Kryengritësit talebanë po i përdorin gjithnjë e më shumë pijet energjike. Megjithëse janë prodhuar në “Perëndimin e urryer” për ta, e kanë të qartë se konsumimi i tyre nuk përbën mëkat, derisa këto pije nuk përmbajnë alkool.
Arsyeja që pijet energjitike po përjetojnë një bum të vërtetë në shtetin e luftërave dhe urisë, në Afganistanin islamik, vjen edhe nga fakti se alkooli është një pije e ndaluar dhe nuk mund të përdoret për konsum të përditshëm.
Pijet energjitike kanë qenë plotësisht të panjohura për afganët deri në vitin 2001. Por që nga ajo kohë e deri më sot, këto lloj pijesh kanë pushtuar tregun e këtij vendi të varfër, ku gjithmonë e më shumë po luftohet për zaptimin e tregut.
Nuk janë vetëm studentët dhe sportistët ata të cilët po i konsumojnë sot këto pije. Edhe kryengritësit talebanë po përdorin produktin që vjen nga “Perëndimi i urryer”, që prej kohës kur u bë e qartë se këto pije nuk përmbajnë alkool dhe konsumimi i tyre nuk është mëkat.
Krahas pijes klasike “Red Bull”, në dyqane mund të blesh pije energjike me emrat të ndryshëm si ‘Monster’, ‘Gangsta’, ‘Carabao’, ‘Black Toro’ apo ‘Big Bear’.
“Gjatë dy viteve të fundit numri i firmave të ndryshme është dyfishuar, madje trefishuar. Në veçanti, të preferuara janë pijet të cilat kushtojnë më lirë”, thotë drejtori i Qendrës për Afganistanin në Universitetin e Kabulit, Abdul Vahid Vafa.
Menaxheri i një supermarketi në Kabul thotë se ai shet 30 për qind më shumë pije energjike se sa para një viti. Të huajt zakonisht blejnë “Red Bull”, e cila është edhe më e shtrenjta. Një kanaçe kushton 1.20 euro.
Blerësit vendas preferojnë lloje të kësaj pijeje që mund ta blejnë me gjysmë çmimi. E tillë është për shembull pija “Carabao”. Shitja e pijeve energjike po lulëzon, e si rrjedhim përmirësime janë vënë re edhe në biznesin vendas.
“Kërkesat po shtohen çdo ditë e më shumë”, thotë Gulan Nikbin, një shpërndarës i pijes energjike ‘Big Bear’. Kjo pije hasi në refuzimin e talebanëve, por më pas u pranua në qendrën e tyre në qytetin Kandahar.
“Njerëzit mendonin se ‘Big Bear’ (që do të thotë ‘ariu i madh’) ishte një pije joislamike. Arsyeja e kësaj mendësie me bazë fetare ishte besimi se konsumimi i mishit të ariut është mëkat, po aq sa edhe konsumimi i mishit të derrit apo alkoolit”, rrëfen Nikbin. “Ata mendonin se pija jonë bëhej nga mishi i ariut. Na u desh ca kohë për t’i bindur se pija jonë nuk kishte asnjë lidhje me mishin e ariut dhe se emri “Big Bear” ishte vënë për efekt reklamimi, për të dhënë idenë se pija jonë i bën njerëzit të fuqishëm si arinj”, shtoi ai.
Dyshime mbi ndikime antifetare që mund të sjellin pijet energjike, nuk kanë më as kryengritësit radikalë islamikë, sipas fjalëve të një udhëheqësi talebanësh në provincën e Kunduzit.
Mullah Vali ka baza veprimtarie në pjesët veriore të Afganistanit dhe ndërkohë pijet energjike po konsumohen edhe nga luftëtarët e tij. “Ne pimë shpesh pije energjike sepse përveç faktit se nuk përmbajnë alkool, ato të japin energji dhe shtojnë rezistencën trupore. Prandaj besoj se armiku ynë nuk përfiton, nëse ne i pimë ato. Çdo dyqan në rajon shet pije të tilla. As nga ana e muxhahedinëve nuk ka ndonjë pengesë për shitjen e tyre”, nënvizoi Vali.
