Speciale nga gazetari investigativ Artan Hoxha, Dosja ‘Tropoja’. Si u zhduk (arratisur jashtë Shqipërisë) polici Avdi Buçpapaj, dëshmitari kyç i shumë vrasjeve në Tropojë. Betimi i Fatmir Haklajt për hakmarrje për vrasjen e të vëllait e kunatit të tij dhe dëshmia e motrës së madhe të vëllezërve Haklaj për atentatin vdekjeprurës ndaj vëllait.
Polici Avdi Buçpapaj që i mbijetoi pritës së 5 janarit, personi kyç i vrasjeve në Tropojë, zhduket jashtë shtetit. Betimi i Fatmir Haklajt “Nuk do të ndalem derisa të marr hakun për dhe kunatin”, shtoi vrasjet e ndërsjellta mes palëve. Dëshmia e motrës së madhe të vëllezërve Haklaj, Aishe Haklajt për vrasjen e të vëllait, Shkëlqimit,më 5 janar 1998 në Qafën e Luzhës
(Vijon nga numri i kaluar)
Një polic i komisariatit të Bajram Currit që i shpëtoi atentatit të 5 janarit 1998 ku mbetën të vrarë Shkëlqim Haklaj dhe Artur Demirit, është dëshmitari kyç që mund të zbardh si nisi tragjedia që përgjaku për vitet në vazhdim Tropojën. Avdi Buçpapaj nuk është marrë kurrë në pyetje nga organet ligj zbatuese në lidhje me këtë ngjarje. Ai u largua menjëherë pas krimit nga Shqipëria për t’i shpëtuar rrezikut serioz që i kanosej. Më lart (‘Dosja Tropoja’ nr. 6 në gazetën e djeshme ‘Dita’) jepet zanafilla e përgjakjes së Tropojës. Si nisi konflikti që shkaktoi mbi 150 të vrarë? Pse Fatmir Haklaj vendosi të hakmerrej ndaj autorëve të vrasjes së vëllait dhe kunatit? Por mënyra sesi shefi i komisariatit të Tropojës, Fatmir Haklaj zgjodhi për të vënë në vend drejtësinë sipas kokës së tij, shkaktoi një reaksion të madh, deri dhe nisjen e protestave nga opozita e djathtë në rrugët e kryeqytetit. I tërbuar nga vrasja e dy njerëzve të tij më të afërt, Fatmir Haklajt, i errësohet gjykimi. Ai nuk bën më selektim të viktimave të tij, duke qëlluar këdo që i dilte përpara, mjafton që të ishte i afërt me autorët e pritës së Qafë Luzhës apo i njohur i tyre. Për Haklajn nuk kishte shumë rëndësi fakti nëse viktimat e tij ishin imnplikuar apo jo në ngjarje. Mjaftonte vetëm lidhja dhe njohja e tyre me autorët e pritës së 5 janarit 1998.
MISTERET E PRITËS
Asaj që Fatmir Haklaj i trembej, ndodhi pikërisht në momentin kur ai mendonte se kishte vënë gjithçka në vijë. Tre ditë pas Vitit të Ri 1998, vëllai i tij Shkëlqimi u emërua polic në doganën e Qafë Prushit në rrethin e Hasit. Pasditen e 5 janarit, Shkëlqim Haklaj dhe kunati i Fatmirit, Artur Demiri ktheheshin nga Hasi me një fuoristradë Nissan Terrano ngjyrë blu. Sapo ata mbërritën në Qafën e Luzhës u qëlluan me breshëri armësh automatike. Autorët e pritës, përbënin një komando të pajisur mirë më armë automatike dhe mitralozë të rëndë. Të informuar për lëvizjen e Shkëlqim Haklajt, ata ishin pozicionuar në pritë duke mbajtur nën vëzhgim për orë të tëra rrugën që të ngjit nga fshati Pac drejt Qafë Luzhës. Zjarri i tyre gati rezultoi njëqind për qind i saktë sikur Shkëlqim Haklaj të mos u kishte mbijetuar breshërive të para dhe të shkëmbente zjarr me një pistoletë që kishte me vete, duke i dhënë kohë një personi të tretë që ndodhej në makinë të shpëtonte i gjallë. Avdi Buçpapaj u largua drejt një pylli që të nxjerr në fshatin Vlad. I mbijetuar, pa asnjë gërvishtje nga prita, një polic i komisariatit të Bajram Currit, do të shpejtonte sa i hanin këmbët për të mbërritur i gjallë në fshatin më të afërt ku kërkoi ndihmë. Polici i tmerruar kërkoi të sajonin një vig për të transportuar të vdekurit drejt Tropojës. Trupat e dy të vdekurve u transportuan drejt morgut të qytetit me autobusin e linjës Krumë-Bajram Curri, i vetmi mjet që kaloi pas atentatit në atë aks rrugor.
DËSHMITARI
Fatmir Haklaj kur mësoi se viktimat e pritës ishin vëllai dhe kunati i tij, u betua se hakmarrja për vrasjen e tyre do të ishte e padëgjuar ndonjëherë. Ai kontaktoi po atë natë me dëshmitarin e vetëm të mbijetuar nga atentati dhe mësoi prej tij se kush kishte qenë pjesë e komandos që organizoi pritën. Ky dëshmitar okular, duke qenë banor i Tropojës identifikoi pjesën më të madhe të autorëve të pritës, një pjesë e mirë e të cilëve kishin qenë të veshur me uniforma kamoflazhi, por pa maska në fytyrë. I tmerruar nga ajo që pa dhe i trembur për rrezikun serioz që i kanosej atij vetë, e familjes së tij, polici Avdi Buçpapaj u largua menjëherë jashtë vendit. Ky dëshmitar që i mbijetoi atentatit, sot përbën çelësin e zbërthimit të asaj që quhet “Dosja Tropoja”. Ai as që është marrë ndonjëherë në pyetje nga prokuroria apo policia shqiptare për të dëshmuar çfarë pa atë pasdite të ftohtë dimri në Qafën e Luzhës. Ky dëshmitar vazhdon të jetojë larg Shqipërisë, ndoshta për të mos u kthyer kurrë në Tropojë, atje ku pa vdekjen t’i shkelte syrin. Për fat të keq dëshminë e tij e mori Fatmir Haklaj, shefi i komisariatit të Tropojës, që në vend të zbatimit të ligjit vendosi t’i zgjidhte gjërat ashtu siç dinte ai, alla “far west”, me grykën e pushkës.
HAKMARRJA E HAKLAJVE
Për autorësinë e vrasjes së vëllait dhe kunatit të tij, Fatmir Haklaj do ta drejtonte gishtin pikërisht tek ata persona me të cilët ishte konfliktuar dhe publikisht. Në një intervistë që do të jepte pas ngjarjes për një stacion televiz austriak, Fatmir Haklaj do të deklaronte se për këtë vrasje do të ekzekutonte 30 veta. Njeriu më i fuqishëm i Tropojës jo vetëm ishte prekur thellë në krenarinë e tij, por ishte goditur në pikën më të dobët. Pa mbushur ende 24 orë nga vrasja e të vëllait, Fatmir Haklajt akuzohet nga opozita se u hakmor duke vrarë tre persona që udhëtonin nga fshati Luzhë në drejtim të Bajram Currit më datë 6 janar 1998. Viktimat ishin Avdyl Matoshi, ish-nëndrejtor i doganave gjatë qeverisjes së PD-së, Gjin Kolbuçaj ish-oficer i SHIK-ut dhe mësuesin Naim Dizdari. Për njërin prej tyre Haklaj ishte informuar se mbrëmjen e atentatit ishte afruar pranë spitalit të qytetit për të pyetur nëse viktimat kishin vdekur apo jo. Ky person kishte qenë i veshur me uniformë kamuflazhi në trup dhe i baltosur në disa vende. Partia Demokratike reagon ashpër menjëherë pas ngjarjes duke akuzuar struktura shtetërore në Tropojë si të implikuara në këtë krim. Arkivoli me trupin e Avdyl Matoshit do të bëhet simbol i protestës së mbështetësve të PD-së. Ata do të marshojnë me arkivolin e Matoshit në duar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, do të ndalen përpara kryeministrisë duke akuzuar kryeministrin Nano dhe njerëzit e tij si vrasës dhe më pas do të kthehen sërish në sheshin Skënderbej. Ish-presidenti Berisha, tani shef i opozitës, dhe deputeti i Tropojës Azem Hajdari, marrin pjesë jo vetëm në protestë por dhe në varrimin e viktimës, duke shprehur indinjatën e tyre të thellë për këtë krim dhe autorët e tij. Kjo vrasje e trefishtë vazhdon të jetë edhe sot pas 9 vjetësh e pazbuluar dhe pa autorë.
TITULLAR I KOMISARIATIT
Pavarësisht asaj që ndodhte në Tiranë dhe atyre çfarë thuheshin në media, Fatmir Haklaj qëndroi në detyrë deri më datë 9 janar 1998, kur qëlloi në ambjentet e komisariatit të Bajram Currit, vartësin e vet, Shaqir Hoxha, shef i policisë së kufirit. Sipas Haklajt, të afërm të Hoxhës kishin marrë pjesë në vrasjen e të vëllait dhe kunatit të tij në Qafën e Luzhës. Në pamundësi për të goditur menjëherë autorët e vërtetë, Haklaj merr hak ndaj të afërmive të tyre edhe pse ky nuk kishte qenë fare në pritë. Haklaj e kishte ndeshur disa herë gjatë asaj dite viktimën e tij në qytet, por kishte hezituar ta qëllonte pasi ai shoqërohej nga gruaja dhe fëmija. Ai ka pritur çastin kur Hoxha ka shkuar në komisariat, duke e qëlluar atë në sheshpushimin e shkallëve mes katit të parë dhe katit të dytë. Pas këtij akti të pa shembullt, Haklaj dorëzon detyrën e shefit të komisariatit të Tropojës dhe tërhiqet në kullën e tij, i vendosur për të çuar në fund premtimin mbi varrin e të vëllait. Askush në policinë apo prokurorinë e Tropojës nuk do të merrte guximin të tentonte arrestimin e Haklajt, nëse vepronte ndryshe, padyshim që kishte firmosur fundin e vet”.
I MBIJETUARI HAMDI HAKLAJ
Pas ngjarjeve tragjike në vitet 1998-2000, Hamdi Haklaj u etiketua nga media me nofkën “Padrino”. Kjo jo vetëm për shkak se ishte djali i madh i familjes, fakt ky që i jepte atributet e liderit mbi të tjerët, por sepse u shpëtoi të gjitha atentateve, duke përfshirë këtu deri dhe ato me mina të telekomanduara apo me snajperë në distancë. Hamdi Haklaj, më i madhi nga pesë djemtë e familjes Haklaj lindi në vitin 1950 në Kërnajë. Është baba i gjashtë fëmijëve, tre djem e tre vajza. Hamdiu kreu studimet e larta në fakultetin e Veterinarisë në Kamëz. Pas përfundimit të shkollës, ai u kthye në Tropojë dhe fillimisht punoi si veteriner. Më pas për më shumë se një dekadë Hamdiu ishte kryetari i kooperativës së Margegajt, detyrë në të cilën qëndroi deri në vitin 1990. Ai së bashku me të vëllanë Shkëlqimin ishin ndër mbështetësit e parë të PD-së në Tropojë. Por besimi i tij ndaj të sapoardhurve në pushtet u thye në vitin 1992, kur së bashku me të vëllanë Halilin, qëndruan për 6 muaj në burg me akuzën e një vrasje me mjete të forta në Tropojë. Hamdiu u lirua nga burgu për mungesë provash duke rezultuar i pafajshëm për krimin e vrasjes. Për herë të fundit Hamdi Haklaj u pa të shëtiste lirisht në Tropojë në fillimgushtin e vitit 1993. Prej këtij momenti, Hamdiu qëndroi në ilegalitet, për më shumë se një dekadë e gjysmë duke u shfaqur shumë rrallë në vendlindjen e tij. Ai emigroi në Gjermani ku qëndroi për pesë vjet me radhë, deri në 5 janarin e 1998, kur vëllai i tij Shkëlqimi u ekzekutua pas një prite në Qafën e Luzhës.
SERBËT DËNOJNË HALIL HAKLAJN
Duke parë aftësitë që gëzonte, Halil Haklaj ishte një nga personat që u infiltrua nga ish-Sigurimi i Shtetit në territorin e ish-Jugosllavisë, për të krijuar një organizatë guerilase të quajtur Fronti i Rezistencës kreu i së cilës ishte shqiptari nga Kosova, Mentor Kaçi. Misioni i saj ishte krijimi i kushteve për një kryengritje mbarëpopullore nga shqiptarët e Kosovës dhe më pas shpallja e pavarësisë nga ish-Jugosllavia. Në fundin e viteve ’80, Halil Haklaj organizoi disa kalime të kufirit të krerëve të lëvizjes guerile në Kosovë drejt territorit shqiptar. Madje ishte personi që çoi kreun e Frontit të Rezistencës në Kosovë, Mentor Kaçi në një takim me ish-sekretarin e parë të Partisë së Punës së asaj kohe, Ramiz Alia. Për aktivitetin e tij në mbështetje të lëvizjes guerrile në Kosovë, Halil Haklaj u dënua nga Gjykata e Serbe në Pejë, në vitin 1988, me 8 vjet burg, për veprimtari subversive ndaj Jugosllavisë, furnizim me armë të organizatave guerrile dhe kalim të paligjshëm të kufirit.
(Vijon nesër)
Zinxhiri i hakmerrjes, atentatet edhe pritat
Atentatet
Fatmir Haklaj u shpëtoi njëri pas tjetrit të paktën 7 atentateve, tre prej të cilave me mina të telekomanduara në distancë, derisa u vra në një pritë në fshatin Bujan, më 4 nëntor 1999, së bashku me mikun e tij Sami Kërnaja.
Prita
Pasditen e 5 janarit 1998 u vranë në një pritë në Qafën e Luzhës Shkëlqim Haklaj dhe Artur Demiri, vëllai dhe kunati i Fatmir Haklajt. Nga kjo pritë mbijetoi vetëm polici i komisariatit të Bajram Currit, Avdi Buçpapaj. Polici Avdi Buçpapaj, i tregoi Fatmirit për autorët e pritës.
Motra e Haklajve: Shkëlqimi u godit nga afër me një plumb në kokë
Aishe Haklaj: Ai qëlloi 5 herë para se të vritej!
Aishja, motra e madhe e Haklajve dëshmon vrasjen vëllait, Shkëlqimit. “Shkëlqimi, pasi ishte qëlluar me 7 plumba në trup, kishte marrë dhe një plumb tej shpues në kokë, i cili kishte kaluar nga njëra anë e ballit në anën tjetër. Pikërisht ky fakt e irritoi pamasë Fatmirin, aq sa ai humbi gjykimin dhe ndodhën ato që ndodhën”, tregon motra e madhe e Haklajve, Aishja për vrasjen e Shkëlqimit më 5 janar 1998. Aishe Basha, ish-drejtoreshë e shkollës së Bujanit, kujton ende trupin e të vëllait pas ngjarjes së Qafë Luzhës. Ajo rrëfen si ndodhi ngjarja e 5 janarit 1998. Si shpëtoi polici Avdi Buçpapaj, dëshmitari i vetëm okular i kësaj prite nga plumbat e vrasësve dhe çfarë i tha ai Fatmir Haklajt pas ngjarjes?
Çfarë ndodhi më 5 janar 1998 në Qafën e Luzhës?
-Vëllai im Shkëlqimi sapo ishte emëruar polic në doganën e Qafë Prushit në Has. Pasditen e 5 janarit, rreth orës 16:20 ai po kthehej në shtëpi me një fuoristradë Nissan Terrano. Bashkë me të ishte dhe kunati i Fatmirit, Artur Demiri dhe polici i komisariatit të Tropojës, Avdi Buçpapa. Sapo makina i është afruar lapidarit në Qafë Luzhë është qëlluar pa paralajmërim me breshëri automatikësh dhe mitralozësh. Autorët e pritës ishin të pozicionuar në një transhe mbi rrugë dhe kanë hapur zjarr nga një distancë shumë e afërt.
Si vazhdoi më tej përplasja me armë?
-Arturi mbeti i vdekur në vend. Ndërsa Shkëlqimi edhe pse kishte marrë shtatë plumba në trup, arriti të dilte nga makina dhe të hapte zjarr me një pistoletë që kishte me vete. Ky veprim i dha mundësi policit Avdi Buçpapa të përfitonte dhe të futej në pyll duke vrapuar drejt fshatit Vlad. Sipas dëshmisë së Avdiut, ai dëgjoi Shkëlqimin të shkëmbente fjalë me autorët e pritës. Avdiu kërkoi ndihmë në Vlad për të transportuar drejt Bajram Currit, trupat e Shkëlqimit dhe Arturit. Pistoleta e Shkëlqimit u gjet me dy fishekë në karikator, ndërsa 5 të tjerë ai i kishte qëlluar drejt autorëve të pritës. Kufomat e tyre i sollën në spitalin e Bajram Currit në mbrëmje me autobuzin e linjës Has-Tropojë.
Kontaktuat ju me të mbijetuarin e pritës dhe çfarë u tha si?
-Me sa di unë, me Avdiun kontaktoi po atë mbrëmje, Fatmiri. Se çfarë i ka thënë për autorët, këto i ka marrë me vete Fatmiri. Por Avdiu duke qenë tropojan i ka identifikuar pjesën më të madhe të autorëve të pritës, pasi ata nuk kishin maska. Veprimi që e irritoi pamasë Fatmirin, ishte fakti që Shkëlqimi ishte qëlluar me një plumb tej shpues në kokë, nga njëra anë e ballit në anën tjetër, nga një distancë shumë e afërt. Autorët e kësaj ngjarje nuk janë zbuluar kurrë edhe pse ka një dëshmitar okular (Avdi Buçpapaj) dhe ne si familje kemi dorëzuar në prokurori provat dhe dyshimet tona.
NESËR DO TË LEXONI:
-Si dhe pse u vranë dy vëllezërit Demaj në Malin e Shkëlzenit, akuza për këtë vrasje ndaj Haklajve dhe hakmarrja ndaj tyre për këtë vrasje pas shumë vitesh.
-Pse dështuan disa aksione policore për kapjen e vëllezërve Haklaj dhe misteri i vrasjes së një polici të komisariatit të Tropojës në një nga këto aksione.
-Kush janë ekzekutimet e radhës në Tropojë dhe heshtja absurde e një shteti pothuaj inekzistent.

po saper avdi buqpapaj si bahet fjale ekini ne angli sepse ai asht molla esherrit per vdekjen e djemve te tropojes taman espinoza