Batutat pa mikrofon në sallën e Kuvendit/ Ruçi: Zoti Berishaaaa, ulu. Ish-kryeministri: Ty të përdor…

Gazeta Dita

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka humbur “privilegjin” e fjalës pa limit në Parlament. Gramoz Ruçi, në seancën e dytë në krye të Kuvendit, ka detyruar ish-Kryeministrin Sali Berisha të flasë vetëm 20 minuta, duke mos e lënë të përfundojë fjalimin e tij të gjatë. Për të lejuar Berishën të flasë, kanë reaguar nga vendi gjatë debatit pa mikrofon, deputetët, Edi Paloka dhe Flamur Noka.

Madje, Noka i ka ofruar Berishës kohën e tij në dispozicion, vetëm që Doktori të mbaronte fjalën, por Gramoz Ruçi nuk ka pranuar asnjë kompromis. Berisha e ka quajtur Ruçin si person të keqpërdorur nga Rama dhe si simbolin e policisë që sulmoi studentët e Dhjetorit. “Emërimi yt në krye të Parlamentit i vë kapakun të gjithë kësaj tragjikomedie që po jetojnë shqiptarët. Ti, këtu nuk je Mehmet Shehu, ti, këtu je simboli i policisë që sulmoi studentët e Dhjetorit”, iu drejtua Berisha, kreut të Kuvendit.

Por Ruçi kërcënoi ish-Kryeministrin me sanksione, siç parashikon rregullorja e Kuvendit. “Zoti Berisha ulu dhe mos më detyro që në këtë seancë të vazhdoj aplikimin e masave që parashikon rregullorja”, ka thënë Ruçi.

Ndërkohë, Berisha e akuzoi Ruçin se është i dënuar nga Ambasada Amerikane për të mos shkelur në SHBA, ndaj dhe për këtë arsye nuk do marrë vizë amerikane. Por Ruçi i ka kërkuar Berishës që të mos keqinformojë kolegët.

REPLIKAT PA MIKROFON BERISHA-RUÇI

Sali Berisha: E fyen gënjeshtrën ta quash Edi Ramën gënjeshtar. Pse qytetarët shqiptarë ju ndëshkuan ju në një mënyrë ekzemplare? Arsyet janë sepse filozofia jote është filozofia e drogës. Duket ngaqë vetë je përdorues droge, por për këtë, për të ma provuar të kundërtën, hajde shkojmë bashkë të bëjmë të dy testin e drogës ku të duash.

Përderisa nuk vjen, atëherë ke ndonjë problem. Pasi ka gënjyer me dhjetëra e dhjetëra herë ky zotëri, se ka fshirë kanabisin në 99,5% të territorit etj., ju them se nga Priska deri në Kala të Dodës, nga Librazhdi deri në Frashër e Delvinë, tunelet e Ushtrisë, depot e rezervave shtetërore janë të vulosura e të dyllosura me mijëra tonelata drogë që presin për t’u shitur. Kam dëgjuar se nuk kanë mbjellë më aq shumë drogë.

Është e vërtetë, por kjo ka ndodhur se ende u ka ngelur droga pa shitur. Po lufton drogën ti? Po ti je njeriu që arrestove 22 mijë shqiptarë për faturën e energjisë elektrike, njerëz që s’kishin kafshatën e gojës, njerëz që u varën në litar në burgjet e tua. Ti je njeriu që s’ke arrestuar as pesë vetë për drogën dhe plantacionet e saj. Ti je njeriu që ke dhënë urdhër, ke bllokuar radarët dhe ke liruar transportin e drogës.

(Bie gongu i përfundimit të 20 minutave)

Sali Berisha: Megakorruptorët i ke vënë ministra, kampionë, dhe mendon se këta do t’i lash me thinjat e bardha të Pandeliut. Kjo nuk ndodh, nuk e lan me asgjë Gjiknurin, as Zho Zho, apo ndrikull Manasterliun. Nuk ka ujë që t’i lajë këto..

(mbaron koha, fiket mikrofoni)

Gramoz Ruçi: Koha mbaroi zoti Berisha. Faleminderit. Ulu.

Flamur Noka: Lerë edhe një sekondë të mbarojë…

Gramoz Ruçi: Jo, s’ka më asnjë sekondë për askënd. Të lutem zoti Berisha, ulu.

Flamur Noka: Jepi kohën time dhe lerë të flasë…

Gramoz Ruçi: Jo s’ka, ulu… Nuk lejohet. Ulu zoti Berisha.

Sali Berisha(flet pa mikrofon): Emërimi yt në krye të Parlamentit i vë kapakun të gjithë kësaj tragjikomedie që po jetojnë shqiptarët..

Gramoz Ruçi: I the të gjitha zoti Berisha, ulu.

Sali Berisha: Ti këtu nuk je Mehmet Shehu, ti këtu je simboli i policisë që sulmoi studentët e Dhjetorit…

Gramoz Ruçi: Zoti Berisha ulu dhe mos më detyro që në këtë seancë të vazhdoj aplikimin e masave që parashikon rregullorja.

Edi Paloka: Lerë të flasë, mos e ndërprit..

Gramoz Ruçi: Jo, jo nuk ka më asnjë. Asnjë..

Sali Berisha: Dije mirë se je i keqpërdorur.

Taulant Balla: Po lëri mo këto..

Sali Berisha: Se Edi Rama të ka emëruar ty si fijen e barit dhe kërkon të kapet te ty për të shpëtuar…

Gramoz Ruçi: Zoti Berishaaaa, ulu, mos e tepro tani, as në planin etik, as politik dhe as në planin procedural. Ulu tani.

Sali Berisha: Ta dinë të gjithë se je i dënuar përjetë që nuk shkel dot në Amerikë dhe që nuk merr dot vizë amerikane…

Gramoz Ruçi: Ulu, ulu dhe mos i gënje këta kolegët e tu se i merr më qafë pastaj…

(Berisha largohet nga foltorja, deputetët e PD duartrokasin, ndërkohë ish-Kryeministri ikën nga salla)

Fatmir Xhafaj: Ti je personi që na kujton shprehjen e famshme: “bërtet hajduti, kapeni hajdutin”..

Share This Article
1 Comment
  • Vini hekurat qenit te Vicidolit ! C’prisni ? E ka bere hak !
    E ka bere hale parlamentin pergjate 27 vjeteve ! Durimi
    ka nje kufi ! Ky vrases,kryekriminel, ky kryehajn duhet
    te jape llogari para drejtesise sa me shpejt. Burgu eshte
    shume-shume pak per kete monster,MONSTRA e VICI-
    DOLIT. ,! Muli duhet te sqaroje poziten e tij ,lidhur me ma-
    redheniet e tij me UDB -n e Milloshevicit duke bere dallimin me regjimin aktual serb, qe pabaresisht me qendrimet antishqiptare nuk mund te krahasohet me ate
    regjim gjakatar te Milloshevicit,aleatit te Sali Berishovicit,
    vellait per babe te Karaxhicit ! Burgu i pret vraesit e hajnat .!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *