Për Akademinë që na duhet

Ornela

 Dr. Nelson R. Çabej

…Vijon nga numri i kaluar

Debati i nisur në Dita për krizën e Akademisë së Shkencave dhe të kërkimit shkencor në vëndin tonë është një nismë e domosdoshme, sado e vonuar, për demokratizimin e vendimmarrjes, për nxjerrjen nga kriza dhe ngritjen e Akademisë edhe një herë në lartësinë e detyrës së saj si drejtuese, bashkërenduese dhe nxitëse e kërkimit dhe përparimit shkencor e teknologjik të Shqipërisë.

Do të ishte mirë që në këtë debat të shmangen qëndrimet dhe retorika e skajore si ajo për ta mbyllur e çbërë akademinë, sikur do të krijojmë diçka të panjohur, diçka të re e nga e para, gjëra që, para së gjithash të kujtojnë përvojën e hidhur që kemi me “riorganizimet” e derisotme, që e kanë sjellë akademinë në këtë ditë. Tani flasin për një strukturë të re të akademisë edhe ata që morën pjesë në mënyra të ndryshme në degradimin e dhimbshëm të një akademije, që e krijuan figura madhore të shkencës shqiptare, që sot as nuk i imitojmë dot, pa le t’i zëvëndësojmë. Dhe flasin sikur do të bëjnë një zbulim a do të rishpikin rrotën, edhe pse ne kemi pasur qysh gjysëm shekulli më parë një akademi me një strukturë të harmonizuar si jo më mirë me stadin e zhvillimit dhe mundësitë financiare të vëndit dhe, mbi të gjitha, kishte kaluar me sukses provën e kohës për më shumë se 20 vjet. Ky skajëzim proletkultist, ndër të tjera, është simptom i papjekurisë të mendimit tonë shkencor.

Në historinë gjysëm-shekullore të Akademisë ka dy etapa të ndara sa s’bëhet më qartë. Ato dallohen shkoqur si nga struktura dhe nga rezultatet. Edhe pse e re dhe pa përvojë të mëparshme, në periudhën e parë Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me strukturën e saj klasike tre-seksionshe, funksionoi normalisht dhe kontribuoi jo keq në problemet shkencore, kulturore dhe ekonomike që i shtronte koha, veçanërisht në fushën e kërkimeve albanologjike. E keqja, degradimi i Akademisë dhe i kërkimit shkencor shqiptar ndodhi në periudhën e dytë, në këta 20 vjetët e fundit, në një kohë kur, me rënien e komunizmit, të gjithë prisnim një përparim më të madh. Ky fakt flet me zë të lartë, dhe pa dykuptimësi, në favor të strukturës së mëparshme klasike të Akademisë dhe vë gishtin tregues mbi “riorganizimet” si shkaktare të gjendjes së sotme të pakënaqshme të saj dhe të kërkimit shkencor në Shqipëri. Ky fakt vlen edhe si një rekomandim se Akademia duhet të kthehet në strukturën normale të periudhës së parë të ekzistencës së saj (pa përjashtuar ndryshime që mund t’i kërkojë koha), duke rithemeluar dhe rivënë në punë institutet e kërkimit të aplikuar në fushën e bujqësisë, gjeologjisë e mjekësisë.

 

Për akademitë që nuk na duhen

Nga pozita skajore, herë hapët e herë në mënyrë të ndrojtur, është hedhur ideja e krijimit të një “akademije honorifike” me të cilën është kuptuar krijimi i një strukture dekorative, një forumi shtetëror pa detyra drejtimi, bashkërendimi dhe stimulimi të kërkimit shkencor, funksioni kryesor i së cilës do të ishte nderimi i figurave të shquara të shkencës kombëtare, një lloj panteoni i shkencëtarëve të gjallë. Proponentët e asaj strukture nuk kanë mundur ta nxjerrin atë nga guaska e një koncepti fluid, tepër të papërcaktuar. Ata nuk na thonë fare, edhe në qoftë se e dinë, se kush do ta organizojë, sponsorizojë dhe nxisë kërkimin shkencor në Shqipëri në procesin e të cilit do të dalin këto figura “panteonike” të shkencës shqiptare.

Një ide tjetër ka qënë ajo e krijimit të një akademije të pjesëshme të një “Akademije Albanologjike”, që do të mbulonte vetëm shkencat shoqërore, në mënyrë të veçantë ato albanologjike, me arsyetimin se ne nuk kemi kërkim të denjë jashtë fushës së shkencave shoqërore. Ky perceptim i pasaktë, në mos nihilist, rrjedh kryesisht nga mos njohja e realitetit kërkimor në fushën e shkencave të natyrës. Por, siç thoshte Spinoza, mosnjohja nuk është argument (ignorantia non est argumentum). Edhe sikur të ishte e vërtetë, vetë prapambetja do të përbënte një argument në favor të përfshirjes së kërkimeve në fushat e shkencave të natyrës dhe inxhinierike në Akademinë e Shkencave. Është me të vërtetë e pabesueshme dhe trishtuese të dëgjosh të rekomandohet që, në shekullin XXI, Shqipëria të mos ketë një akademi gjithësore të shkencave, një strukturë qëndrore dhe tërësore të drejtimit, bashkërendimit dhe nxitjes së kërkimit shkencor, akademi që ky vënd e kishte qysh gjysëm shekulli më parë, dhe që e ka thuajse çdo vend i Europës dhe i Ballkanit, përfshirë Malin e Zi me vetëm gjysëm million banorë dhe me një traditë shkencore tepër modeste.

Një variant tjetër i propozuar në këtë debat është varianti tipik jugosllav i akademive të shkencave dhe arteve, që trashëguan republikat që dolën nga shpërbërja e Republika Federative të Jugosllavisë. Edhe propozuesit e këtij variant nuk kanë shpjeguar kontributet që mund të jepte futja e arteve dhe letërisisë në një strukturë shtetërore të destinuar për zhvillimin e përparimin e kërkimit shkencor, teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Për të mbështetur atë ide është përmëndur fakti që edhe në Shtetet e Bashkuara ka një Akademi te Arteve dhe të Shkencave. Por edhe ky është argument i pafat, së pari sepse SHBA kanë një strukturë organizative krejt të ndryshme, unike dhe shumë komplekse, të përcaktuar nga kushte specifike dhe interesa globale të shtetit dhe ekonomisë më të madhe të botës. Por, le të mos ketë ndonjë iluzion: korpusi qëndror dhe struktura pa krahasim më e lartë akademike amerikane është Akademia Kombëtare e Shkencave. Roli i saj unik “për t’i dhenë këshilla të pavarura, objektive, kombit për çështjet e lidhura me shkencën dhe teknologjinë” (“for providing independent, objective advice to the nation on matters related to science and technology”) dhe nxitur kërkimin shkencor dhe arsimin në SHBA është sanksionuar me ligj e me një sërë urdhrash ekzekutive. Ajo boton revistën e përjavshme (dhe të përditshmen online) më voluminoze të botës kushtuar shkencave të natyrës, mjekësore dhe shoqërore, Proceedings of the National Academy of Sciences USA, me impakt faktorin 9.423. Anëtarët e asaj, ndër të cilët 500 nobelistë, janë kërkues aktive në frontin më të përparuar të kërkimit në fushat e shkencave të natyrës, inxhinierike, mjekësore dhe shoqërore.

Politizimi partiak i Akademisë – shkaku themelor i degradimit të saj

Shkenca është një dukuri jashtëpartiake e mbipartiake. Mentaliteti opportunist partiak dhe mentaliteti shkencor janë thuajse antitetikë. Sa të drejtë kishte Medaëar-i kur thoshte se “shkenca është art i së zgjidhshmes kurse politika – art i së mundshmes”. Ndërsa shkenca kombëtare në çdo vënd të botës e në në çdo rast është në shërbim të vëndit, politika dhe interesat partiake jo rrallë bien ndesh me (ose dalin mbi) interesat e vendit.

Pa hyrë hollësisht në shkaqet e degradimit të Akademisë së Shkencave, le të kujtojmë edhe një herë se me strukturën e saj origjinale ajo funksionoi relativisht mirë, madje me sukses të paparë në fushën e albanologjisë. Tatëpjeta e saj filloi vetëm kur politikanë pa asnjë përvojë kërkimore, me vrrullin e Zeitgast-it politizues fluturak të viteve 90-të, imponuan ndryshime të pamenduara në organizimin dhe strukturën e saj. Ata politizuan tempullin më apolitik që duhet të ekzistojë në sistemin e institucioneve shtetërore, duke vënë në drejtimin e akademisë militantë partiakë ose nga rrethi i të besuarve të tyre politikë, që e shpunë akademinë në mjerimin e sotëm intelektual. Shanset që ndërhyrja e politikanëve me mentalitete partiake të sjellë ndonjë përmirësim në strukturën e Akademisë janë aq të vogla sa dhe shanset që ndërhyrja e një analfabeti të sjellë përmirësim në një rrjet neural artificial. Ajo ndërhyrje, pa dashur, të sjell ndër mënd thënien e Konicës se Shqipërinë e krijuan idealistët, e ruajtën rethanat dhe do ta shkatërrojnë politikanët.

Politizimi partiak i Akademisë, me ndrimin e përparësive të kërkimet në përputhje me alternativat partiake të pushtetit dhe problemet politike të ditës, pa folur për nepotizimin e pashmangshëm që solli ai, dëmtoi vazhdimësinë e studimeve, që është kusht thelbësor për kërkimin shkencor në nivel personal e kombëtar. Për këtë mjafton të përmëndim vetëm pështjellimin që ka sjellë ky politizim në vlerësimin e ngjarjeve historike dhe të figurave të historisë e kulturës sonë kombëtare.

Kemi mbi dy dekada që dëgjojmë të njëjtën retorikë pseudoshkencore dhe frazeologjinë e zbrazët për riorganizmin, bërjen e çbërjen e Akademisë, nga polit-akademikët, nga të njëjtët njerëz që morën pjesë drejtpërdrejt, ose tërthorazi, me veprimin por edhe mosveprimin e tyre në kohën e duhur, në degradimin dhe shpërbërjen e saj. Me ato që bënë ata treguan jo vetëm inkompetencë të plotë e mungesë vizioni, por madje mungesë të habitshme vlerësimi për dijen, kulturën dhe shkencën.

 

Kohë për të ndrequr, jo për të prishur

Rrjedhja në kohë e ngjarjeve tregon se tatëpjeta e Akademisë lidhet jo me strukturën e saj fillestare, por bashkëndodhi me “riorganizimet” politizuese të asaj strukture. Ky është fakti thelbësor dhe më i rëndësishëm që duhet të mbajtur mirë parasysh kur flitet ose mendohet për ta shpëtuar sot Akademinë.

E keqja tanimë ka ndodhur dhe nuk është koha as për të vajtuar e mallkuar as për të kaluar në qëndrime skajore. Akademia ka një çerekshekulli që ndodhet në krizë dhe sot nuk ndodhi ndonjë gjë e jashtëzakonshme, që të kërkohet mbyllja e saj. Kërkohet nxjerrja e saj nga kriza e gjatë, por kjo nuk duhet bërë me veprime joakademike që nuk na nderojnë ne si popull e si komb. Sepse Akademia e Shkencave është një nga tempujt e mëdhenj kulturorë të Shqipërisë e jo një zyrë a qendër e rëndomtë administrative. Sepse nuk mund “të mbyllet” kërkimi shkencor, që është ende i gjallë në punën e përditshme të kërkuesve shqiptarëve në të gjitha fushat e dijes, edhe pse roli Akdemisë si drejtuese dhe bashkërenduese e tij sot është rudimentar.

Momenti kritik që po kalon prej kohësh Akademia kërkon një kthesë të fortë duke filluar me depolitizimin e saj urgjent e radikal për ta pastruar nga fryma e politizimit partiak, nga oportunistët partiakë të veshur me petkun e shkencëtarit dhe me masa të tjera të përshtatshme për ta kthyer edhe një herë në drejtimin e dobishëm për kërkimin shkencor për ekonominë dhe kulturën e Shqipërisë.

Akademia dergjet e sëmurë rëndë prej një çerek-shekulli. Tani ajo nuk duhet vrarë por mjekuar. Nuk duhet luftuar Akademia, por sëmundja që e ka zënë, duhen zhdukur pasojat që ajo ka lënë në strukturën dhe funksionin e saj. Në terminologjinë e biznesit, tani kërkohet eliminimi i dëmit që është bërë (damage management). Dhe jo me shkrime në gazeta e intervista në media, por me krijimin nga qeveria të një task force jashtëakademike, të përbërë nga njohës e studiues nga shkencat e natyrës, inxhinierike dhe shoqërore, por të papërlyer në veprimtaritë “riorganizuese” të derisotme (në qoftë se nuk duam të futemi në një rreth vicioz që do të na shpinte në një ristrukturim tjetër pas disa vitesh) që do të analizonte krizën e Akademisë, do të nxirrte shkaqet dhe përgjegjësitë dhe t’i rekomandonin qeverisë masa të argumentuara për

  1. Nxjerrjen e Akademisë nga kriza aktuale dhe
  2. Një studim mbi formën më të përshtatshme të organizimit dhe strukturës së ardhme të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

 

Shqipërisë i duhet një akademi shkencash që të përveshë mëngët për të marrë pjesë e prirë në procesin e zhvillimit ekonomik e kulturor të Shqipërisë, jo një dekor e dafina për pseudoshkenctarët e politizuar.

Mbi nivelet dhe përparësitë e kërkimit shkencor shqiptar

Sistemi kërkimor i çdo vendi funksionon si një i tërë, përbërësit e tij janë të ndërlidhur e në ndërveprim të shumanshëm dhe nuk mund të shikohen kurrsesi të shkëputur. Ai funksionon si një i tërë jo vetëm horizontalisht (shkenca natyrore, inxhinierike, shoqërore), por edhe vertikalisht (kërkim operativ, kërkim i aplikuar dhe kërkim fundamental).

Kjo do të thotë që Akademia në parim duhet të ketë tre seksione të mëdhenj, të shkencave të natyrës, shkencave inxhinierike dhe të shkencave shoqërore, me këtë të fundit të mbizotëruar nga kërkimet albanologjike. Seksioni i shkencave të natyrës, duke i dhënë përparësi kërkimit të aplikuar do të përfshinte studimet për florën dhe faunën tokësore e detare të Shqipërise, kërkimet bujqësore për rajonizimin e kulturave bujqësore dhe blegtorisë, agrokiminë, kërkimet në fushën e hibrideve të bimëve e shpendëve, studimin e burimeve të mineraleve metalike dhe karburantëve fosile (naftë e qymyr), duke gjallëruar edhe veprimtarinë në fushën e fizikës bërthamore dhe biologjisë eksperimentale.

Nga pikëpamja e niveleve të kërkimit, në fushën e shkencave të natyrës dhe inxhinierisë, përparësinë duhet ta ketë sigurisht kërkimi i aplikuar në fushat e bujqësisë/blegtorisë, mjekësisë, minierave, mineralogjisë, naftës. Mundësitë shumë të kufizuara financiare të Shqipërisë detyrojnë që kërkimi fundamental në këtë fazë të zhvillimit ekonomiko-shoqëror të Shqipërisë të mbahet në një nivel rudimentar, por të domosdoshëm, si një dritare e kërkimit kombëtar në drejtim të zhvillimeve të reja në fushën e shkencave të natyrës, hallkë ndërlidhëse dhe kanal për rrjedhjen dhe transferimin e përparimit shkencor botëror në Shqipëri. Ky kërkim “fundamental” nënkupton, së pari dhe kryesisht, mbajtjen e hapit të kërkimit shqiptar me përparimet në zhvillimin e metododave moderne të kërkimit, para se ato të fillojnë përdoren në kërkimin e aplikuar në kërkimin tonë bujqësor e industrial. Dhe, së dyti, ky kërkim do të krijonte një tabllo sa më të saktë të burimeve natyrore të vendit, aksesibilitetin e tyre dhe mundësitë e shfrytëzimit, si kusht i planifikimit të zhvillimit të ardhshëm industrial e bujqësor të vendit. Por kjo domosdoshmëri kërkon edhe përcaktimin e fushës së përparësisë së kërkimit “fundamental” shqiptar, e në këtë rast mëndja të shkon te fusha e bioteknologjisë, duke marrë parasysh investimet relativisht modeste që kërkon kjo fushë e madhe e kërkimit, në krahasim me të tjerat.

Një vend të veçantë, në lidhjet ndërkombëtare do të zinte bashkëpunimi me Akademitë e Shkencave të vëndeve fqinjë të Ballkanit e të Italisë, por në mënyrë të veçantë me Akademinë e Shkencave të Kosovës për të filluar një lloj integrimi të domosdoshëm kërkimor si përgatitje për krijimin e mundshëm të një Akademije të përbashkët në të ardhmen.

 

Dy fjalë për akademikët

Shkencëtari i vërtetë është idealist dhe dinjiteti prej shkencëtari e bën detyrimisht edhe atdhetar. Ndërkohë që nuk qëndron indiferent ndaj zhvillimeve politike në vënd dhe mund të marrë edhe pjesë aktive në to, këtë ai e bën nga pozita mbipartiake, nga pozita atdhetarije. Ai as mund të jetë as mund të bëhet militant partish. Vitet e diktaturës dhe të “tranzicionit të pafund” ndanë grurin nga egjra edhe në botën e akademisë. Nga një anë pamë figurat e shquara të shkencës sonë kombetare, Eqrem Çabeun, Mahir Domin, Shaban Demirajn, etj. që në veprimtarinë e tyre kërkimore mbetën të papolitizuar nga ideologjia e PPSH-së, edhe në kushtet e represionit ideologjik partiak, e nga ana tjetër – pseudoshkencëtarët e “demokracisë”, që sapo iu dha rasti iu turën me nxitim politikës partiake me zotimin e pambajtur që do t’i ktheheshin prapë shkencës, pas vendosjes së sistemit demokratik në Shqipëri. Braktisja e shkencës për të shijuar fitimet materiale që sjell politika zbuloi hipokrizinë dhe mungesën e fisnikërisë prej shkencëtari të vërtetë. Në qoftë se më lejohet, do të përmënd edhe një herë patriarkun e gjuhësisë dhe albanologjisë, që refuzoi me ngulm postin e ministrit të arsimit nga pasioni për kërkimin shkencor. Sa intelektualë të privilegjuar për të punuar në institute kërkimore e universitete dhe milituan në parti pas pluralizmit, kanë refuzuar postet partiake ose qeveritare?

Të jemi të sinqertë, shkencëtari i vërtetë e ka kohën shumë të çmuar dhe e paktë (ars longa vita brevis) për tu bërë edhe militant partije.

Share This Article
6 Comments
  • Plotesisht dakort me mendimin tuaj. Akademia duhet ndrequr dhe jo shkaterruar.
    Sic bashkohem me mendimin e Moikomit qe prishja e Akademise eshte veper thellesisht antikombetare

  • Per shkak te politizimit qe i beri zoti Berisha, kjo akademi eshte kthyer ne nje mafie “akademike” qe u ka mbyllur rrugen te rinjve dhe ka demtuar kulturen kombetare.
    Ajo nuk arriti asnjehere te sqaroje, orientoje dhe drejtoje opinionin akademik dhe nenakademik popullor per problemet e mprehta qe kane dale ne shtypin e ne median shqiptare ne pergjithesi, sic jane ato te prejardhjes se popullit shqiptar, te prejardhjes se gjuhes shqipe, te luftes se shqiptareve ne shekullin 15, te karakterit te levizjes se Rilindjes sone kombetare, duke lejuar konfuzionin e sotem lidhur me keto probleme, konfuzion qe eshte fryre edhe nga botimet ne shtypin tone te shkrimeve te inkompetenteve mediatike, te frymezuar nga propaganda antishqiptare.
    Kujt i duhet kjo Akademi neqoftese nuk do te reformohet renjesisht?
    Kushdo qe ka ndjekur keto probleme e di se edhe ato pune te mira qe jane bere gjate kesaj kohe jane shkruar nga njerez qe gjenden jashte Akademise. Akademia duhet pastruar mire nga pseudoshkencetaret qe kane gjetur strehe te ngrohte ne te keto 25 vjetet e fundit.
    Dihet qe kjo do te jete nje detyre e veshtire per tu kryer per shkak te nderthurrjes se rrenjeve te padukshme te saj me politiken e mepareshme,
    Por eshte atdhetare qe kjo detyre te kryhet me sukses.

  • Vetem me ardhjen ne fuqi te Edi Rames mund te shpresojme se kjo akademi do te ringjallet, pas letargjise se gjate qe solli pseudodemokracia dhe vanddalizmi vicidolas.

  • Shume interesant.
    Ne lame modelin dhe strukturen e suksesshme te akademise dinjitoze qe kishim, per te krijuar nje konglomerat amorf, nje cerdhe me militante partish, Kjo eshte nje bote e cudirave vicidolase.
    Rrallekund tjeter ne bote mund te ndodhin keto paradokse.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *