Moisiu: Vota e 23 qershorit, një revolucion i heshtur kundër arrogancës dhe autokracisë

anazapta

Ish-presidenti Alfred Moisiu e quan një “revolucion të heshtur” votën e 23 qershorit. Në një intervistë për Shekullin, Moisiu shprehet se më në fund “shqiptarët u zgjuan nga gjumi”. Për të, vota kundër për qeverinë “Berisha” sipas tij ishte një votë kundër arrogancës dhe autokracisë, por dhe kundër dëmeve mbi shtetin ligjor. Ai shton se ajo që kërkuan të largonin më së shumti shqiptarët me këtë votë ishte korrupsioni qeveritar, në krye të së cilit qëndron kryeministri, i cili tanimë është një profesor i vërtetë para nxënësit Nano, i cili gjithashtu ra nga pushteti për të njëjtin shkak.

““Inteligjenca e turmës”. Po përdor këtë titull që e lexova në një të përditshme shqiptare. Kemi dëgjuar të thuhet se janë paguar njerëzit e janë blerë vota… Për fat të keq këto punë janë bërë dhe herë të tjera. Por këtu nuk është problem masash të veçanta në drejtim të kaparimit të votës, këtu vota ishte masive dhe për gjykimin tim u votua kundër arrogancës e prepotencës, por dhe atyre mangësive serioze që përmenda më lart. Ky ishte një votim popullor, madje mund ta quaj: “një revolucion i heshtur”. Popullit i kishte ardhur në majë të hundës. E në këtë rast shqiptarët treguan përsëri veten. Ata nuk ishin në gjumë, siç mund të ketë menduar ndokush, mes të cilëve dhe unë. Duhet ditur se shqiptari u zgjua në momentin e duhur. Unë popullin tim e kam dashur dhe respektuar gjithmonë, por tani e dua dhe më shumë, sepse u tregua në lartësinë e një populli të civilizuar dhe europian, pavarësisht halleve të mëdha që e kanë pllakosur”, thotë Moisiu.

I pyetur nëse ka besim tek qeveria e re që po bëhet gati të vijë në pushtet, ish-presidenti Moisiu thotë: “Ky popull votoi jo vetëm kundër arrogancës, por dhe kundër mënyrës së menaxhimit të shtetit. Pra nuk votoi pse nuk donte Berishën e donte Ramën. Populli kërkon ndryshimin në koncept të drejtimit e menaxhimit të shtetit. Dhe nëse kjo mazhorancë që ka ardhur nuk do të marrë masa për të ngritur shtetin, për ta kthyer nga një shtet tribal që kemi aktualisht në një shtet ligjor, unë them se kjo mazhorancë mund të sfumohet shumë shpejt. Pra duhet të jetë shumë e kujdesshme, që premtimet që kanë dhënë, të marrë masa të shpejta dhe konkrete për t’i vënë në jetë. Lidershipi i së majtës këtë duhet ta ketë të qartë, se edhe për ta ky votim duhet të shërbejë si një mësim. Populli të toleron, por nuk të fal. Siç nuk fali Berishën nuk do fali as Ramën edhe Metën, në qoftë se ata gjërat që kanë thënë nuk i bëjnë realitet. Problemi kryesor është që të ndërtohet shteti ligjor. Unë mendoj se ka ardhur koha që ne të ndërtojmë Republikën e re. Amendimet në kushtetutë ishin një gabim i rëndë që duhen korrigjuar. Por duhet rregulluar dhe çështja e zgjedhjes së Presidentit. Sepse zgjedhja e presidentit tek ne është kthyer në një pazar politik dhe kështu na del një president i “sakatosur”. Presidenti është kryetar i shtetit, është mbi palët, ai duhet të përfaqësojë unitetin e popullit. Të gjitha këto ai duhet t’i bëjë duke pasur një përkrahje më masive. Pra Presidenti të mos dali si rezultat i pazarit mes forcave politike, por si rezultat i vullnetit direkt të popullit”, shprehet ai.

 

Share This Article
3 Comments
  • Te pakten ne keto 23 vjet te shtetit postkomunist shqiptar, Alfred Moisiu, mbetet i vetmi Burre Shteti qe ka patur ky vend, i vetmi President edhe pse i zgjedhur nga e djathta dhe konsensualisht, qe luftoi dhe diti te drejtoi institucionin e Kryetarit te shtetit ne menyren me te pavarur te mundeshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *