Noli, mbesa e tij dhe unë “muhamedani”

Ornela

Ilir Mborja 

Ksanthi Qirkushi, që jeton këtu në Athinë, motrën e Fan Nolit, Sulltanën, e kishte gjyshe. Domethënë, babai i saj Jani e kishte Fan Nolin dajë. Jani nuk jeton më, por për të ruaj një përfytyrim të gjallë nga mbresat që profesor Nasho Jorgaqi, i cili e ka njohur nga afër, ka shkruar aq bukur tek libri i tij me kujtime “Udhëtime letrare”. Edhe me Ksanthinë jam njohur po prej profesor Nashos. Kur isha në Shqipëri para disa muajsh, bashkë me numrin e telefonit të saj, ai më dha për të edhe certifikatën e Bashkisë së Durrësit që, për kontributin e tij në ringjalljen e Kishës, si Metropolit dhe meshëtar i parë i saj në gjuhën shqipe, etj, e shpallte Fan Nolin “Qytetar Nderi” të saj.

Do t’i jepja gjithashtu edhe tre libra të tij të fundit kushtuar jetës e veprës së Nolit. Sigurisht që e kreva me shumë kënaqësi  porosinë e profesor Nashos, se po më jepte rastin fatlum që të njihesha nga afër me Ksanthinë. Me të mbërritur në Athinë u lidha me të dhe e lamë të takoheshim në shtëpinë time. Ajo erdhi dhe qysh në fillim iu prezantova edhe si nipi i dr. Haki Mborjes, njërit prej miqve të Fan Nolit. Po të mos isha në rrethanat e një emigranti, që gjithsesi vuan nga kompleksi i anonimatit, kurrësesi nuk do t’ia lejoja vetes që prezantimi im i parë me të, të ngjante paksa në stilin “Doni më për Belulin?”.

Ca nga emocioni i vizitës së mysafires së rrallë, ca ngase isha i sigurt që Ksanthia nuk e kish parë skeçin e interpretuar nga Fuat Boçi, ia thashë që në fillim të gjitha ato që modestisht edhe mund të mos thuheshin. Si për t’i thënë, se veç lidhjes që na ofronte miqësia e përbashkët me profesor Nasho Jorgaqin, (ajo e konsideron si njeri të afërt dhe e do shumë) kishte edhe diçka tjetër që na lidhte: Miqësia e dikurshme e Fan Nolit me gjyshin tim.

Prandaj, pa u ulur ende mirë, i zgjata mysafires së çmuar vëllimin e tretë të përmbledhjeve të artikujve të Nolit dhe i tregova faqen, ku në prill të 1931, në gazetën “Republika” të Bostonit, shkruante gjatë e me superlativa për tim gjysh menjëherë pas vdekjes. Noli e nis kështu shkrimin e tij: “Pas Mihal Gramenos na la shëndenë edhe një tjetër veteran i çështjes kombëtare…” Por juve dua t’ju tregoj për atë që ai shkruan pas dy tre rreshtash: “Doktor Haki Mborja ishte një nga studentët muhamedanë të shkollës politike së Stambollit…” Tek përcaktori i tij “muhamedanë” do të ndalem pak më poshtë.

***

Për Nolin, veç librave, disa herë kam pasur fatin të dëgjoj nga afër rrëfimet e shtruara të profesorit dhe kam krijuar përshtypjen se nolisti Nasho Jorgaqi, kur tregon detaje për të dhe njerëzit që ai kishte marrëdhënie, edhe në rrethana tejet të ngushta, nuk tregohet më konfident se ç’duhet, po s’u bind plotësisht se ai që ka përballë do ta kuptojë siç duhet detajin për figurën e tij. Edhe kur të tregon diçka të tillë, më parë të shpjegon hollësisht kompleksitetin e rrethanës, varësinë e momentit, botën prej artisti, pozicionin e klerikut, etj.

Kur dëgjon nga afër Nasho Jorgaqin, merr vesh se jeta e Nolit është një thellësi gjigande e tillë, që sa më shumë zhytesh në kërkime, aq më shumë shtohet rreziku të mbytesh në keqkuptime e keqinterpretime. Jeta e kryeatdhetarit, kryeklerikut, kryeartistit, kryeministrit me flaut në dorë, është plot e përplot me detaje që janë shumë delikate për t’u shpjeguar nga kushdo dhe për këtë, sa më shumë mësoj nga nolisti ynë më i shquar Nasho Jorgaqi, aq më shumë trembem nga thellësia e oqeanit me emrin Fan Noli. Tolerant e mendjehapur, por edhe një humanist i rrallë.

Nasho Jorgaqi më ka treguar edhe për një marrëdhënie shumë miqësore të Nolit me Baba Rexhepin e bektashinjve: Në vitet kur tek ne u mbyllën teqetë, Baba Rexhepi iku nga Shqipëria. Emigroi fillimisht në Egjipt, por atje nuk e lejuan të ngrinte  Kryegjyshatën Botërore. Pas shumë peripecish përfundoi në Amerikë. Takoi menjëherë Nolin dhe pasi i tregoi problemin, mori këtë përgjigje nga ai: “Juve duhet të hapni menjëherë një fushatë për mbledhje ndihmash financiare për ngritjen e Kryegjyshatës Tuaj. Shënomëni mua të parin në listë dhe unë po ndihmoj me 1000 dollarë amerikanë”. Ky ishte Fan Noli…

***

Por, nga gjithë sa përmenda më sipër, desha të ndalem për momentin tek një mësim që e trashëgojmë qartazi nga Fan Noli: Mesazhi për të qenë të kujdesshëm me besimtarët e feve të ndryshme. Dihet, që në historinë e raporteve të shqiptarëve ndaj besimit tek Zoti, ai ka qenë shumë, shumë i kthjellët dhe gjithmonë është shprehur qart mu si kristali. Por ajo që të bën përshtypje tjetër tek ai, është edhe kujdesi i madh i tij kur e ka sjellë rasti të shprehet për njerëzit e besimit jo të krishterë. Psh, në të gjithë veprën e shkruar të Nolit, sa herë bie fjala për ata shqiptarë që ne sot (shkujdesshëm) i quajmë “myslimanë”, tek ai nuk e gjen në asnjë rast këtë.

Asnjëherë nuk i quan “myslimanë”. Ashtu si edhe në rastin e nekrologjisë për gjyshin tim, Noli për shqiptarët përdor vetëm cilësorin “muhamedanë”, dmth, si njerëz që kanë përqafuar fenë e Muhamedit. Pra, sipas tij, midis një muhamedani dhe një myslimani, ndryshimi është substancial. Sidomos tek ne shqiptarët. Çfarë kujdesi për të qenë i saktë?! Kjo ndoshta ishte edhe një arsye më shumë për mua “muhamedanin” që isha plotësisht i emocionuar kur prisja  në shtëpi mbesën e Nolit, Ksanthi Qirkushin.

“Bëj kujdes me fjalët! Mati mirë pasi t’i nxjerrësh nga goja!” – porosita time shoqe, që më shumë kishte merakun e pastërtisë së shtëpisë përpara syve të mysafires… Patjetër që do të flisnim për Fan Nolin dhe gjithsesi duhej kujdes… Nuk e di si m’u kujtua nervozizmi i profesor Nashos kur mendjelehtësisht dikush e pyeti: “A besonte në Zot Fan Noli?”.

“Bëj kujdes për vete! Unë jam e krishterë dhe di si të sillem.” – ishte përgjigjja e saj që nënkuptonte vërejtje për fenë time që, sipas saj, “nuk shquhet shumë për burra të emancipuar”. Gozhdë e ka, që nuk qëllova të isha i krishterë…

Por Ksanthia ishte plot thjeshtësi dhe u tregua shumë konfidente. Ksanthia të mahniste me zgjuarsinë e saj. Ksanthia vezullonte mirësi. Në bisedën që zgjati mbi pesë orë folëm për gjëra nga më të ndryshme, por përgjithësisht strumbullari ishte Noli dhe kujtimet për të. Shprehja e Volterit “Sekreti për të qenë i mërzitshëm për të tjerët, është që të thuash gjithçka” në rastin me Ksanthinë nuk rezultoi fare e vërtetë. Kishte një sens humori e qesëndie të hollë që tërhiqte gjithmonë nga vetja e saj në ato që tregonte, sa të hynte në zemër e të dukej sikur kishe vite që njiheshe.

Porosinë time dhënë sime shoqeje, për të qenë e kujdesshme me fjalët, e mori lumi. U miqësua aq shumë me Ksanthinë, aq sa gjeti rast e i qau hallin për sjelljet e mia “jo fort të krishtera”. Ksanthia tregoi për telashet e saj të ditës dhe biseda kthehej e rikthehej tek Noli, te kujtimet e motrës së vogël të tij Sulltana, gjyshes së saj. Ndërkohë edhe mua m’u kujtua një tregim i jetuar për Nolin që e kam dëgjuar nga gjyshja ime. I tregova Ksanthisë këtë:

***

Në pranverën e vitit 1924, miku i ngushtë i Nolit, doktor Filip Papajani, ishte kryetar bashkie në Pogradec. Është fjala për Lipin e “Prroka”-s, autorit të tregimit të parë të rrymës së “Përroit psiqik” në letërsinë tonë, që për mendimin tim nuk është kapërcyer ende për nga niveli artistik. Filip Papajani njihej si njeri hokatar dhe që i pëlqente të ngacmohej me “njerëzit e Zotit”, priftërinjtë e hoxhallarët, megjithëse siç e tregoi jeta, me kalimin e viteve u lidh me miqësi të ngushtë me ta. Kështu edhe me Nolin. E kishte mik për kokë. Prandaj Noli iu përgjigj ftesës që të drekonte një ditë në shtëpinë e tij. Dita kur e ftonte Filipi ishte “E Premtja e Zezë” para Pashkës.

Dita që kryqëzohet Krishti. Në këtë ditë besimtarët e krishterë mbajnë kreshmë të rreptë. Nikoqiret e shtëpisë vishen me të zeza dhe nuk shtrojnë fare për të ngrënë. Të vegjëlit dhe të sëmurët mund të futin në gojë (gjysmëfshehurazi) dy lugë fasule të ziera vetëm me ujë e kripë, pa vaj… Noli nuk e refuzoi ftesën për këtë lloj “dreke” që i ofroi Filip Papajani, por i trokiti në derë në orën e caktuar. Gjithashtu kishte marrë me vete edhe mikun e përbashkët, gjyshin tim, doktor Haki Mborjen. Kur e pa në derë Fan Nolin, e shoqja e tij Angjeliqija, u shtang. Nuk e honepsi dot këtë shaka të të shoqit prandaj i shfryu: “Hirësia e Tij  i ftuar për drekë në ditën e së Premtes së Zezë?! Ç’më bëre Filip?! Ç’të bëj tani?”…  

Për Angjeliqinë vetë thuhej se rridhte nga një familje princërore rumune dhe ishte shumë strikt me ritet e ortodoksisë. (Princi Albert Gjika, rumuni me origjinë shqiptare që ishte edhe vëllai i shkrimtares Elena Gjika “Dora d’Istria”, ishte ai që i kishte vënë kurorën kur martohej me Filipin në Kishën Katedrale të Bukureshtit.) Noli, si Noli, nuk e humbi për asnjë moment torruan përpara ankthit të sinqertë të zonjës së shtëpisë, shkaktuar nga shakaja provokuese e mikut të tij dhe aty për aty iu drejtua:

“Mos u shqetësoni zonjë! Njerëzit duhet të bëjmë kujdes vetëm për ato që nxjerrim nga goja dhe jo për ato që fusim në gojë! Gatuaj diçka!” – ishte ndërhyrja e Nolit për të qetësuar zonjën Angjeliqi dhe për t’i kthyer ndërkohë reston me humor sipëror mikut të tij Filip Papajanit. Tek oratori mendjehapur fjalët kishin energjinë të qetësonin e të shëronin edhe një besimtare të përkushtuar, si zonja fisnike e shtëpisë në atë rast… Pastaj, duket se Noli, nuk e kishte marrë kot me vete edhe doktorin, gjyshin tim, “muhamedanin” që s’kishte lidhje me kreshmën...”

Këtë i tregova Ksanthisë dhe dëgjuam nga ajo shumë kujtime të bukura të gjyshes së saj Sulltanës për të vëllanë, Nolin. Kur u ndamë i dhurova si kujtim një punim në bronz që asaj i pëlqeu shumë. Pasi falenderoi pa masë, para se ta vinte në çantë, ajo nuk harroi ta puthë e ta shtrëngojë në gjoks përkrenaren e Skënderbeut. Ajo, mbesa e Nolit të madh…

 

Share This Article
5 Comments
  • Shkrimi me rrenqethi por edhe me pikëlloi.Ku humbën vlerat e këtij kombi? Pse s’na bën zemra të jetojmë në Shqipëri?Pikërisht se s’ka më njerëz të tillë.Po hamë njëri tjetrin.Edhe brenda familjes,edhe brenda gjakut.Morëm fund.

  • Vertete bukur, Mborja!

    Kesi shkrimesh, kete kendveshtrim, Nolian,
    do duhej te lexonte, njihte, studionte dhe (valle a do mundej ta) perdorte edhe ish-muhamedani Mustafa Nano
    dhe aq me shume gjoja I Krishteri Gjekmarkaj, qe beson se zjarri shuhet duke hedhur benzine mbi te…

    Po nuk deshe Njeriun e Zotit, edhe ndaj Zotit je hileqar…
    Dhe Zoti i do te gjithe femijet e vete…
    Noli ishte e mbeti Zoteri mes shqiptareve.

    Nje mik i Aleko Bordose

  • Jo vetem ate nderim “Qytetar Nderi” F.S NOLI.ne Durres, ,po duhet bere nje monument krah Gjergj Kastriotit Skenderbe dhe me Ismail Qemalin dhe Ai, behen tre….
    Faleminderit komentuesve “Lora” dhe Musai.
    Dashamirsi D.

  • AH SIKUR TE GJITHE TE MBAJNE PERGJEGJESI PER ATO QE NXIJERRIN NGA GOJA NUK DOTE KISHIM NEVOJ PER GJUKATES DHE PROKUROR DHE BOTA DO ISHTE IDEALE TE LUMTE ILIR QE KE QEMTUAR KETE SENTENCE NGA GOJA E NOLIT TE MADHE

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *