Është rikthyer qetësia në kampin kuqezi sa i përket pjesës së sulmit, ku viroza e Armando Sadikut e rrezikonte repartin për shkak të alternativave të pakta.
Në konferencën për shtyp të ditës së enjte, sulmuesi i Legias së Varshavës ka deklaruar se do të jetë i gatshëm për trajnerin: “Kam patur një virozë, por tani jam mirë dhe do të rikthehem në stërvitje. Më pas, do të jetë trajneri ai që do të vendosë për formacionin”.
Lihtenshtejni, kundërshtar i lehtë?
“Jo, nuk duhet të kemi këtë qasje të shtunën. E kemi të freskët se çfarë të bën nënvlerësimi. E provuam ndaj Luksemburgut se nuk ka kundërshtarë të lehtë në futbollin e sotëm. Objektivi është 3 pikët ndaj Lihtenshtejnit dhe pastaj të shkojmë me entuziastë në Maqedoni”.
Situata te Legia?
“E kemi kaluar të gjithë si ekip një periudhë të vështirë, jo vetëm unë. Kemi luajtur çdo tri ditë dhe kaluam një moment të vështirë. Tani kemi arritur tri fitore dhe mendoj se jemi rikthyer në rrugën e duhur”.
A e synoj rekordin e Bogdanit si golashënuesi më i mirë i kombëtares?
“Personalisht mundohem çdo ndeshje që të jap më të mirën. Jam sulmues dhe duhet të shënoj sa më shumë, kjo dihet. Se sa gola do të arrij, këtë nuk e di. Çdo ndeshje për mua është si një finale. Kur vij këtu, dua të jem në 100 për qind”.
Po nuk luajta unë, cili lojtar mund të më zëvendësojë?
“Nuk kam folur me trajnerin për këtë, nuk e di. Janë zgjedhjet e trajnerit se kë shikon si opsion të dytë, në vendin tim”.
Latifi?
“Mendoj se po, është lojtar shumë i mirë, e ka treguar veten edhe në ndeshje të rëndësishme në “Europa League”. Pse jo, edhe Latifi mund ta bëjë sulmuesin e parë”
Mënyra e të luajturit?
“Varet nga ndeshjet, nga rivalët, se si mund të jetë kundërshtari. Ne jemi kombëtare e vogël dhe luajmë me një sulmues. Normal, do të më pëlqente të luanim dy sulmues, sepse për mua do të ishte edhe më e lehtë. De Biazi preferonte gjithmonë me një sulmues dhe e bëja vetëm repartin e sulmit. Kam dhënë edhe rezultate, nuk ka qenë problem për mua”.
Njohja me Alioskin, lojtarin më në formë te Maqedonia?
“Po, kemi qenë shokë skuadre dhe ruajmë kontakte të rregullta. Shanset për fitore i kemi, jemi më superior se maqedonasit. Ata u panë që me stadiumin se na kanë frikë. Na dërguam të luajmë në një stadium të vogël, sepse patën frikë se do të mbushej me shqiptarë. Ne shkojmë atje me kokën lart, si skuadër e pjekur, e rritur tashmë, me një grup që luan prej disa vitesh bashkë.
Alioskin e kam shumë shok, gati çdo ditë dëgjohemi në telefon. Kur të bëj golin, i kam thënë, hajde dhe ti me mua e festo se je shqiptar. Ai e pranon që ne jemi më të fortë”.
Maqedoninë mezi e mundëm në dy ditë?
“Ndeshja e parë kualifikuese pati një ecuri të çuditshme. Shënuam shumë shpejt në Shkodër dhe u munduam ta menaxhojmë epërsinë. Një gabim solli golin e maqedonasve. Ne besuam dhe shënuam ditën tjetër. Maqedonia ka cilësi, por mendoj se jemi më lart se ajo. Shkojmë atje për një objektiv të vetëm, marrjen e tri pikëve”.
