Maturantët që nuk arrijnë të plotësojnë formularin e preferencave deri në mbyllje të ditës së nesërme, mbeten jashtë universitetit për pranimet e vitit të ri akademik 2017-2018.
Kjo pasi data 22 shtator shënon edhe afatin e fundit të konkurrimit për të gjithë kandidatët që ende nuk kanë fituar një të drejtë studimi në fakultetet publike, apo private të vendit.
Referuar afateve të përcaktuara për çdo drejtori rajonale të arsimit në vend nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit, sot duhet të përfundojnë plotësimin e këtij formulari online maturantët e Elbasanit, Peqinit, Gramshit, Librazhdit, Korçës, Pogradecit, Kolonjës dhe Devollit.
Ndërsa data 22 shtator, është lënë si datë aplikimi rezervë për maturantët e të gjithë vendit, të cilët nuk aplikuan dot në kohën e përcaktuar për drejtorinë rajonale të arsimit që mbulon shkollën e tyre.
Përzgjedhja e programeve të studimit është preferenciale, ndërmjet atyre që ofrohen nga universitetet publike dhe private.
Secili kandidat që ka kryer pagesën e aplikimit për formularin e preferencave për universitetin dhe ka dorëzuar në shkollën e tij mandat pagesën përkatëse (nëpërmjet të cilës është bërë e mundur edhe hedhja në sistem e mesatares së gjimnazit) mund të aplikojë nga çdo mjedis ku ka akses interneti, shkollë, zyrë, shtëpi, kafe internet, etj.
Për të hyrë në portalin për aplikim, adresa që duhet përdorur është: www.matura.akp.gov.al. Pasi të keni hyrë në sistem duhet të nisni aplikimin online duke plotësuar fillimisht të dhënat identifikuese të kërkuara për ju, dhe më pas do të veproni me përzgjedhjen e 10 degëve ku doni të konkurroni për të fituar të drejtën e vijimit të studimeve të larta gjatë këtij viti.
Kur nota mesatare e hedhur në sistem është më e madhe, ose e barabartë me 6, atij maturanti do t’i shfaqet lista me të gjitha programet e studimeve që rezultojnë të jenë me kuota të parealizuara, si në universitetet publike dhe private, për garën e raundit të dytë të pranimeve, nga ku do të bëjë edhe përzgjedhjen e 10 degëve më të preferuara.
Ndërsa në rastet kur nota mesatare e hedhur në sistem është më e vogël se 6, atij maturanti do t’i shfaqet vetëm lista me programet e studimit dy vjeçare me karakter profesional të universiteteve publike apo private qe rezultojnë të kenë kuota bosh për pranimet e raundit të dytë.
Kjo kategori maturantësh do të plotësojë formularin vetëm me këto programe studimi 2-vjeçare duke ndjekur hapat e përcaktuar. Për maturantët dhe kandidatët që dëshirojnë të aplikojnë pranë Universitetit të Mjekësisë Tiranë, nota mesatare për programet e studimit të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike duhet të jetë më e madhe ose e barabartë me 8.
Për programet Mjekësi e Përgjithshme, Farmaci dhe Stomatologji duhet te jetë më e madhe, ose e barabartë me 8.5 Pra për ato maturantë dhe kandidatë që nuk plotësojnë këto kushte të notave mesatare të llogaritura sipas vendimit përkatës të qeverisë, programet respektive nuk shfaqen në formularin që ata do të plotësojnë dhe për rrjedhojë ata nuk mund ti përzgjedhin këto programe studimi.
Edhe në këtë raund, për kandidatët të cilët konkurrojnë për një nga programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, në Universitetin e Arteve, pikët llogariten sipas kësaj formule: Rezultatet e Maturës Shtetërore përbëjnë 30 për qind të totalit të pikëve (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e maturës shtetërore), ndërsa rezultatet e konkurseve të pranimit do të përbëjnë 70 për qind të totalit të pikëve në shpalljen e fituesve.
E njëjta skemë pranimi do të zbatohet edhe për fituesit në programet e Universiteteve të Sporteve. Raporti ndërmjet konkurrimit praktik dhe notës mesatare do të jetë në kufijtë 60 për qind për pikët e siguruara gjatë testimit individual, si dhe 40 për qind për pikët e mesatares. Sipas udhëzimit të MAS, shpallja e fituesve të raundit të dytë do të bëhet në datën 30 shtator. Ndërkohë që një ditë më pas, në datën 1 tetor do të nisë edhe procesi i regjistrimeve, cili do të vijojë sipas të njëjtës skemë të ndjekur në raundin e parë.
