Transferimi i Hysajt, takim javën e ardhshme

anazapta

 Empoli e Lacio do të diskutojnë javën e ardhshme mundësinë e transferimit të Elseid Hysajt në skuadrën romane. Pas spekulimeve pothuajse të përditshme, është vetë drejtori sportiv i Empolit, Marçelo Karli, ai që bën të ditur takimin, ndonëse thotë se dita ende nuk është caktuar. Më parë ka pasur kontakte të Igli Tares me agjentin e lojtarit, por jo me klubin, gjë që do të ndodhë së shpejti. “Kemi të reja, sepse javën tjetër do të kemi takimin me Lacion. Ende nuk e kemi caktuar ditën, por do të takohemi në Romë”, thotë Karli. “Nga ana e Lacios ka interesim dhe ne do të ishim të lumtur nëse do të ndihmonim që djaloshi të bënte një kapërcim cilësor, sigurisht duke plotësuar disa kushte”. Tri ditë më parë, presidenti i Empolit ishte shprehur se nuk e shet plotësisht kartonin e mbrojtësit kuqezi, duke dashur të mbajë gjysmën e pronësisë, por drejtori sportiv flet ndryshe. “Kur nuk e di se çfarë kërkon pala tjetër, nuk mund të dish nëse do të përpiqemi të shesim gjysmën apo të gjithë kartonin. Jemi të hapur për çdo variant, edhe për shkak se e dimë që tani është krizë financiare. Fillimisht të ulemi në tryezë, pastaj të shohim se ku do të arrijmë, pasi edhe Lacio është klub shumë serioz”. Ndërkaq, nga pala romane mësohet se Igli Tare punon që të fitojë bashkëpronësinë mbi lojtarin, me vlerë dy milionë euro. Është përmendur shpesh çmimi 4 milionë euro për Hysajn, por presidenti i Empolit nuk e ka konfirmuar si shifër. Pas kthimit nga Brazili, ku kishte shkuar për Andersonin e Lacios, tani Tare do të merret me Hysajn, duke pasur si një favor jo të vogël edhe dëshirën e lojtarit për t’u bashkuar me grupin kuqezi te skuadra romane, me kapitenin e Shqipërisë Lorik Cana dhe portierin e U-19, Thoma Strakosha.

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *