(Ndërprerja e fondeve nuk është kërcënim, por një masë radikale e merituar që duhej zbatuar kohë më parë)
Prof. Dr. Pirro Miso*
Kam qenë gjithmonë i bindur se asnjë ndërhyrje, sado e argumentuar e nga cilido, nuk do ta detyronte Akademinë e Shkencave të anulonte zgjedhjet e të kryente, vite përpara, reformën e shumëpërfolur për të eliminuar të gjitha ato zullume që e katandisën këtë akademi në këtë katrahurë. Por, kurrsesi nuk do të besoja se një pjesë e akademikëve me integritet të konformoheshin tërësisht me këtë gjendje skandaloze duke mbështetur me përulësi strukturat aktuale të saj. Miqve të mi akademikë, që morën pjesë dhe votuan pro, u shpreh vetëm keqardhje për gjendjen që janë katandisur.
Veçoj artikujt e shumtë, veçanërisht ato të Profesorëve të nderuar, Prof. Artan Fugës si dhe artikullin e Prof. Xhevat Lloshit. Ndaj me të dy profesorët vetëm çështjen e mosdomosdoshmërisë të trajtimit të ndikimit të individëve, çështje të cilat nuk janë prekur apo përjashtuar si objekte diskutimi. Veç faktorëve që janë trajtuar nga dy profesorët e nderuar, me diferenca të papërfillshme, e shoh të domosdoshme, veç të tjerash, të trajtohen edhe çështje që kanë të bëjnë me ndikimin regresiv që kanë patur mosfunksionimi normal i kësaj akademie, të cilat mendoj personalisht se i atribuohen tërësisht veprimeve regresive, abuzimeve të panumërta si dhe paaftësive profesionale të individëve të caktuar të cilat kanë drejtuar këtë akademi që sot konsiderohet nga të gjithë si një farsë.
Zgjedhjet u bënë me përpikmëri siç edhe u planifikuan. Asgjë nuk i ndali drejtuesit aktualë, të përsërisnin sërish eksperiencat më negative e më qesharake duke i konsideruar zgjedhjet të drejta e të bazuara në ligj. Mikun tim, i zgjedhur si kryetar i Akademisë së Shkencave, për të mirën e tij, nuk e uroj. Përkundrazi e këshilloj të japë menjëherë dorëheqjen së bashku me stafin tjetër të zgjedhur në krye të kësaj akademie.
Qeveria, me të drejtë edhe pse e vonuar, që në minutat e para, nuk i njohu këto zgjedhje. Uroj, sinqerisht që urdhri mos të ketë kthim prapa. Veprimin e Kryeministrit personalisht nuk e gjykoj si kërcënim, ashtu siç po trajtohet në media nga disa gazetarë. Nga mënyra se si shkruajnë, mjaft prej tyre nuk janë të azhornuar aq sa duhet me skandalet dhe me mosarritjet e kësaj akademie. Heqjen e fondeve nga Kryeministri, e konsiderojnë vetëm si një akt jo të drejtë. Gjykoj se veprimi i Kryeministrit është vërtetë radikal, por tërësisht i domosdoshëm në kushtet që vetë kjo akademi, prej kohësh me bëmat e saj, i ka krijuar strukturave të saj.
Në takimet që kam patur me akademikë, pas reformimit në vitin 2007, kam shtruar mjaft probleme, veçanërisht atë të përfaqësimeve të domosdoshme të fushave studimore albanologjike të trashëgimisë kulturore identitare, të lëna jashtë, të pavlerësuara apo të harruara jashtë strukturave të saj. Disiplinat e etnomuzikologjisë dhe etnoorganologjisë të konsideruara si akademike të pavarura që në shek. XVIII-të, në botimet akademike shqiptare kanë zënë një vend të rëndësishëm në fondin e botimeve integrale të Akademisë së Shkencave Shqiptare. Të recensionuara nga autorët më të njohur të rruzullit tokësor, të përkthyera dhe të botuara edhe në gjuhë të huaj, nga institucionet më të njohura shkencore, u integruan edhe si lëndë mësimore edhe në Universitetet e njohura, siç është ai i Universitetit të Bolonjës. E gjithë kjo paraqitje, për të ardhur keq, u shoqërua me një indiferencë aspak dinjitoze nga akademikët e kryesisë. Asnjë reagim nga kryesorët e kësaj akademie për çka u trajtua në këto demonstrime. Kam denoncuar, përmes mjaft artikujve me një sens mjaft kritik, madje edhe me emra të personave të veçantë përgjegjës, sistemin kërkimor shkencor, strukturat e “reformuara”, para e pas vitit 2007. Veçanërisht, gjatë këtij viti, iu drejtova edhe Kryetarit të Akademisë së Shkencave për sjelljet e pa përgjegjshme si dhe për marrëdhëniet konformiste të një niveli që vërtetë është për të ardhur keq, jo vetëm për një studiues, por veçanërisht për një kryetar që drejton një Akademi Shkencash. Çështjet që preka (artikulli i 12 janarit 2017, në Panorama), kishin të bënin edhe me kritikat për mënyrën se si kjo akademi u reformua e veçanërisht se si “ akademikët” u zgjodhën. U trajtuan çështje të tilla si: Zgjedhjet preferenciale mes rekomandimeve klanore dhe politike e jo sipas vlerësimeve shkencore; Rreth mospërfaqësimit të fushave prioritare albanologjike; Pranimit të elementëve të bërë profesorë në kundërshtim me VKM si dhe me vetë statusin e akademisë; Rreth elementëve abuzues në botimet skandaloze të akademisë, më të pa aprovuarat nga redaksitë shkencore rigoroze të dikurshme, siç është rasti më tipik i botimeve “akademike” të sekretarit aktual të kësaj akademie; Elementë që ringrihen në poste drejtuese, më të lartat e kësaj akademie pa kontribute shkencore; Shumë akademikë të zgjedhur në fusha të panevojshme, siç është rasti i kandidatëve të shumtë e të tej egzagjeruar të letërsisë artistike, një praktikë e pa dëgjuar në akademitë e përparuara, etj., etj., formuan atë akademi të ndërtuar jo mbi baza aspak shkencore por një akademi që, zgjedhjet e vitit 2007, i trajtuan realisht si një garë sportive ku secili kandidat, e ritheksoj, vetëm ata me përkrahje që kishin akses, duhet të vraponin me synimin për të arritur apo përfituar, veç të tjerash, ato të ardhura monetare permanente, të konsiderueshme për një studiues shqiptar, që siguronte vendi i akademikut. Kështu që, shumë shpejt u krijuan grupet klanore me interesa meskine të cilat, mesa u pa edhe në zgjedhjet e fundit, u përfshinë apo u infektuan edhe ata akademikë të pakët por me integritet të cilët për çudi, morën pjesë në këtë votim farsë e të turpshëm duke cenuar personalitetin e tyre. Përse vallë? Për të mos rrezikuar statusin e tyre monetar permanent?
Kështu që, që në momentet e para të reformimit të saj, strukturat akademike u zbehën nga këta elementë. Degjeneruan shumë shpejt edhe funksionet për të cilat kjo akademi u reformua e mbi të gjitha, duke formuar në ndërgjegjen e tyre një besim emocional, e “përfituan” sigurinë e punonjësve të një institucioni të pavarur ku, jo në pak raste, u përpoqën me arrogancë të bënin si të donin, të krijonin zullume të turpshme në botimet akademike për të përfituar ato të ardhura monetare që siguronte “botimi akademik”, veçanërisht me fondet e pakta publike të akorduara nga taksapaguesit shqiptarë. Mendimi i tyre si punonjës të një institucioni të pavarur, i bëri ata të qëndronin të palëkundur në pozicione statike duke mos reflektuar aspak nga vërejtjet që i bëheshin periodikisht kësaj akademie nga autoritetet më me integritet të vendit por, pse jo edhe nga një masë e gjerë lexuesish të thjeshtë, në mënyrë të përsëritur e të tejzgjatur në më shumë se një dekadë. Por edhe më tej. Edhe vërejtjet e Kryeministrit në mandatin e kaluar nuk i përfillën. Me gjithë sinjalet e forta të Kryeministrit, me kohën e plotë në dispozicion, “akademikët” përsëri nuk denjuan të reformoheshin. Këto sjellje kokëforte të drejtuesve të akademisë, natyrisht e rrënuan më tej punën shkencore e cila u reflektua me raportime të gënjeshtra si dhe me raportime të atyre botimeve nga më skandalozet të cilat edhe pse u kritikuan me një ashpërsi ekstreme, me recensione nga të argumentuarat, të pasuara nga të tjera demaskime po të këtij niveli, u shoqëruan pa as edhe një reagim, të autorit të botimeve qoftë edhe të drejtuesve të kësaj akademie. Ata që krijuan këto skandale, përkundrazi, përfituan e u ringritën më tej si shpërblim nga kryesia e akademisë edhe në poste drejtuese, e përsërisim, siç është p.sh. rasti i akademikut që krijoi këto skandale e mjaft zullume të tjera, i emëruar në postin e sekretarit aktual shkencor të kësaj akademie.
Akademia e Shkencave duhet të riorganizohet vetëm pas shuarjes tërësisht të strukturave aktuale. E fuqizoj mendimin se dera e Akademisë së Shkencave duhet të mbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur. Duhen ndërprerë financimet në mënyrë që mos të vazhdojë hemorragjia e abuzimeve me fondet siç edhe u vërtetua nga kontrollet e fundit të shtetit. Akademikët sillen me buxhetin sikur mjetet financiare të jenë pronë e të ardhurave nga çifligjet e tyre. Lexoni artikujt kritikë nga autorët më në zë të fushave të trashëgimisë, por edhe mjaft artikuj në median e përditshme, e do të bindeni se zullumet financiare nuk janë vetëm ato që para disa muajsh zbuloi kontrolli i shtetit, por nivelet skandaloze të përsëritura të disa prej akademikëve të njohur të cilët as edhe njëherë të vetme, në postet e larta administrative, nuk kanë hequr dorë nga abuzimet me fondet e taksapaguesve e përsëri, me bindje, deklaroj se, lejimi i pranisë së tyre në strukturat aktuale, me premtimin se gjoja do ristrukturohen, gjykoj se, ata, as edhe njëherë nuk do heqin dorë nga abuzimet në qoftë se shteti do t’u japë të drejtën ende të vegjetojnë në këto poste, por edhe se nuk janë të aftë të kuptojnë se ç’do të thotë reformim i një institucioni të lartë albanologik, siç është Akademia e Shkencave Shqiptare…
Akademia të hapë dyert vetëm mbas reformimit rrënjësor të saj, me akademikë që kanë dhënë rezultate, vetëm ato të certifikuara e të vlerësuara nga opinioni shkencor si vendor ashtu dhe i huaj e jo nga cilido, siç u veprua në Akademinë e Shkencave. Pa pjesëmarrjen e specialistëve të fushave albanologjike, veçanërisht me ata studiues që kanë kontribuar me studimet e tyre në fushat studimore albanologjike, kurrsesi nuk mund të ketë një akademi të suksesshme, të zbatojë platforma reformuese shkencore e administrative, që të përmbushë detyrat më themelore funksionale të këtij institucioni kombëtar. Eksperiencat më negative do ripërsëriten në qoftë se qeveria do lejojë administrimin e komisioneve të reformimit me akademikët që janë mësuar të vegjetojnë në strukturat aktuale, të kritikuar ashpër, në kohë të zgjatur, të përsëritur e të ripërsëritur. Qeveria aktuale duhet të përcaktojë një strategji të mirëmenduar në qoftë se dëshiron vërtetë një akademi të suksesshme, produktive e të mirëpërcaktuar duke u fokusuar, kryesisht në fushat studimore albanologjike. Degët e tjera si:fizika, matematika, bujqësia, mjedisi, letërsia artistike dhe artet, etj., etj., të rishikohen më vonë për inkuadrimin e tyre në struktura të posaçme që edhe ato degë të kenë zhvillimet e tyre në mjedisin shqiptarë pa u përzierë me ato të mirëfillta albanologjike.
Vetëm me kontributin dhe ndihmën e profesorëve më të suksesshëm të fushave studimore albanologjike të cilët konsiderohen edhe personalitetet më të njohur e të provuar me botimet e tyre në fushat përkatëse, mund të formohej një akademi e ristrukturuar, rentabël, mbi baza shkencore që t’i shërbente sa më mirë problemeve identitare të kombit shqiptar.
*Etnomuzikolog & Etnoorganolog
