Paris Saint-Germain do të mbahet mend si klubi i çmendurive të merkatos. Këtë verë, klubi parisien e nisi duke bërë transferimin më të shtrenjtë në histori, atë të Neymar-it për 222 milionë euro nga Barcelona, por asgjë nuk ka përfunduar.
Brenda pak orësh apo ditësh, zyrtarizimi i radhës do të jetë ai i francezit Kylian Mbappé nga Monaco. Çmimi? I jashtëzakonshëm, ndonëse jo aq sa ai i 25-vjeçarit, plot 180 milionë euro, të cilat ende nuk dihet me saktësi se si do të paguhen.
Shkurt, Paris Saint-Germain do të shpenzojë 402 milionë euro për vetëm dy lojtarë. Ose, le ta themi më mirë, nënkampionët e Francës do të bëjnë dy blerjet më të mëdha në histori brenda një muaji! Kush e priste këtë? Praktikisht askush, edhe pse tani, tek-tuk, disa shqiptarë mburren se i kanë ditur disa informacione, por nuk i kanë thënë vetë.
Ndërkaq, duke mos harruar blerjen e sulmuesit Edinson Cavani për 64 milionë euro në vitin 2013, i bie që sulmi që ka Paris Saint-Germain do të ketë një vlerë prej 466 milionë eurosh. Absurde? Po, shumë, por po flasim për realitetin!
Ligue 1 konsiderohet si kampionati i pestë më i mirë në Evropë, por ndoshta gjërat do të ndryshojnë shpejt. UEFA mund të ndërhyjë, por jetojmë në shekullin kur paraja ngjall edhe të vdekurit nga varri.
