Pranvera Kola – DITA
Hyrja në garë për studimet e nivelit të dytë në programet e drejtësisë kushtëzohet nga mesatarja studimeve të ciklit të parë “Bachelor”.
Krahas kuotave të pranimit, autoritetet e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, kanë përcaktuar edhe kushtet e aplikimit për studimet e nivelit të dytë në programet “Master profesional” dhe “Master shkencor”, për garën e pranimeve të vitit të ri akademik 2017-2018, ku një ndër më thelbësoret është mesatarja minimale e kërkuar për të qenë pjesë e garës.
Në këto kushte, studentët që kanë kryer ciklin e parë të studimeve “Bachelor”, do mund të aplikojnë për të fituar një të drejtë studimi nëse kanë mesatare mbi notën 6 në rastet kur garojnë për kuotat e “Masterit profesional”, ndërsa për kuotat e “Masterit shkencor”, mesatarja minimale e kërkuar për në konkurrim është nota 7.
Një tjetër kriter pranimi që duhet të përmbushin kandidatët që do të konkurojnë për studimet master në këtë fakultet, është edhe niveli i njohjes së gjuhës së huaj. Sa i takon këtij kriteri, autoritetet e këtij fakulteti sqarojnë më tej se niveli minimal i njohjes së një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht), duhet të jetë i nivelit B1, e dëshmuar kjo nëpërmjet certifikatave përkatëse të lëshuara nga institucionet e licencuara nga MAS.
Për pranimet e vitit të ri akademik në këtë fakultet do të mund të fitojnë të drejtën për të vijuar studimet master 755 kandidatë, 490 prej të cilëve do vijojnë studimet në nivelin shkencor, ndërsa 265 të tjerë në nivelin profesional.
Çka do të thotë se gara do të jetë më e fortë në ciklin profesional, duke qenë se numri i kuotave është më i reduktuar, përballë fluksit të kërkesave për studime në këtë cikël, të cilat vijnë në rritje çdo vit. Ndarjen e plotë të kuotave të pranimit për secilën degë e gjeni bashkangjitur shkrimit.
Gjithashtu janë përcaktuar edhe prioritet që do të zbatohen në shpalljen e fituesve. Lidhur me përzgjedhjen e fituesve saktësohet se: “Kuotat fillestare do të plotësohen duke u dhënë prioritet aplikantëve që kanë përfunduar studimet ‘Bachelor’ në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, si edhe aplikantëve që kanë përfunduar studimet ‘Bachelor’ në institucionet e arsimit të lartë jashtë vendit.
Nëse pas vlerësimit të këtyre prioriteteve do të ketë kuota të tjera të plotësuara, në përzgjedhje prioritet do u jepet kandidatëve që kanë përfunduar studimet e nivelit të parë në institucionet e tjera publike të arsimit të lartë në vendin tonë, në degët: Drejtësi, Shkenca Sociale, si edhe Ekonomik, për Master Profesional EU Business Law, e më pas edhe studentëve të diplomuar në institucionet private të arsimit të lartë”.
Për të fituar të drejtën e studimit në një nga programet master, çdo kandidat duhet që të dorëzojë sipas afateve të përcaktuara dosjen me dokumentet e kërkuara, çka do të thotë se konkurrimi do të zhvillohet nëpërmjet dokumenteve të dorëzuara në dosjen e kërkuar.
Dosja e dokumenteve të kërkuara
Të drejtën e konkurrimit për këtë nivel studimesh e kanë të gjithë ata kandidatë që kanë kryer studimet në fakultetet publike dhe janë pajisur me diplomën përkatëse në një program të ciklit të parë “Bachelor”, ose në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë, i cili rezulton i akredituar në momentin e diplomimit të studentit.
Mund të aplikojnë edhe të gjithë ata kandidatë që janë diplomuar jashtë vendit, por me kushtin që të kenë përfunduar procedurat e njehsimit të diplomave përkatëse pranë MAS. Sa i takon procedurës së aplikimit, sqarohet se kandidati duhet të paraqitet personalisht dhe të dorëzojë dosjen e dokumenteve të përcaktuara në afatet e përcaktuara, të cilat do të bëhen publike gjatë ditëve në vijim.
Në dosje duhet të përfshihen: Diploma, ose fotokopja e njësuar me origjinalin për studimet e kryera të ciklit të parë. Për diplomat e fituara jashtë vendit duhet vërtetimi i njohjes së saj nga MAS, e shoqëruar edhe me fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin.
Kandidati duhet të dorëzojë edhe diplomën e Maturës Shtetërore, së bashku me certifikatën e notave, ose fotokopje të tyre të njësuar me origjinalin, të konfirmuara nga njësia përkatëse arsimore vendore.
Kandidatët që e kanë kryer shkollën e mesme para vitit 2010, duhet të dorëzojnë origjinalin e Dëftesës së Pjekurisë.
Nëse nuk posedojnë këtë dokument, mund të paraqesin edhe dublikatë të saj të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme, nën firmën e njësisë përkatëse arsimore, si dhe firmave të lëshuara nga Arkivi i Shtetit, së bashku me listën e notave.
Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar ndarjen e plotë të kuotave të pranimit për të dyja ciklet e studimit në të pesë fakultetet e UT-së, si dhe Institutin e Studimeve Evropiane për kandidatët brenda vendit.
Kriteret e pranimit në programet Master për 2017-2018 janë:
- Nota mesatare minimale për të aplikuar për “Master shkencor” është nota 7.
- Nota mesatare minimale për të aplikuar për kuotat e miratuara në degët e “Master profesional është 6.
- Nota mesatare minimale për të aplikuar për “Master profesional EU Business Laë”, është nota 6.
- Niveli minimal i njohjes së një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, është niveli B1.
- Kuotat fillestare do të plotësohen duke u dhënë prioritet aplikantëve që kanë përfunduar studimet ‘Bachelor’ në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, si edhe aplikantëve që kanë përfunduar studimet ‘Bachelor’ në Institucionet e Arsimit të Lartë jashtë vendit.
- Kuotat e mbetura do të plotësohen duke u dhënë prioritet aplikantëve që kanë përfunduar studimet ‘Bachelor’ në institucionet e tjera publike të arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë, në degët: Drejtësi, Shkenca Sociale, si edhe Ekonomik, për Master Profesional EU Business Law.
- Nëse do ketë kuota të tjera të mbetura pa realizuar, do të plotësohen prej aplikantëve që kanë përfunduar studimet ‘Bachelor’ në institucionet jopublike të arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë.
Kuotat për programet e nivelit e “Master shkencor”
Për programin me profil “E Drejtë Civile” janë miratuar 170 kuota të reja pranimi.
Për programin me profil “Shkenca Penale” janë miratuar 170 kuota pranimi.
Për programin me profil “E Drejtë Publike” janë miratuar 150 kuota të reja pranimi.
Kuotat për programet e nivelit e “Master profesional”
Për programin me profil “E Drejtë Civile” janë miratuar 80 kuota pranimi.
Për programin me profil “E Drejtë Penale”, janë miratuar 80 kuota pranimi.
Për programin me profil “E Drejtë Publike”, janë miratuar 35 kuota pranimi.
Për programin me profil “EU Business Law”, janë miratuar në total 70 pranime të reja.

ORE, KAFJA SA ESHTE
ME EURO APO ME LEK.
KY ESHTE INFORMACION, JO KETO QE
THONI JU.