Video: Historia e një “Fenomeni”, Ronaldo mbush 41 vjeç

DITA Online

Thjesht Fenomen. Unik dhe i papërsëritshëm. Sepse, nëse sot CR7 dhe Messi luftojnë për titullin më të mirë të planetit, për tifozët më i miri i të gjitha kohërave do të jetë vetëm një: Fenomeni. Një kampion i përjetshëm, që sot mbush 41 vjeç.

Gëzime dhe dhimbje, triumfe dhe lot. Sepse futbolli i ka dhënë gjithçka Ronaldo-s. Në fillim ka ardhur talenti, më pas trofetë dhe lavdia. Por e ka bërë edhe të vuajë me dëmtimet e tmerrshme që nuk e kanë lënë kurrë të qetë. Po, sepse një si ai meritonte të fitonte më shumë. Si të mos mjaftonin 12 tituj në nivel klubesh, përveç Kupës së Botës në 2002-in dhe dy “Topave të Artë”.

I rritur në periferinë e Rios nga një familje e varfër, Ronaldo ka filluar të luajë zbathur në fushat e çrregullta të lagjes së tij. Nuk i është dashur shumë kohë për t’u bërë një nga sulmuesit më të fortë në botë. Nga futsal te Cruzeiro, ku ka debutuar në moshën 16 vjeç e tetë muaj. Më pas ka ardhur aventura në Europë me PSV: 54 golat në 57 ndeshje kanë bindur Barcelona-n që të shpenzonte 20 milionë dollarë. Edhe atje shifrat kanë qenë fenomenale: 47 gola në 49 ndeshje, kur ishte vetëm 20 vjeç.

“Kemi arritur marrëveshjen, Ronaldo është i yni”. Me këto fjalë e ka lajmëruar Massimo Moratti blerjen e Fenomenit në 1997-ën për 48 miliardë lireta. Vitet me zikaltrit kanë qenë një koncentrat emocionesh të papërshkrueshme, me Lazio-n që ka qenë gjithmonë në qendër të fatit të tij. Kundër bardhekaltërve ai fitoi Kupën UEFA në 1998-ën dhe dy vite më vonë, kur u përball me ta në finalen e Kupës së Italisë, ka dëmtuar gjurin. Dëmtimi i dytë, i tmerrshëm, që do ta shënjonte përgjithmonë karrierën e tij. Aventura me zikaltrit përfundoi në 2002-in, me lotët e derdhur për një kampionat të humbur në javën e fundit, gjithmonë për “faj” të Lazio-s.

Ronaldo është “ngushëlluar” me Kupën e Botës në Korenë e Jugut dhe ka fituar përsëri me Real Madrid, para se të kthehej në Milano, këtë herë me Milan-in, për një sezon kur arriti edhe të shënonte në derbin kundër Inter.

Një kampion njerëzor dhe, për rrjedhojë, i dashur, i paharruar. Atëherë, u bëfsh edhe 100 vjeç Fenomen. Sot, duke fryrë ato 41 qirinj, kushedi sa kujtime do të vijnë në mendje.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *