Cristiano Ronaldo është 32 vjeç dhe nuk mund t’ia lejojë më vetes të driblojë, markojë apo të merret me organizimin e aksioneve. Të paktën, jo të gjitha përnjëherësh. Kështu, “sekreti” për zgjatjen e karrierës së tij është… ndryshimi i pozicionit.
Siç shkruan “Marca”, pas një analize të gjerë nga stafi teknik i Real Madridit, është vendosur që portugezi këtë sezon të kthehet në një sulmues qendre. Ideja është që kampionët e Evropës të rreshtohen me sistemin 4-4-2, që i lejon portugezit të luajë më pranë portës, pra të shënojë më shumë, dhe të kursejë energji duke vrapuar më pak.
Meqë “Los Blancos” sivjet dështuan të blinin një sulmues tjetër pas largimit të Alvaro Moratës, i preferuari i Ronaldos si partner në sulm është Karim Benzema. Alternativa tjetër si 9-sh është Borja Mayoral, por ky nuk pritet të jetë sezoni i tij.
Trajneri Zinedine Zidane ka zhvilluar një bisedë me Ronaldon, i cili pritet që të fitojë “Topin e Artë” për herë të pestë në karrierë. Synimi i madrilenëve është jo vetëm të mbrojnë sërish trofeun e Ligës së Kampionëve, por të fitojnë gjashtë trofe brenda një viti, ashtu si Barcelona e Pep Guardiolës. Kështu, Ronaldo ka pranuar sugjerimin e francezit për të ndryshuar rol, i bindur se do të jetë edhe më i rëndësishëm për skuadrën.
Casemiro, Toni Kroos, Luka Modric, Mateo Kovacic, Isco, Dani Ceballos, Marcos Llorente, Lucas Vazquez dhe Marco Asensio janë lojtarët te të cilët Zidane mund të mbështet gjithmonë për mesfushën, por edhe për sulmin (disa). Dendësia, cilësia, dinamika dhe shpejtësia e tyre garanton mbështetje të madhe për dyshen e sulmit, cilado qoftë ajo.
Nuk është sekret që në “Santiago Bernabeu” është pritur blerja e sulmuesit Kylian Mbappé. 18-vjeçari, i cili luan te Monaco, por pritet të shitet te PSG-ja, konsiderohet një nga lojtarët më premtues në kontinent, por Zidane nuk ka preferuar të rrezikojë.
Tani për tani, ai do të besojë te Ronaldo, makineria e pashtershme e golave dhe motivuesi më i madh i skuadrës. Kapiten ose jo, kampioni i trefishtë i Evropës është lideri i skuadrës dhe energjitë nuk i kanë shteruar ende.
