeriu i ditur e njëherazi i apasionuar për këngën, por edhe njw rregullator i Grupit. Ashtu siç është fakt, kontributi madhor i Prof. Muhamet Tartarit, i cili e ktheu Vranishtin në një Asambël gjigand, me grupe që pasonin dhe konkurronin njëri-tjetrin, qysh nga tetëvjeçarja, e deri Grupi emërmirë i Vranishtit….