Nëse shtëpitë botuese refuzojnë dorëshkrimin e një shkrimtari, ky nuk duhet të jetë dekurajim. E njëjta gjë i ka ndodhur Ernest Heminguejt, autorit të “Plakut dhe detit”. Është pikërisht kjo arsyeja e një konflikti që ka lindur me trashëgimtarëve të shkrimtarit të madh dhe “Vanity Fair”, revistës që 90 vjet më parë nuk pranoi ta botonte.
“Jeta ime në arenë me Donald Ogden Steëart” u shkrua nga Heminguej në moshën 25-vjeçare. Një histori prej pesë faqesh, shkruar me një ton të lehtë humori, të cilin “Vanity Fair” kërkon ta botojë, por trashëgimtarët e autorit të madh janë kundër.
“Besojeni ose jo, Ernest Heminguej dinte të ishte edhe humorist. Ishte frymëzuar nga Mark Tuein. Por pjesa e pabotuar nuk ka vlera letrare”, thotë djali i shkrimtarit, Patrick.
“Nuk jam ndonjë fans i madh i “Vanity Fair”. Është një revistë e destinuar për ata që mendojnë vetëm për luksin dhe nuk ndiejnë kënaqësi nëse nuk ngasin një Jaguar”, shton ai.
Ndërsa Michael Katakis, menaxheri që merret me të drejtat e botimit të Heminguejt, thotë se ajo që duhet pasur parasysh është fakti nëse vetë shkrimtari do të dëshironte të dilte në një revistë si “Vanity Fair” apo t’i nënshtrohej në rrugë të tjera një analize erudite që nxjerr në pah evoluimin e tij.
Kështu, vendimi u takon pasardhësve të shkrimtarit të madh amerikan, të cilët thonë se dorëshkrimi do të përfshihet në volumin e dytë të “Letrat e Ernest Heminguejt – 1923-1925”, një libër që do të publikohet brenda vitit 2013. / G. Sokoli
