“Të fitosh 2 mld euro dhe të luash në këto kushte është e papranueshme”

Gazeta Dita

Trajneri i Napoli-t, Maurizio Sarri, ka komentuar dëmtimin e Milik gjatë konferencës për shtyp të dhënë në prag të ndeshjes së Champions League kundër Feyenoord.

“Milik ka qenë i pafat, po rikuperonte formën e tij më të mirë. Më vjen keq, por nuk duhet të qahemi. Dua të them se askush nuk e ka drejtuar gishtin nga një fushë e padenjë. Është dëmtuar për shkak të kësaj?

Nuk e di, por terreni është aspekti më i rëndësishëm i këtij aktiviteti. Nëse një aktivitet që ka 2 miliardë euro të ardhura nuk bën të mundur që fusha të jetë në nivelin më të mirë të mundshëm, kjo është e papranueshme”.

Sarri ka sulmuar edhe UEFA-n: “Është hipokrizi t’i detyrosh ekipet të luajnë 70 ndeshje në vit dhe më pas të limitosh listat e UEFA-s në 21 lojtarë, është e kotë të kesh më shumë lojtarë, nëse nuk mund t’i aktivizosh.

Diskutimi që bëhet për Milik mund të bëhet edhe për mbrojtësit, që janë katër për dy role. Është një problem për çdo skuadër. Nëse Icardi dhe Higuain dëmtohen, dhe shpresoj që kjo të mos ndodhë kurrë, skuadrat e tyre do të kishin shumë probleme”.

Në lidhje me reduktimin e skuadrave të Serie A: “Ka nga ata që janë në favor dhe nga ata që janë kundër. Nga njëra anë pakësohen ndeshjet, nga tjetra i hiqet ëndrra shumë qyteteve dhe reduktohet numri i klubeve që mund të luajnë në kategorinë kryesore.

Gishti duhet drejtuar nga kombëtaret, duhet të reduktohen ndeshjet e tyre dhe puna e klubit do të ishte më cilësore. Napoli do të mund të punojë për një javë të plotë vetëm në dhjetor, kjo thotë gjithçka”, ka thënë Sarri.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *