Një 20-vjeçar është arratisur nga dhoma e shoqërimit në komisariatin e Pukës.
Ermirjon Nikja ka mundur t’u ikë forcave të policisë në momentin kur po transportohej për në dhomën e paraburgimit në Shkodër.
20-vjeçari ishte arrestuar nga policia me akuzën e grabitjes me dhunë. Për kapjen e tij menjëherë janë nisur në drejtim të Pukës , 6 grupe të FNSH, si dhe forca të shumta nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër.
Janë ngritur pika të shumta kontrolli dhe është njoftuar Drejtoria Vendore e Policisë Kukës e Lezhë, si dhe Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër e Kukës.
Në lidhje me këtë ngjarje , menjëherë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako ka urdhëruar Drejtorinë e Standarteve Profesionale në Policinë e Shtetit për të nisur hetimin disiplinor dhe për të marrë masa drastike ndaj gjithë personave përgjegjës për këtë ngjarje , në Komisariatin e Policisë Pukë.
Ndërko, po në lidhje me këtë ngjarje, Drejtori i SH. Ç. B. A, në Ministrinë e Punëve të Brendshme Eduart Merkaj ka nisur një grup kontrolli për të filluar hetimin penal ndaj personave përgjegjës .
Nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike janë nisur specialistët e Rendit për të analizuar shkaqet e rrethanat e kësaj ngjarje.
