Shorti rikthen sh qiptarët në Beograd. Por këtë herë jo kuqezinjtë, por Skënderbeun. Frika për përsëritjen e incidenteve ekziston, megjithatë vetë serbët shpresojnë që të fitojë futbolli.
I këtij mendimi është Ivan Gvodenoviç, zv.trajneri aktual i Kukësit, i cili prej 7 vitesh jeton në Shqipëri. Gjithkush mund të pyesë se ku qëndron lidhja mes tij dhe Partizanit të Beogradit, përgjigjja është e thjeshtë: është rivali i përjetshëm i Cervena Zvezdës.
Kujtojmë që ish-qendërmbrojtësi jo vetëm ka luajtur te Cervena, por ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit, ndaj askush më mirë se ai nuk mund të rrëfejë se si përjetohen ndeshjet “e nxehta” në Beograd. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai analizon Skënderbeun, por hapur e thotë që tifozllëk bën vetëm për “Yllin e Kuq”…
E mendonit që Skënderbeu do të kualifikohej kundër Dinamo Zagrebit?
Po, e mendoja. Skënderbeu ka një ekip shumë të mirë. Ata kanë 4-5 vite që luajnë bashkë dhe kjo është një “armë” e fortë.
Nëse do t’i bënit një analizë taktike Skënderbeut, si mendoni se e eliminoi Dinamon?
Nuk ishte një sukses që erdhi vetëm për shkak të taktikës, paçka se edhe kjo pjesë pati ndikim. Mendoj se diferencën e bënë lojtarët dhe në Korçë ka elementë jo vetëm të mirë, por me shumë kualitet dhe me karakter. Ata kanë mentalitet fituesi dhe mbi të gjitha eksperienca në Europë i dha mjaft dorë.
Në grup do të ketë Partizanin e Beogradit, çfarë prisni të ndodhë në këto dy ndeshje?
Pres një ndeshje shumë të mirë dhe në fund shpresoj që të fitojë futbolli. Kush do ta meritojë, le të festojë. Gjithsesi, dua që t’i uroj të dyja, si Skënderbeun edhe Partizanin. Pjesëmarrja e tyre në Europë është pozitive për futbollin në Ballkan.
Do të ndikojë ajo që ka ndodhur mes dy kombëtareve?
Nuk kam koment për këtë. Ne merremi me sport, ndaj duhet të flasim vetëm për sport.
A rrezikon që të përsëritet si ngjarje?
E thashë edhe më lart, është vetëm futboll. Një ndeshje duhet shijuar jo vetëm në fushë, por edhe në tribuna. Sporti pastaj ka qëllim që t’i bashkojë njerëzit. Ky është mesazhi im: “Futbolli do fitojë gjithmonë”.
Ju jeni ish-kapiten i Cervena Zvezdës, besoj do të bëni tifo për Skënderbeun…
Të jem i sinqertë, tifoz me Skënderbeun nuk jam. Unë jam tifoz i Cervena Zvezdës. Jam neutral. Nuk është se më intereson shumë kjo ndeshje, madje mund t’ju rrëfej që do shoh Cervena Zvezda-Arsenal. Por, edhe një herë do uroj që Skënderbeu me Partizanin të kalojnë grupin.
Na tregoni pak për rivalitetin mes dy Cervenës dhe Partizanit, çfarë impakti ka ky duel në Serbi?
Rivaliteti është i madh. Është derbi më i madh në Ballkan. Stadiumi mbushet plot, me 55 mijë njerëz dhe atmosfera është gjithnjë elektrizuese. Madje, nëse humbet një ndeshje të tillë, për një javë mbyllesh në shtëpi. Nuk ke shanse të dalësh, është çmenduri, ka shumë presion.
Sa e keni ndjekur Partizanin e Beogradit së fundmi dhe a ka ndryshuar nga vitet kur ju luanit?
Shumë. Bëhet fjalë për vitin 2002 dhe për 2009-ën. Ka ndryshuar realisht shumë Partizani. Pastaj, në kohën kur unë luaja në Serbi, kampionati ishte shumë herë më i fortë.
A i jep më shumë shanse ky fakt Skënderbeut?
Nuk e di, ndoshta edhe po. Por, mos harroni se ata kanë shumë kualitet sërish dhe jo më kot janë në fazën e grupeve të Ligës së Europës.
Kush është lojtari më i rrezikshëm i Partizanit, që Skënderbeu duhet ta ketë kujdes?
Kanë shumë lojtarë të rinj, jo ato të brezit tim (qesh). Por ndoshta do veçoja sulmuesin Xhurxheviç. Lojtar shumë i mirë.
Skënderbeu pa Latifin në grupe, a do të ndihet mungesa e tij?
Po, pak po. Ai është lojtar shumë cilësor. Mund të quhet “humbje”, pasi ishte në formë realisht të mirë. (p/sport)

Ku e kane gjetur kete trapin e Cervena Zvezdes per ti bere koment Partizanit te Beogradit, eshte njesoj qe nje ish lojtar i Tiranes te jape mendim per Partizanin e Tiranes, cfare idiotesie.