Agonia e Nelson Mandelës që mbahet në jetë në mënyrë artificiale nuk ka mjaftuar për të paqëtuar anëtarët e familjes së tij. Midis tyre ka shpërthyer një luftë e vërtetë për vendin ku do të vendosen eshtrat e tij: në Qunu apo Mvezo, dy fshatra që mbartin historinë jetësore të liderit afrikanojugor
“Një fund i përsosur” për Nelson Mandelën, është lutja e kryepeshkopit të Keip Taunit, Thabo Makgoba, për njeriun që nuk ka përqafuar kurrë një besim, ndonëse në burg merrte pjesë në ceremonitë kristiane dhe myslimane. Ndërsa muret e spitalit “Mediclinic Heart Hospital” vazhdojnë të mbushen me lule, shënime dhe piktura, në repartin e reanimacionit ku Mandela (me një infeksion të rëndë në mushkëri) mbahet në jetë në mënyrë artificiale, është e vështirë të imagjinohet një “fund i përsosur” për të. Jashtë klinikës, njerëz të vendosur prej ditësh vijojnë pelegrinazhin me thirrjet në kor “Madiba, Madiba!”. Është emri i klanit të tij, një emërtim nderues që iu dha shekuj më parë kryetarit të tribusë Thembo.
Nga kodrat e zhveshura të provincës Eastern Keip mbërritën dje pleqtë e tribusë për t’i dhënë përshëndetjen e fundit Madibës dhe për të shqiptuar me gjysmë zëri fjalët me të cilat, sipas traditës, një komunitet “pranon” vdekjen e një të afërmi: “Siyakukhulula Tata!” (Atë të lemë të shkosh!).
Të gjitha përgatitjet duket se janë bërë gati paraprakisht: turma e grumbulluar përballë spitalit, përshëndetja e të moshuarve dhe mbërritja e mjekut historik të Mandelës, që më shumë se kushdo tjetër e njeh trupin e “babait” të Afrikës së Jugut dhe vullnetin sesi duhet të ishte “fundi i tij”.
Në qindra kilometra distancë, në fshatin Qunu ku Mandela është rritur që prej moshës 9 vjeç, ndodhet një ekskavator i verdhë që qëndron në pritje në një varreze të vogël të familjes. “Një gur i zakonshëm, sipër të cilit shkruhet Mandela”, kështu e imagjinonte ai varrin e tij. Por, nuk është kaq e thjeshtë: familja e Madibës po grindet se ku do ta vendosë. Ndoshta është një shenjë dashurie,ose ndoshta nuk është “fundi perfekt” që kryepeshkopi kërkoi. Dy fshatra në luftë: Qunu, ku fituesi i Nobelit për paqen kaloi vitet e fundit si pensionist dhe Mvezo, 40 kilometra larg tij, fshati i lindjes së Mandelës. Në të jeton sot kreu i tribusë, i riu Mandla.
Pati një mbledhje shumë të tensionuar në shtëpinë ngjyrë pjeshkë të vendosur përbri rrugës kryesore të Qunus. Mandla, i cili ka qenë gjithnjë i afërt me Madiban doli prej aty duke përplasur derën: ai dhe të tijtë dëshirojnë që eshtrat të vendosen në Mvezo. Por, pjesa më e madhe e tribusë dhe familjes thonë se duhet të jetë Qunu. Edhe pse nuk ka asnjë komunikatë zyrtare është Mandla që ka humbur, sepse një drejtues sipas traditës Thembu është i tillë sepse qeveris me konsensus e jo me imponim.
Kështu ekskavatori pret afër kodrinës, ku ndodhen edhe varret e mermertë të prindërve të Madibës. Deri në vitin 2011 ishin edhe eshtrat e tre fëmijëve të tyre, më i madhi Makgatho (babai i Mandlas), i cili vdiq nga SIDA; e motra e cila ndërroi jetë 9-muajshe në vitin 1948 dhe Thembekile që humbi jetën në moshën 20-vjeçare nga një aksident rrugor. Në 2011-n, me vendim të njëanshëm, Mandla i zhvarrosi eshtrat e tyre dhe i vendosi në Mvezo, ndërsa tani po i kërkohet që t’i rikthejë sërish atje ku ishin.
Familja e ndarë, por Afrika e Jugut e bashkuar te krevati i tij pret fundin “thuajse” perfekt. “Dëshiroj të fle në përjetësi me një buzëqeshje të madhe në fytyrë, duke e ditur se ata që do të mbeten do të kenë në zemër bashkimin e kombit”, ishin fjalët e Mandelës në një fjalim para studentëve në ‘96-n/ D.Gjuzi.
