Kombëtarja Shqiptare do të luajë nesër ndeshjen e radhës ndaj Maqedonisë dhe trajneri Panucci do të ketë një skuadër të plotë. Por, kjo bën që ai të ketë edhe disa dilema.
Rikthimi i Armando Sadikut në majën e sulmit bën që Azdren Llullaku të “luftojë” fort për një fanellë titullari me Eros Grezdën për krahun e majtë.
Të dy lojtarët zhvilluan një ndeshje relativisht të mirë me Lihtenshtejnin dhe tani vendimin përfundimtar do ta marrë trajneri Panucci.
Mirëpo, nuk përjashtohet si mundësi që as njëri dhe as tjetri të mos luajë ndaj Maqedonisë. Jahmir Hyka është një tjetër alternativë e vlefshme, por, në krahasim me dy të parët, është më i disavantazhuar. Kjo nuk do të jetë dilema e vetme për trajnerin Panucci, i cili ndoshta mund të freskojë ekipin në mesfushë.
Njëri mes Memushajt dhe Bashës rrezikon të ulet në stol, por me gjasë ky i fundit do të diskutojë një vend me mesfushorin Burim Kukeli.
Të dy lojtarë me eksperiencë, por ndoshta Kukeli më i freskët sepse nuk luajti me Lihtenshtejnin, ndërsa Basha duket i “besuari” i trajnerit italian.
Pjesa tjetër me shumë mundësi do të jetë e njëjtë dhe nuk do të ketë ndryshime nga sfida e së shtunës.
