Gjuha shqipe në diasporë

Ornela

Nga Kristina Pulici

Gjuha, është njeri prej faktorëve më të rëndësishëm të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor. Shkrimtarë apo studiues të ndryshëm janë marrë me problematikat që gjuha shqipe has sot në diasporë. “Mbrojtja e gjuhës është detyrë dhe peng nderi për çdo shqiptar” thotë  Prof. Gjovalin Shkurtaj. Vetë poetët tanë më të rëndësishëm gjatë pushtimit otoman kur gjuha shqipe ishte e ndaluar si gjuhë kombëtare shkruanin vargje për të dhe u linin porosi brezave që vinin kultivimin e saj brez pa brezi si trashëgimi dhe vlerë.

Diaspora shqiptare, e në veçanti arsimi shqip jashtë vendit, përballet sot me shumë sfida dhe vështirësi. Pa dyshim se ekzistojnë shumë faktorë që janë të ndërlidhur me këtë gjendje, por problemet më të mëdha janë të lidhura me faktorin njeri. Njëri ndër problemet që ka peshën më të madhe është mungesa e edukimit dhe arsimimit  të prindërve shqiptarë mbi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe si formë e vetme e ruajtjes së identitetit kombëtare jashtë shtetit. Fëmijët me dygjuhësi janë më të kompletuar karshi atyre që njohin vetëm një gjuhë.

Kur është fjala për fëmijët e gjeneratës së tretë në diasporë, duhet pranuar se ka shumë prej tyre që kanë harruar të flasin gjuhen e nënës. Ka për fat të keq edhe nga ata prindër të cilët nuk dëshirojnë që fëmija i tyre të ketë emër shqiptar, por të huaj, duke menduar se do ta ketë më të lehtë integrimin në shoqëri, duke ia humbur kështu identitetin e fëmijës që nga lindja. Prindër të tjerë parapëlqejnë që fëmija e tyre të shkojë në ndonjë aktivitet sportiv, sesa në mësimin plotësues të gjuhës shqipe.

Historikisht emigrantët shqiptarë janë përpjekur që fëmijëve të tyre t’ua mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën shqipe.  Është për t’u theksuar se tashmë për fëmijët e emigrantëve janë hapur shkolla të shumta në vende të ndryshme, ku fëmijët marrin në mënyrë të organizuar mësime plotësuese në gjuhën amtare nga mësues patriotë e pasionantë, të cilët, në të shumtën e rasteve, e japin ndihmën e tyre vullnetarisht. Shembujt janë të shumtë dhe gjendja e këtyre shkollave, mund të themi se përfshin hapësira të reja, ku jetojnë e punojnë shqiptarët emigrantë.

Në përgjithësi për çeljen dhe mbarëvajtjen e këtyre shkollave, kanë dhënë ndihmën e tyre dhe drejtuesit e pushtetarëve lokalë si në qytetet Nju Jork, Bruksel, Hamburg, Berlin, Frankfurt, Oslo, Athinë, Stamboll etj. Është pozitiv fakti se në shumë qytete në Amerikë, aty ku komunitetet shqiptare janë të organizuar, janë ngritur dhe funksionojnë shkolla dhe kurse në gjuhën shqipe. Po kështu në Kanada janë hapur shkolla shqipe. Në Europë ka shembuj pozitivë të funksionimit të këtyre shkollave si në Zvicër, Gjermani, Suedi, Itali etj., ku funksionojnë shkolla të hapura nga vetë shqiptarët, sidomos nga ata të Kosovës dhe të trojeve të tjera ku jetojnë shqiptarë.

Për shqiptarët emigrantë, me gjithë përpjekjet e mundimshme për ruajtjen e gjuhës, shqipja po bëhet sa e largët dhe e huaj për fëmijët e tyre. Është normale që duke jetuar në një shoqëri ku flitet një gjuhë tjetër, kuptohet dhe tendenca e kufizimit dhe shqiptimit të shqipes, por fëmijët duhet të projektojnë të ardhmen e tyre aty ku rriten pa harruar gjuhen e mëmëdheut, ashtu siç e ruajtën për qindra shekuj me radhë arbëreshët e Italisë. Ka vite që  në Shqipëri vazhdon hartimi dhe shpërndarja e një abetareje mbarëkombëtare. Efekti i saj në diasporë e gjetkë po ndihet më së miri, shihet se ka një interesim maksimal për këtë tekst të ri të gjuhës shqipe.

U bënë vite që është krijuar këshilli ndërakademik Kosovë – Shqipëri, për një shqipe standarde. Të dy akademitë, duke pasur parasysh se gjuha shqipe është tipari kryesor i kombësisë shqiptare, mjeti themelor që siguron ndërlidhjen shpirtërore ndërmjet hapësirave e vendeve shqipfolëse, synojnë që zotërimi dhe përvetësimi i shqipes standarde të jetë objekti themelor i brezave të sotëm. Shkollat në bankat e tyre, përfshijnë fëmijë të grup-moshave 5 deri në 15 vjeç.

Rëndësia e mësimit plotësues që shkollat shqipe ofrojnë, konsiston pikërisht në përkrahjen e gjuhës amtare, e cila është shumë e rëndësishme për formimin gjuhësor të fëmijës jo vetëm për të sotmen e tij por edhe për të ardhmen e shoqërisë në tërësi.

Fjalët e para në gjuhën shqipe, fëmijët i mësojnë në gjirin familjar duke u pasuar me vizitat në Atdhe.  Por ajo që ata i plotëson me informacion të saktë dhe të sigurt është programi akademik që ofrohet nga shkollat shqip. Aty,nxënësit  mësojnë tingujt, artikulimin dhe drejtshkrimin e tyre në gjuhën shqipe.

Deri më tani është bërë një punë e mirë në hartimin e plan-programeve dhe botimin e teksteve për mësimin plotësues në diasporë. Gjithashtu, shpërndarja e tyre falas ka ndikuar pozitivisht për shkak se fëmijët po e ndjejnë që dikush po mendon për ta, por edhe në ngritjen e kualitetit të mësimit. Por, këtu ka vend edhe për përmirësime.  Jo shumë shtete janë zemërgjerë me diasporën shqiptare dhe gjuhën shqipe.

Në disa vende të BE-se për mësimin plotësues në gjuhën amtare, mësuesit paguhen e në disa vende ata nuk marrin asgjë. Nga ana tjetër shumë emigrantë nuk kanë mundësitë e duhura për të ndjekur fëmijët e tyre në kurse për mësimin e gjuhës shqipe por tani mundësitë janë bërë edhe më të thjeshta pasi departamenti i gjuhësisë në universitetin e Tiranës ka botuar tekste bazuar në nivelin e gjuhës shqipe, duke nisur nga niveli A1 deri tek C2.

Ky është një tekst manual për mësimin e gjuhës shqipe dhe në kushte shtëpiake. Vetë diaspora shqiptare është një pikë e fortë për zhvillimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe në mbarë vendin kudo ku ka shqiptarë.

Share This Article
6 Comments
  • Vit te mbare shkollor,te kudondodhur;Nxenes mesues!
    (Ne Toronto Te Kanadase mbi 10 shkolla shqip).

    Faleminderit mesuesve te angazhuar,sa shoqata “Shqiptaro kanadeze”perkushtuar. Ashtu si ne qytete te tjera shoqatat,”Kosova”e “Iliria”, sa ne Hamilton e Misisaga.
    Ne Toronto,falenderojme mesuesit e angazhuar si Nikoleta Kostandini,Rakmonda Dema,Pavlina Muca, Evgjeni Xhokobelli, Marjana Dhime, Astrit Xhemali, Merita Allushi me,Drita Plana,Tefta Tahiri,Afrim Nesim Gashi etj. sot e 6 vjet hapur ato,sa pasues te tjere qe duhet pergezuar sa; ju kerkojme orgabeve kopetente ne Atdhe,me shume kujdes per keto shkolla e mesues.
    Autoritete vendase i pergezojme,po japin maksimumin e mundeshem per funksionimin e tyre.
    Falenderojme kryetaret e shoqatave sa veterane te arresimit e kultures,ketu ne emigracion qe ju rrine prane.Me Tyre veteranet:Pr.Kristian Bukuroshi,Vangjush Ziko.Ish kryetaret: Muaharren Xhaferi,Ruki Kondaj, Petraq Peci,Kryetari aktual Ramazan Kellezi me Arta Tafaj, Roland Lelaj,Ilir Cela,Leonard Zoga,sa zonjat Antigoni Papastathi,Teuta Haxhillari, Arta Tafaj e tj.te predispozuar ne vijimesi.
    Urime gjithe nxenesve shqiptare qe me aqe interes po i ndjekin ato.Mire eshte qe, ato tekstet si thuhet ne kete shkrim, t’u dergohen nga Tirana shoqatave,dhe ato ti shperndajne.
    Urime me kete rast gjith Nxenesve dhe studenteve ne emigracinmper fillimin e ketij viti te ri akademik..
    Faleminderit penes suaj znj.a zonjusha Kristina Pulici ,sa na vini ne levizie dhe ne mesuesve pesioniste, prane nxenesve dhe tej oqeanit,me peshen e moshes.
    Urime nxenesve shqiptare,neser 5 shtator ketu nisur viti i Ri shkollor,sa te kudondodhurve.
    .
    Toronto-4-09-2017 Mesuesi,81 vjecar mes jush.
    Dhimiter Xhoga.

  • Urime per kete shkrim kaq te bukur! Cdo fjali ne kete shkrim eshte mese e vertete. Shqiperia ka te rinj shume te talentuar qe nepermjet shkrimeve te tilla. Vene ne levizje gjithe shqiptaret kudo qe ndodhen. Urime zonjushe Kristina!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *