Nis nga Lezha programi për pasurimin e bibliotekave vendore/ Kumbaro: “Edukimi përmes kulturës” prioritet i kësaj qeverie

Gazeta Dita

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro gjatë aktivitetit për dhurimin e librave zhvilluar në Bibliotekën Publike të  qytetit të Lezhës,  theksoi se edukimi përmes kulturës është një nga prioritetet e qeverisë,.

“Edukimi përmes kulturës, përmes leximit,  mbetet  një nga prioritetet e kësaj qeverie dhe i Ministrisë së Kulturës.  Libri ushqen mendjen. Të ushqesh mendjen është tolerancë, emancipim, zhvillim.  Të dhurojmë  libra dhe të vazhdojmë traditën e kësaj zone që është e njohur për figurat e shquara në krijimtari, ku mes të cilëve do të doja të përmendja poetin  tim të dashur dhe mbi të gjitha njeriun me mendje të bukur, Ndoc Gjetja”, tha Kumbaro.

Ministrja, e cila do të jetë sërish në krye të kulturës në këtë mandat të dytë të qeverisë Rama vuri në dukje krijimin e bashkëpunimit  të Ministrisë së Kulturës me bashkitë,  nismë e cila fillon me Lezhën dhe zhvillohet në kuadër të programit “Edukimi përmes Kulturës”.

“Prej shumë vitesh bibliotekat vendore kanë qenë jashtë vëmendjes së bashkive. Arsyeja pse e nisëm këtë projekt nga Lezha,  është se  në këtë bibliotekë  gjetëm dashuri për librin. Prandaj edhe e mirëpritëm projektin e Lezhës “Biblioteka lëvizëse”. Në të gjitha programet e Ministrisë së Kulturës  prioritet mbetet lexuesi. Nëse nuk kemi lexues, nuk kemi autor, nuk kemi, përkthyes, nuk kemi botues”- u shpreh Kumbaro në fjalën e saj.

Kumbaro u prit në këtë aktivitet nga “Kampionët e leximit”, nxënësit nga fshati Blinisht dhe qyteti i Lezhës  nga ku nisi programi i  Ministrisë së Kulturës për pasurimin e bibliotekave vendore dhe shkollore.  “Kampionët”, që  kanë lexuar 25 libra për një muaj janë fëmijë të moshës 6-14 vjeç të zonave të largëta rurale të Lezhës.

“Ka një qasje të re të institucioneve të kulturës , andaj jam shumë e gëzuar që nisim sot një marrëdhënie bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës”- u shpreh drejtoresha e Bibliotekës Publike Lezhë, Suela Bala.

“Shkrimtari im i parapëlqyer je ti Njeri, me shpirt të bukur njerëzor, që do te jetosh në të nesërmen e të ardhmes”- u shpreh Xhoana Gjokaj, nxënësja fituese e esesë më të mirë.

Titujt e librave që u dhurohen nga fondi i Ministrisë së Kulturës  janë përzgjedhur nga një kolegjium ekspertësh të jashtëm në përgjigje të nevojave të lexuesit.  Projekti  do të vazhdojë edhe në bibliotekat e Vlorës, Shkodrës, Fierit, Korçës dhe Elbasanit.

Zhvillimi i fushatës së leximit në mbarë vendin në tetor të vitit 2016, evidentoi gjithashtu Bibliotekat vendore më aktive në vend, me një shërbim profesional dhe të përkushtuar, si Biblioteka qendrore e qytetit të Lezhës, fituese në rang kombëtar për projektin “Biblioteka lëvizëse”, Biblioteka Publike e Vlorës “Shefqet Musaraj”, Biblioteka Publike “Marin Barleti”, Shkodër, Biblioteka Publike “Thimi Mitko”, Korçë, Biblioteka Publike “Qemal Baholli”, Elbasan.

Këto biblioteka, si pjesë e kalendarit të gjerë të aktiviteteve, jo vetëm dëshmuan gatishmëri të stafeve përkatëse për punën me librin dhe për përthithjen e lexuesve, sidomos lexuesve të rinj, por gjatë monitorimit të aktiviteteve përkatëse u konstatuan edhe kushte të mira shërbimi dhe hapësire fizike për librat.

Projekti i Ministrisë së Kulturës  është vijueshmëri e nismave të ndërmarra në këto katër vite për pasurimin e bibliotekave vendore dhe shkollore. Vitin e kaluar, në kuadër të Fushatës së leximit “Takohemi për një libër”, u hartua edhe projekti për mbështetje të bibliotekave vendore të qytetit të Tiranës.

Në takimin për dhurimin e librave zhvilluar në Bibliotekën Publike të qytetit të Lezhës merrnin pjesë edhe nënkryetarja e Bashkisë së Lezhës, znj. Alfrida Dedgjonaj, Drejtori i Drejtorisë  Arsimore Rajonale, Lezhë, Bardhok Pulaj, botues, krijues dhe nxënës që ndoqën aktivitetin në kuadër të programit “Orë letrare në Bibliotekë ”.

 

Share This Article
3 Comments
  • Librat qe dhurohen jane libra pa vlere.Ju e keni bere ministre por kjo me mire te shperndaje,artikuj kozmetike,se ashtu ben me pak dem!

  • Ka qene nji nisme para disa vitesh ;dhuro nji liber dhe mer dy ; per kete u hap tek parku i liqenit te Tiranes edhe nji kend ku njerzit sillnin dhe mernin librin e deshiruar , kjo edhe mund te permiresohet po te mbetet si nisme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *