Paskal Milo: Zgjedhjet në Akademi, një veprim kolektiv i turpshëm

Ornela

Pasi dy ditë më parë ishte shprehur qartë kundër zgjedhjeve të reja në Akademi dhe për një reformim të thellë të saj, pas zgjedhjeve të djeshme, historiani i shquar Paskal Milo, u shpreh kështu në DITA:

“Votimi i sotshëm në asamblenë e Akademisë së Shkencave është një veprim kolektiv i turpshëm, i paprecedentë, që dëshmon se kalbësira për të cilën kishte vite që po flitej, është bërë realitet në këtë institucion shqiptar. Pra në emër të autonomisë që gëzon, Akademia e Shkencave u bë sot akti i fundit i rënies përfundimtare të saj dhe kthimi në një shpk që në fillim është e dështuar.

Ndërhyrja e sotme e Kryeministrit shqiptar, ndonëse e vonuar, është e drejtë. Ajo me siguri që duhet të shoqërohet me veprime të tjera të shpejta, efikase që të nxisin një debat të ri që duhet të çojë në riformatimin e Akademisë së Shkencave në përputhje me statusin që ka dhe me detyrat që duhet të realizojë. Shteti nuk duhet të tolerojë veprime të tilla që janë anarkiste për të gjitha institucionet që qëndrojnë në këmbë dhe paguhen nga taksapaguesit shqiptarë.

Kjo është një revoltë në thonjëza e njerëzve që nuk kanë ç’të humbasin më pasi kanë vegjetuar dhe kanë shpenzuar të mirat publike për vite të tëra dhe kanë menduar se ky institucion dikur i rëndësishëm i shtetit dhe përfaqësues i denjë i komunitetit shkencor shqiptar, do të mbetej një pronë e tyre private.

Mendoj se qeveria duhet t’i kthehet urgjentisht iniciativës së saj të para katër viteve për reformimin e thellë të sistemit shkencor në Shqipëri, përfshi këtu edhe Akademinë e Shkencave si pjesë e tij. Pra, Edi Rama duhet ta mbaje fjalën dhe unë mendoj se një premtim i tillë është plotësisht dhe lehtësisht i realizueshëm”. 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *