Milan bën xhiron e botës në 43 ditë, 108 ndeshje në gjashtë javë

Gazeta Dita

Xhiroja e botës nuk bëhet më në 80 ditë, por në 43. Kaq i kanë mjaftuar lojtarëve të Milan. Në këto gjashtë javë kuqezinjtë kanë luajtur 108 ndeshje, të ndara mes impenjimeve në kampionat, Europa League dhe kombëtaret. Askush në Itali nuk ka luajtur kaq shumë minuta dhe askush nuk ka kaq shumë lojtarë që përfaqësojnë vendin e tyre.

Milan ka siguruar një vend në fazën me grupe të Europa League falë sfidës së dyfishtë në fazën “play off”, duke zbritur për herë të parë në fushë më 27 korrik, më pas ka filluar kampionatin me transfertën më të largët të Serie A, në Krotone, dhe, në fund, i ka dhënë 16 lojtarë kombëtareve të ndryshme, 13 në Europë, 3 në Amerikën e Jugut dhe Kessie në Afrikë.

Kuqezinjtë, kur jemi vetëm në fillimin e shtatorit, kanë luajtur dyfishin e ndeshjeve të pjesës më të madhe të kolegëve të Serie A: Conti, Rodriguez, Zapata dhe Calhanoglu kanë luajtur nga gjashtë ndeshje. Dy më shumë për Kessie dhe Silva (por me më pak minuta), 5 për Donarumma, Bonucci, Locatelli, Borini dhe Suso.

Numri i ndeshjeve do të rritet ndjeshëm në ditët në vazhdim. Pas kombëtareve, Milan do të luajë shtatë ndeshje në tri javë, një çdo tri ditë mes kampionatit dhe Europa League. Turi i forcës do të fillojë nga Roma, do të vazhdojë në Vjenë, do të ketë një ndalesë të dyfishtë në “San Siro”, do të shkojë në Xhenova (kundër Sampdoria-s) para një tjetër ndalese të dyfishtë në Milano.

Pjesa më e madhe e skuadrave janë mësuar me ritme të tilla, por Milan ka disa lojtarë të rinj që duhet të përshtaten, nga Gigio te Conti deri te Kessie, Romagnoli dhe Cutrone, dhe disa “të vjetër” si: Bonaventura, Borini dhe Suso. Trajneri bën pjesë në grupin e atyre që janë mësuar me një kalendar të tillë.

Ai ka marrë pjesë në dy edicione të Europa League me Fiorentina-n, me rezultate shumë të mira. Në fakt, Fiorentina ka dalë gjithmonë mes katër të parave në kampionat dhe ka luajtur në 1/8-at e Europa League dhe në një gjysmëfinale të këtij kompeticioni. Kjo tregon se Montella është në gjendje të menaxhojë një sezon me një kalendar të ngjeshur.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *