Shqiptarët e Greqisë dhe grekët e Shqipërisë

anazapta
Arvanitas në Greqi, litografi nga Luis Dupré, 1819

Ballkani e Shqipëria si pjesë integrale e tij, kanë një histori plot zigzage e ndërthurje. Lëvizjet masive e zhvendosjet e popullsive të tyre, nga një vend në tjetrin, janë edhe ato një pjesë e saj; copëz e kësaj historie janë edhe arvanitasit e Greqisë, ose ndryshe arbëreshët e Greqisë, e nga ana tjetër edhe grekët apo minoritarët, siç i njohim ndryshe në Shqipëri. Sigurisht se këto mund të perceptohen si teza të kontestueshme, nëse sjellim ndërmend plot kontribute të tjera shkencore e historike nga autorë shqiptarë, grekë e të huaj.

Sidoqoftë, për sa u përket këtyre të parëve, ne njohim (të paktën pas viteve nëntëdhjetë), edhe disa figura të shquara sikurse ishte studiuesi i shquar dhe ish-President i Lidhjes së Arvanitasve, Aristidh Kola (ndërroi jetë në vitin 2000), por edhe të tjerë bashkëkohës e paraardhës të tij, të inkuadruar shpesh në pozicionet më të larta politike, shoqërore e profesionale të shtetit grek.

Në këtë kontekst, më tërhoqi vëmendjen edhe një material në gjermanisht, i një studiuesi të mirëfilltë të çështjeve të rajonit tonë, dëshmuar e rekomanduar si një njohës i mirë e i paanshëm i problemeve të këtyre trevave (Dr. Konrad Clewing, specialist për çështjet shqiptare në Institutin e Evropës Juglindore të Mynihut) mbi shqiptarët dhe shqipfolësit e Greqisë, e gjithashtu me referenca edhe mbi grekët e Shqipërisë.

Ai përpiqet të japë me objektivitet e në një mënyrë, gjithsesi, të përmbledhur, historinë dhe gjendjen e tyre në të dyja anët e kufirit, duke ofruar në një pjesë të konsiderueshme edhe realitetet e pasviteve nëntëdhjetë. Flet për tendencën e asimilit të “arbërorëve”, ku si element kyç përmend atë gjuhësor, por flet edhe për çamët apo për krijimin e klubeve arvanitase e diku thekson edhe se: “Deri më sot, Greqia, pra për shkak të politikës së saj të mangët ndaj minoriteteve, nuk ka kontribuuar në tejkalimin e problemeve e mirëkuptimin në juglindje të Evropës”. Por, më tej konstaton se: Urbanizimi, migracioni dhe lëvizja sociale kanë ndikuar, që në mënyrë të vazhdueshme të humbë gjuha dhe dialekti i tyre e bashkë me të edhe ndryshimi apo humbja e identitetit.

Ndërkohë bën edhe konstatime që lidhen me gjendjen apo trajtimin e minoritetit grek në Shqipëri, duke tentuar të futet në tiparet themelore që e kanë shoqëruar jetën e këtij minoriteti edhe përgjatë viteve të diktaturës në Shqipëri.

Materiali i mëposhtëm, referon çështjet më kryesore që profesori gjerman ka cekur në studimin e tij dhe sjell për lexuesit thelbin e konstatimeve që ai ka pohuar në të. Artikulli është marrë nga revista “Pogrom – popujt e kërcënuar”, nr. 2/2001 ( shih: Albanischsprachige und Albaner in Griechenland soëie Griechen in Albanien,     Konrad Cleëing, Pogrom – bedrohte völker,  Heft 2 / 2001).

Më poshtë gjetjet kryesore të studimit të profesorit gjerman:

Pjesët e popullsisë shqipfolëse në Greqi, të ndara sipas historisë, gjuhës e ndërgjegjes kombëtare, nuk përbëjnë një grupim unik. Për këtë arsye, përcaktimi i tyre në greqisht si “arvanitas” është disi irritues për ta. Shkenca ndërkombëtare i përcakton ata si arvanitas, si pjesëtarët e vetëm të komunitetit të pasardhësve të emigrantëve nga zonat e Shqipërisë së Jugut. Vala e parë dhe e konsiderueshme e emigrimit të tyre ndodhi me ftesë të princërve e zotërve vendorë, duke filluar nga shekulli i 13-të, më pas me shekullin 14-të e vazhdoi deri në shekullin e 15-të. Qysh prej asaj kohe, arvanitasit u ngulën në rreth 300 vende e zona në jug të Greqisë; kështu u vendosën në Boti, në lindje, kufizuar nga Atika (rrethinat e Athinës), në disa nga ishujt e Egjeut (ndër të tjerë edhe në Euboa, Hidra) dhe në Peloponez.

 

Tendenca e asimilimit të “arbërorëve”

Në fillim ata parapëlqenin të cilësoheshin me një etnonim, një emër ky i përbashkët për të gjithë, e të quheshin kështu “arbërorë“. Gjuha quhet edhe ajo me prejardhje prej kësaj fjale, “arbërisht“. Pjesa më e madhe iu përshtat me kalimin e kohës edhe përcaktimit në greqisht për të përcaktuar origjinën e tyre gjuhësore, pra (arvanitika-arbërisht). Numri i arvanitasve, sipas kritereve të përdorimit gjuhësor, apo të vetëpërcaktimit, sipas ndërgjegjes, në ditët e sotme shkon në 150000-200000 vetë. Gjithsesi, “arvanitika“, ose “arbërishtja”, nuk parcelizohet vetëm në dialekte në mënyrë shumë të fortë, por edhe (bartësit) folësit e saj, ndërkohë janë të gjithë dygjuhëfolës e me një tendencë në rritje për ta humbur atë përfundimisht në brezat pasues.

Për asimilimin gjuhësor ka ndikuar fakti se kultura arvanitase ka qenë plotësisht fshatare. Ashtu sikurse edhe shoqëria greke në përgjithësi, ata prej kohësh po orientohen tashmë drejt zonave urbane, duke iu referuar apo më mirë, duke iu larguar modelit të jetës “arvanitogreke”.

Urbanizimi, migracioni dhe lëvizja sociale kanë ndikuar, që në mënyrë të vazhdueshme të humbë gjuha dhe dialekti i tyre e bashkë me të edhe ndryshimi apo humbja e identitetit. Madje edhe arvanitas të ndërgjegjshëm për prejardhjen e tyre e shohin veten tashmë si gjysmë grekë e gjysmë arvanitas, domethënë një identitet politiko-etnik nuk ka. Pjesa tjetër më nacionaliste greke propagandon se mund të jesh njëkohësisht edhe grek edhe arvanitas.

Mospërkujdesja ndaj gjuhës arvanitase e kulturës së saj, si dhe mospërfillja për shekuj e dekada të tëra në të gjitha aspektet, nga të gjitha institucionet shtetërore e religjioze, pra nga kisha greke (të cilës i përkasin edhe vetë arvanitasit) e këtij grupimi etno-gjuhësor, tregon se në thelb “marrëveshja” do të pranohet për aq kohë sa gjuha arvanitase e mbetur të kuptohet si një fazë kalimtare drejt asimilimit të plotë nga bota greqishtfolëse.

Kjo dhe mjedisi armiqësor ndaj shqiptarëve në Greqi pas viteve ’90, ka çuar në atë që klubet e grupimet arvanitase të orientohen tashmë më shumë tek ideja e “shqiptarizmës”. Klubet e grupimet arvanitase u krijuan nga fundi i viteve ’70-të.

 

Rizgjimi i ndërgjegjes etnike shqiptare

Një grup i dytë më i vogël shqipfolësish përbën banorët e disa zonave e fshatrave në zonën e kufirit midis Greqisë, Bullgarisë e Turqisë, apo të themi ndryshe, Thrakia. Ata janë mbetjet e fundit të një zhvendosjeje të madhe popullsie gjatë viteve 1922-’23, që u përqendruan me shumicë në këtë trekëndësh kufitar e që e folura e tyre ngjason me atë të grupimeve të të ardhurve në shekullin XVI.

Nga fillimi i shekullit XX, këtu erdhën edhe disa përfaqësues të lëvizjes kombëtare shqiptare, ndërsa sot në pjesën greke të saj gjithsesi është ruajtur gjuha shqipe ndër të rinjtë; në ndërgjegje te të qenit “arvanitas”, por edhe grekë.

Një grupim i tretë shqipfolës sot ka mbetur vetëm i pjesshëm: këta janë çamët (greqisht, tsamides) në një zonë të thepisur e në kufi me Shqipërinë, në veri të Greqisë që zgjatet deri në brigjet e Epirit.

Ndryshe nga dy grupimet e tjera, ata si historikisht, ashtu edhe në aspektin gjuhësor, janë pjesë e një zone të mbyllur e kompakte shqipfolëse; kishin, domethënë kanë, një ndërgjegje etnike kombëtare shqiptare. Për shembull, tek ata shqipja quhet po si në Shqipëri, pra shqipe.

Kur u krijua minoriteti, dy pjesët e tyre, gjysma myslimane e gjysma ortodokse, nëpërmjet vendosjes së kufijve në vitin 1913, pjesa myslimane në mënyrë zyrtare u përjashtua nga këmbimi midis popullsive turke e greke, por në fakt kjo popullsi myslimane u diskriminua. Si pasojë e bashkëpunimit të pretenduar me forcat italiane e ato gjermane, dhe me vendosjen e nëpunësve shqiptarë në zonat e pushtuara gjatë Luftës së Dytë, atëherë rreth 20000 shqiptarët myslimanë, të mbetur në vitin 1944, u përzunë në mënyrë masive nga trupat greke drejt Shqipërisë.

Çamët e mbetur të krishterë nuk njihen si të tillë nga legjislacioni e Kushtetuta greke. Ata janë shumë pak të studiuar, por duken të kenë një ndërgjegje gjithnjë e më shumë kombëtare dhe e zotërojnë gjuhën e tyre; qëndrojnë nën një presion të madh e të vazhdueshëm nga ana e shtetit grek. Por, ata nuk arrijnë të shpallen zyrtarisht. Në përgjithësi, shteti grek nuk i ka mbështetur studimet për grupimet shqipfolëse e nuk i ka njohur ata, porse e ka pranuar identitetin e tyre të veçantë kulturor.

Në disa zona çame myslimane, vetëm nga viti 1936 deri më 1939 janë bërë disa përpjekje “me gjysmë zemre”: të ofrohej mësimi në gjuhën amtare. Deri më sot, Greqia, pra për shkak të politikës së saj të mangët ndaj minoriteteve, nuk ka kontribuuar në tejkalimin e problemeve e mirëkuptimin në juglindje të Evropës.

 

Ana tjetër e medaljes: minoriteti grek në Shqipëri

Minoriteti grek në Shqipëri dhe ai shqiptar në veriperëndim të Greqisë, studiohen në përgjithësi duke u nisur nga ngjyrimet nacionaliste. Në fakt, të dyja grupimet e këtyre minoriteteve janë pasojë e të njëjtit fenomen: në vazhdën e luftërave ballkanike të viteve 1912-’13 u vendosën kufij të rinj në zonat që deri atëherë ndodheshin nën zotërimin e Perandorisë Osmane. Prej këtej lindi një grup minoritar grek në jug të Shqipërisë, të cilët sot shtrihen në një zonë relativisht kompakte (në jug të Gjirokastrës), pjesërisht të përzier me popullsinë shqiptare (në zonat fqinje bregdetare të qytetit të Sarandës).

Nëpërmjet migrimit të brendshëm, me kohë minoritarët grekë erdhën edhe në qytetin e Gjirokastrës, qytete të tjera e kryeqytet. Këtu duhet të kemi parasysh se bëhet fjalë në përgjithësi për pjesëtarë të minoritetit me një shkallë mbi mesataren e arsimimit, të cilët janë shumë të rëndësishëm për përfaqësimin e interesave të tyre.

Madje, edhe në kohën e regjimit komunist në Shqipëri, zonat minoritare ishin të përcaktuara qartë. Ato përmblidhnin, përjashto Himarën, të gjithë rajonin e minoritetit greqishtfolës. Mbrojtja e minoritetit asokohe kufizohej gjithsesi vetëm në ruajtjen rudimentare të gjuhës amtare e arsimimit të tyre. Shkolla të niveleve më të larta për mësimdhënie në gjuhën greke u ngritën vetëm pas viteve nëntëdhjetë.

 

“Loja” greke me shifrat

Por sa grekë ka në Shqipëri? Përgjatë periudhës midis dy luftërave botërore, numërohet numri më i madh i tyre, numër i dalë nga arkivat e Organizatës së Lidhjes së Kombeve. Kjo shifër varijon nga 35000-

40000 grekë. Regjistrimi i fundit i popullsisë në Shqipëri në kohën e monizmit, ai i vitit 1989, nxori një numër prej 58758 grekësh, ndërsa qeveria greke, nuk ka një shifër të saktë që e pretendon, por numri që shpesh pretendohet publikisht në shoqërinë greke e media është 300000-350000 grekë minoritarë në Shqipëri.

Të dyja statistikat janë shprehje e mendimit etnopolitik. Sipas rezultateve zgjedhore të vitit 1992, sidomos të Partisë së të Drejtave të Njeriut, asokohe Omonia, numri (ende para se të ndodhte vala e madhe e emigracionit dhe largimit masiv të shqiptarëve, për shkaqe ekonomike, drejt Greqisë), përcaktohet si më e sigurta në 100000-120000 veta.

Regjistrimi i numrit prej 300000-350000 përfshin aty edhe një pjesë të madhe të shqiptarëve ortodoksë e të komunitetit apo minoritetit arumun. Ky nocion, pothuajse ekspansiv, përdoret edhe nga përfaqësuesit politikë të minoritetit grek në Shqipëri, duke kontribuar thelbësisht në shqetësimin e shqiptarëve për rritjen artificial të minoritetit grek atje dhe ndikimin në marrëdhëniet me Greqinë.

Pasojat e mundshme të gjithë kësaj janë polarizime etnonacionale, si në zgjedhjet lokale në komunat e zonës së Himarës, në vjeshtën e vitit 2000. Është për të ardhur keq ndërkohë, që organizatat e minoritetit grek në Shqipëri bënë thirrje për bojkot të regjistrimit të popullsisë në prill 2001. Debati mbi përcaktimin përfundimtar të numrit të minoritetit është edhe për vetë pjesëtarët e përfaqësuesit e tij: një nga barrat e sfidat më të rënda.

 

Share This Article
5 Comments
  • Udheheqsit e shtetit Shqiptar gjate 100 viteve te fundit,atehere dhe kur u formua, nuk u esht pershtatur ideologjise,ne te cilen kan besuar Arbereshet,apo Arvanitasit te shtrire ne Greqi apo ne Itali?
    Ky komunitet i vjeter ne Greqi apo Italin e Jugut,behet sikur nuk kupton se kush jane vllezerit e tyre te nje gjaku,kur kemi parasysh te gjith udheheqsit,qysh nga Ismail Bej e drei tek AHMET Zagolli,ENVER HOXHA,Ramiz Alia,e Sali Berisha!
    Pra nje ideologji krejt e re per ta,me keta udheheqes!
    Besimi fetar tek keta udheheqes,nuk i ben ata, te ndergjegjsohen, si bijte e Gjergj Kastriotit!
    Nje ekonomi me standarte te larte mireqenje,do ti ndergjegjsonte edhe nje pjes tashme te haruar te ketj nacioni,te pranonin identitetin kulturor te tyre!

  • e ketu ke folur si burat une ja parimor kur eshte e drejte jepi gji thmone te drejten politikanet tone jane njeres pa palce kurizore sali berish nuk u mjaftua me tera ato qe na ka bere greku por i beri peshqesh grekut edhe zonen me te mire nafte mbajtese te jonit politika greke ka qene gjithmone antishqiptare ,ne duhet ti njohim grekett e ata mohojne camet ,,te shikojme tani e tutje

  • e ketu ke folur si burat une ja parimor kur eshte e drejte jepi gji thmone te drejten politikanet tone jane njeres pa palce kurizore sali berish nuk u mjaftua me tera ato qe na ka bere greku por i beri peshqesh grekut edhe zonen me te mire nafte mbajtese te jonit politika greke ka qene gjithmone antishqiptare ,

  • “moj e bukura More
    kur te lash e me s’te pash “,,,,

    – Moreja eshte Pelopobezim porej nga jane larguar Srbereshet e Italise. Morese i kendohet kjo kenge.
    Edhe sot Peloponezi dhe te tjera treva ,jane plot me arvanitas te pa asimiluar,

  • Nuk eshtë i sakte koncepti se Arvanitasit,jane te ardhur ne Greqi!Ne të vertet te ardhur ne Greqine e sotme,dihet historikisht dhe nga Herodoti,Tuqididi etj…jane grekete!Arvanitasit jane trashegimia,vazhdimesia e copezuar per qellime shoviniste,si kane qene greket(Lexo Van Loon) të cilet spostuan dhe përzunë banoret autoktone, te lashte dhe te paazgjesueshëm(Mu dhe shkrimi pellazgjik me ne fund u zbulua, ikur,natyrisht, prej grekeve barbare,ne Vulci,Itali nga studiuesi i mirnjohur italian Domenico Raso,po ketu nuk eshte vendi!Arvanitasit e thote me qarte studiuesi Kola, janë vazhdimesi e popullsise se lashte pellazgjike,natyrisht plot peripeci vuajtjesh gjer ne genocid ndaj Camerise, si thote nje tjeter studiues i njohur dhe qe eshte publikuar ne gazeten shqiptare”Telegraf”,vitin e kaluar,studime te cilat si kemi dijeni,jane nderprere,per arsye se gazeta ne fjale,nuk bën pagesat e ligjeruara per të drejten e autorit!…Shpejt do dalin ne drite dhe studime te tjera,por ky autor megjithse ka percaktuar drejt ekzistencen e arvanitasve,ne Greqi,nuk arrin të hyjë në thellesitë e verteta të prejardhjes se tyre plotsisht pellazgjike!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *