Ballë për ballë dy Akademi

Ornela

Shqetësimi i shprehur ditët e fundit për Akademinë tonë të Shkencave ka një bazë të fortë reale. Ajo që shprehte dje Prof. Xhevat Lloshi se “kjo Akademi duhet shkrirë” dhe që e përforcon sot Prof. Paskal Milo në intervistën e tij kur thotë se “Qeveria duhet të ulërijë, pasi Akademia është në koma” nuk janë hiperbola. Metafora jo se jo.

Janë një realitet tërësisht i prekshëm, por jo disfatist. Sepse shkencë është bërë në këtë vend edhe para themelimit të Akademisë së Shkencave dhe do të bëhet edhe paskëtaj. Shkenca, krijimi artistik dhe gjithë veprat madhore kanë në thelbin e tyre idealizmin, jo portofolet.

Prof. Xhevat Lloshi është një shembull konkret: Ai punët më të mira shkencore i ka bërë pikërisht kur nuk kishte të bënte fare me atë Akademi që kërkon të mbijetojë si parazite me paratë e shqiptarëve. Por edhe Prof. Miloja, si dhe Prof. Pëllumb Xhufi e të tjerë, duke u prirur nga integriteti dhe dinjiteti profesional, punët më të mira të tyre i kanë bërë pikërisht në këtë periudhë që përkon me pjekurinë e tyre maksimale profesionale. Ashtu sikurse Kristoforidhit nuk i shkoi kurrë ndërmend të ishte anëtar i ndonjë Akademie kur punonte për shqipen.
Por problemi, përtej këtij konstatimi, është shumë më i thellë. Ajo që thotë Prof. Miloja është e vërtetë: Akademia duhet të ekzistojë se ka të bëjë me seriozitetin dhe dinjitetin e shtetit. Sepse këta që janë sot në Akademi dhe tallen me të, janë të përkohshëm.

Janë në përgjithësi pa vepra dhe kontribute në shkencën shqiptare. Atëherë, pse të mos na nervozojë dhe revoltojë niveli i tyre? Po të perifrazojmë Kryeministrin Rama, i cili para disa ditësh i konsideroi si “delenxhinj” shumicën e diplomatëve shqiptarë nëpër botë, nuk kemi pse të ngurrojmë t’i quajmë me këtë nofkë, pra delenxhinj të mirëfilltë, ata që pengojnë reformimin e Akademisë sonë të shkencave.
Në debatin e DITA-s ky shqetësim është ngritur mjaft herët. Situata që përshkruhet sot me nota dramatike, e tillë ka qenë më së paku para dhjetë vjetësh. Në ilustrim të këtij fakti është krijimi i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave në vitin 2011. Krijimi i një Akademie alternative lindi pikërisht nga atrofizimi i Akademisë që mbahet me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Është prekës fakti që kjo Akademia e re, që në të vërtetë është një OJF, është shumë më prestigjioze dhe me një veprimtari ku e ku më të shquar se Akademia jonë shtetërore. Ja pra pse e hapëm këtë debat. Gazeta ‘DITA’ boton sot përbërjen e dy akademive, pa bërë ndonjë koment. Nuk ka nevojë për koment, pasi lexuesi i vëmendshëm i njeh këta emra, në të dyja akademitë dhe është në gjendje të bëjë krahasimet.

Share This Article
3 Comments
  • Akademi sallatash mikse, le te bashkohen dhe te krijohet nje Akademi Honorifike, prane Ministrise se Arsimit ose te Kultures. Le te mblidhen nje here ne vit dhe te vajtojne vdekjen e shkences shqiptare dhe shuarjen e njeri-tjetrit.

  • Ta keni te qarte, absolutisht te qarte, se po u dhate dore “akademikeve shqiptare” te Beogradit ne Prishtine, Akademia e Shkencave e Shqiperise dhe e popullit shqiptar do te perfundoje ne kontenjeret e berllokut te historise!… Kujdes me “partiotet shqiptare” qe i ka ushqyer Tita, te cilet i paskeshit perfshire ne perberjen “Akademike”!… Si mund te reformohet e te shpetohet Akademia e Shkencave e Shqiperise kur largon prej saj “delenxhinj” dhe fute ne te delenxhinj edhe me te medhenj e me te rafinuar?!…
    Kujdes, se, kur ta vrasesh veten, nuk ke ku lype hak!, thote populli i sprovuar shqiptar.

    DRENICA E KUQE

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *