Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama pak pas dekretimit të tij nga presidenti Ilir Meta, ka vlerësuar qëndrimin e sotëm të Partisë Demokratike në sallën e Kuvendit.
Në një prononcim për mediat jashtë ambienteve të Parlamentit, Rama theksoi se opozita sot pati një sjellje super korrekte, duke marrë shkas kështu në mënyrë indirekte edhe nga fakti se 2 prej deputetëve të PD-së votuan pro Gramoz Ruçit për kryetar Kuvendi.
“Zgjedhje pragmatike për të mos pasur rrjedhje votash. Nuk ka rëndësi ca vota më shumë, ca më pak, rëndësi ka që ne të kryejmë në radhë të parë atë për të cilën njerëzit na kanë sjellë.
Detyra jonë të udhëheqim dhe të adresojmë aq shumë gjëra. Detyra e opozitës të merret me ne, të na godasë, akuzojë por dhe të japë një alternativë. Është zgjedhja e tyre, nuk jam këtu për të mësuar opozitën por për të bërë detyrën tonë”, tha Rama.
Ndër të tjera ai u ndal edhe tek marrëveshja e 18 majit me PD-në, ndërsa shtoi se nuk e di nëse ajo do të vijojë apo jo.
“Më vjen keq por gjërat kanë radhën e tyre dhe kam ardhur këtu të ndjek seancën. Më duhet të shoh dhe të kujtoj që marrëveshja është gjallë apo ka vdekur. Qëndrimi i PD sot ka qenë superkorrekt, institucional.
Është shenjë pozitive. Pastaj se si do vazhdoj, kjo mbetet për t’u parë dhe nëse do ketë paqe politike në filizin e brishtë të ullirit që u mboll në 18 maj, kjo do shihet. Jemi shumë të qartë që nëse opozita do jetë e ashpër, nuk do të thotë se marrëveshja ka vdekur. Kjo mbetet për t’u parë. Nuk jam as pozitiv as negativ nga opozita e dalë nga një palë zgjedhje negative për fat të keq”, theksoi Rama.
