Llojet më të shpeshta të infeksioneve bakteriale

Ornela

 Pranvera Kola – DITA

Një pjesë e konsiderueshme e sëmundjeve shkaktohen nga rënia në kontakt me baktere të dëmshme, të cilat organizmi nuk është në gjendje që t’i luftojë. Infeksionet bakteriale janë mjaft të shpeshta, dhe prej tyre mund të rrezikojnë të gjitha grupmoshat.

Para se të detajojmë llojet e infeksioneve më të shpeshta, mjekja infeksioniste Ilda Xhelili, tregon se çfarë janë bakteret dhe se cili është roli i tyre në organizëm. Sipas saj, bakteret janë organizma mikroskopike që jetojnë pothuajse kudo. Disa gjenden në ajër, disa në ujë dhe në tokë, në sipërfaqe dhe në brendësi të bimëve, kafshëve dhe njerëzve.

“Edhe pse fjala “bakter” në vetvete mbart një kontekst negativ, ato kryejnë shumë funksione vitale (jetësore) për organizmat e gjallë dhe mjedisin. Për shembull: bimët kanë nevojë për baktere në tokë që të rriten. Shumica dërrmuese e baktereve janë të padëmshme për njerëzit dhe madje disa lloje të tyre janë të dobishme. Në aparatin tretës të njeriut, bakteret e mira ndihmojnë në procesin e tretjes.

Po ashtu ndihmojnë edhe sistemin imunitar për ta bërë organizmin më pak mikpritës ndaj baktereve të këqija dhe patogjenëve të tjerë të dëmshëm. Kur analizohen të gjitha llojet e baktereve që ekzistojnë janë relativisht pak, ato të cilat janë përgjegjëse për shkaktimin e sëmundjeve të ndryshme tek njerëzit”, thekson Xhelili.

Çfarë është një infeksion bakterial?

Një infeksion bakterial është përhapja e një lloji të dëmshëm të baktereve në brendësi, ose në sipërfaqen e trupit. Disa nga sëmundjet që shkaktojnë bakteret e dëmshme janë pneumonia, meningitis, helmimet ushqimore. Bakteret klasifikohen në tre forma bazë, në formë shufre (bacilli), në formë sferike (coci) dhe spirale (spirilla). Ato klasifikohen edhe si baktere grampozitive që kanë një mur të trashë qelizor dhe gramnegative, të cilat nuk e kanë.

Shumë shpesh infeksionet bakteriale janë të ngjashme me infeksionet virale, përsa i përket kuadrit klinik, por në fakt ato janë lloje të ndryshme mikroorganizmash. Bakteret janë më të mëdha se viruset dhe janë në gjendje të riprodhohen vetë, kurse viruset përdorin AND-në (materialin gjenetik) të bujtësit për të riprodhuar vetveten. Simptomat varen nga zona e trupit që është prekur.

Në jo pak raste simptomat janë shumë të ngjashme. Për shembull kollitja, rrjedhja e hundëve, dhimbja e kokës dhe lodhja mund të jenë prezent, si në një ftohje të zakonshme (infeksionet virale), ashtu edhe në sinuzitet me origjinë bakteriale. Diagnoza diferenciale bëhet nëpërmjet një ekzaminimi të kujdesshëm, laboratorik dhe imazherik. Në vijim të shkrimit gjenden të detajuara se cilat janë infeksionet bakteriale më të shpeshta dhe si manifestohen ato.

Llojet e infeksioneve bakteriale të lëkurës

Më të shpeshta janë infeksionet bakteriale të lëkurës, të cilat shkaktohen zakonisht nga shtamet grampozitive, si “staphylococus” dhe “streptococus”. Ndër infeksionet e lëkurës shfaqet më shpesh celuliti në formën e një pllake të kuqe në lëkurë, të nxehtë dhe të dhimbshme. Celuliti ndodh më shpesh në këmbë, por mund të shfaqet kudo në trup.

Në rastin kur kemi infeksione të rrënjës së flokut bëhet fjalë për “folikulitis” që shfaqet në formë gunge, e kuqe dhe e dhimbshme. Infeksionet mund të depërtojnë edhe në shtresat e thella të lëkurës duke akumuluar qelb në brendësi të saj. Këto janë infeksione të rënda dhe kërkojnë trajtim lokal dhe oral (nga goja) me antibiotikë.

Helmimet e ushqimore

Infeksionet bakteriale janë gjithashtu shkaktarë të intoksikacioneve bakteriale (helmimet ushqimore).

Klinikisht shfaqen me të përziera, të vjella, diarre, gjendje ethore, dhimbje barku, apo edhe temperaturë. Mishi i papërpunuar, peshku, vezët, shpezët, por edhe qumështi i papasterizuar mund të përmbajnë baktere të dëmshme që mund të shkaktojnë sëmundje.

Gratë shtatzëna, të moshuarit dhe personat me sistem imunitar të dobësuar janë më tepër të predispozuar për zhvillimin e këtyre infeksioneve.

Infeksionet seksualisht të transmetueshme

Për nga shpeshtësia e shfaqjes nuk mbeten pas edhe infeksionet bakteriale seksualisht të transmetueshme.

Në jo pak raste këto infeksione nuk paraqesin kuadër klinik, por mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore.

Ndër këto më të shpeshta janë infeksionet e shkaktuara nga klamidia, gonorreja dhe sifilizi. Këto infeksione shtojnë rrezikun e sëmundjes inflamatore (infeksioze) të pelvisit (legenit), si tek burrat, ashtu edhe te gratë.

Edhe vaginoza bakteriale, e cila edhe pse nuk është një sëmundje seksualisht e transmetueshme, shkakton një mbipopullim të baktereve patogjene (të dëmshme) në vaginë.

Infeksionet në zonat e tjera të trupit

Por, bakteret e dëmshme mund të shkaktojnë infeksione pothuajse në çdo zonë të trupit.

Kështu mund të përmendim meningitin që është infeksion i cipave të trurit (meningjeve), infeksionet e veshit të jashtëm të mesëm dhe të brendshëm (otitis externa, medium dhe interna), infeksionet e aparatit urinar që mund të përfshijnë fshikëzën e urinës, veshkat dhe tubat e urinës (uretra dhe ureterët), infeksionet e aparatit të frymëmarrjes që përfshijnë fytin, bronket, sinuset dhe mushkëritë.

Duhet të përmendim dhe tuberkulozin që është infeksion bakterial i traktit të poshtëm respirator.

Si duhen trajtuar infeksionet bakteriale?

Infeksionet bakteriale në përgjithësi trajtohen me antibiotikë.

Ato ndikojnë në proceset që janë të domosdoshme për shumëzimin e baktereve dhe përhapjen e tyre në të gjithë organizmin. Është shumë e rëndësishme të zgjidhet antibiotiku i duhur sepse në të kundërt mund të luajë edhe rol negativ në zhvillimin e infeksionit.

Përdorimi i tyre duhet të jetë vetëm sipas këshillave të përcaktuara nga mjeku specialist. Antibiotikët ndikojnë vetëm në infeksionet bakteriale dhe nuk ndikojnë në infeksionet virale.

Jo në pak raste antibiotikët përshkruhen edhe në infeksionet virale si mënyrë parandalimi për infeksionet sekondare (dytësore). Infeksionet sekondare ndodhin në persona me imunitet të kompromentuar për shkak të një sëmundjeje ekzistuese.

Kur antibiotikët bëhen të rrezikshëm?

Përdorimi i tepruar dhe keqpërdorimi ka çuar në rritje të rezistencës ndaj tyre.

Rezistenca antibiotike ndodh kur bakteret nuk janë më të ndjeshme ndaj një medikamenti, i cili duhet të eliminojë infeksionin. Infeksionet bakteriale rezistente ndaj antibiotikëve janë potencialisht shumë të rrezikshme deri në kërcënimin e jetës. Shumica e këtyre infeksioneve ndodhin tek të moshuarit, si edhe te pacientët e hospitalizuar.

Është shumë e rëndësishme të theksohet se kriteret e përdorimit të antibiotikëve duhet të jenë shumë të forta, bazuar në ekzaminime tepër të kujdesshme nga ana e mjekut. Edhe tek ne problemi i rezistencës ndaj antibiotikëve është një fenomen mjaft i diskutuar. E kemi theksuar gjithmonë që si për çdo medikament tjetër, në mënyrë të veçantë për antibiotikët nuk duhet të drejtohemi direkt në farmaci për të blerë antibiotikët pa recetën e mjekut.

Përveç antibiotikëve që trajtojnë infeksione të ndryshme duhet të theksojmë se përdorimi i gjatë i tyre dhe pa kriteret e duhura shkakton edhe dëmtimin e florës bakteriale normale, pra të baktereve të mira, të cilat janë të domosdoshme për proceset jetësore.

Çfarë duhet bërë  për parandalimin e dëmtimit të florës bakteriale?

Për këtë është mjaft i domosdoshëm përdorimi i probiotikëve që janë të pasura me baktere “natyrale të mira”. Këto normalizojnë florën bakteriale normale të dëmtuar nga antibiotikët.

Jo pak njerëz e dinë që kosi është i pasur me probiotikë natyralë që rregullojnë florën e aparatit tretës.

Disa studime kanë treguar se probiotikët mund të shkurtojnë kohëzgjatjen e diarresë infektive. Përdorimi i tyre redukton fryrjen e barkut. Studimet e mëtejshme janë fokusuar në llojet dhe dozimet e “baktereve të mira” që janë të dobishme për shëndetin e njeriut.

Tjetër çfarë mund të rekomandojmë?

Këshilla të tjera që ndihmojnë në luftimin e infeksioneve bakteriale, janë edhe kujdesi në përzgjedhjen dhe konsumin e ushqimeve të shëndetshme, mbajtjen e një higjiene të rreptë personale, si dhe mos lënien pas dore të aktiviteteve fizike, masa të cilat ndihmojnë në rritjen e rezistencës dhe imunitetit të organizmit.

Share This Article
5 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *