Shpërthimi i ish-kryeministrit italian dhe dyshimet për mbështetjen ndaj qeverisë aktuale, pas vendimit të gjykatës së Milanos për dënimin e tij me 7 vite burg në lidhje me çështjen “Ruby”. Do të largohet nga parlamenti? Rrezikon burgun? Disa përgjigje pas dënimit
Të hënën Silvio Berlusconi u dënua me 7 vite burg dhe me skualifikim të përhershëm nga postet publike, në përfundim të procesit të ashtuquajtur “Ruby”. Ai u shpall fajtor për të dyja krimet që po gjykohej: zhvatje dhe prostitucion të miturish. Vendimi i dënimit parashikon një vit më shumë burg nga sa u kërkua nga akuza.
Kaq i demoralizuar nuk ka qenë ndonjëherë. I ngushëlluar nga fëmijët, e fejuara dhe nga ata pak që arrijnë t’i qëndrojnë pranë në një ditë kaq dramatike, Berlusconi e përjeton si një “dhunim” thuajse fizik vendimin e gjykatës, së cilit i druhej, por kurrë, as në makthe nuk e kishte hamendësuar se sa i rëndë mund të ishte.
“Isha i bindur se do të më shfajësonin. Në faktet e paraqitura nuk kishte asnjë mundësi që të më dënonin, por ja që u dha një vendim i pabesueshëm, një dhunë e paparë dhe e padëgjuar më parë, një pretekst për të më eliminuar nga jeta politike e këtij vendi. Kjo nuk është vetëm një ‘faqe e drejtësisë së keqe’, por është një ofendim për të gjithë ata italianë që besuan te unë, në angazhimin tim ndaj vendit”, u shpreh Berlusconi duke shtuar në fund: “Edhe njëherë do t’i rezistoj këtij persekutimi sepse jam absolutisht i pafajshëm dhe nuk dua në asnjë mënyrë të braktis betejën time për ta bërë Italinë një vend të lirë dhe të drejtë”.
Dyshimet e tij mbi mbështetjen ndaj qeverisë për shkak të dënimit mund të kenë kosto shumë të lartë. Nuk është e thënë që do të ketë votime të tjera, sepse mund të lindë edhe qeveria Pd-M5S, që sipas tij do ta “përkeqësonte situatën sepse vendi mund të mos e durojë goditjen…”. Vendime të rëndësishme priten tani, ndërsa gjithnjë e më lart ngjitet thirrja e Pdl-së: “Nuk do të ndjekim duarkryq eliminimin e Berlusconit”.
Pas vendimit të gjykatës së Milanos shumë filluan të pyesin veten se çfarë do të ndodhë tani me politikanin më në zë të Italisë. Një pyetje së cilës vështirë t’i gjesh përgjigje kur bëhet fjalë për paramentarin 76-vjeçar.
Të paktën deri në vendimin përfundimtar Berlusconit nuk do t’i ndodhë gjë. Gjykatësit mund të kishin kërkuar arrestimin e tij që gjatë kohës së hetimeve nëse do të shihnin mundësinë e përsëritjes së krimeve nga ana e tij. Në atë rast do të ishte paralamenti që do të vendoste sipas Kushtetutës italiane. Por gjykatësit nuk e bënë gjatë hetimeve dhe vështirë se do ta bëjnë pas dënimit në shkallën e parë.
Avokati i ish-kryeministrit italian, Niccolò Ghedini, shprehet se do t’i drejtohet Apelit, ku gjykatësit dhe prokurori do të ndryshojnë, ndërsa vendimi mund të jepet vjeshtën e ardhshme, shkruanin gazetat italiane të martën.
Nëse Berlusconi e humb çështjen edhe në Gjykatën e Apelit e më pas në Gjykatën e Lartë, ai duhet të shlyejë dënimin përfundimtar, pa pasur mundësi të kërkojë ndërhyrjen e parlamentit. Por edhe në këtë rast ai nuk do të shkojë në burg. Sipas ligjit aktual, dënimi mund të kryhet në banesën e tij ose në një vend tjetër publik kur personi i dënuar ka mbushur më shumë se 70 vjeç dhe Berlusconi e ka kaluar këtë moshë. Deri sa të vijë dënimi përfundimtar, ai mund të kandidojë në zgjedhje, por nëse do të konfirmohet vendimi edhe në shkallët e tjera të gjykimit, Berlusconit do t’i duhet të lerë parlamentin dhe të heqë dorë nga dekoratat dhe titujt, duke përshirë edhe atë me të cilin shquhet: “Cavaliere”./Dorina Gjuzi

”Shume personalitete te shquara i ka varrosur gruaja”
Bukowski
Berlusconi personalitet i shquar? Shko more. Ky palaco e gjunjezoi italine sot
Per te kaluar sa me mire kohen Berluskonit i sugjerojme qe te therra edhe Berishen pavarsishte se nuk perputhen ne moral, por si mik i madh i tij, dhe ta kalojne pleqerine se bashku.