Mesfushori italian i PSG, Marco Verratti, deklaroi sot se blerja rekord e brazilianit Neymar dhe afrimi në minutën e fundit i Mbappe, ka rritur maksimalisht shanset që klubi parisien të fitojë më në fund trofeun e parë më të madh në arenën europiane, UEFA Champions League.
“Afrimi i futbollistëve në nivelin e Neymar dhe Mbappé do të na mundësojë që t’i afrohemi një hap më shumë objektivave tonë, sepse ata janë fenomenalë. Një klas futbollistësh që shumë pak ekipe kanë në përbërje. Champions League është objektivi ynë kryesor dhe me ardhjen e tyre, shanset tona janë rritur konsiderueshëm” deklaroi Verrati në një deklaratë për mediat të shpërndarë nga PSG.
“Neymar është testuar tashmë prej 3-4 vitesh dhe ndodhet mes tre futbollistëve më të mirë në botë. Është e jashtëzakonshme të shohësh se çfarë është i aftë të bëjë me topin”, shtoi Verratti në vlerësimin e tij për Neymar, ndërkohë që në lidhje me trajnerin Ancelotti, me të cilin ai dhe PSG do të përballen të mërkurën si kundërshtarë, në ndeshjen ndaj Bayern Munich, ai deklaroi:
“Ancelotti ka luajtur një rol thelbësor në karrierën time dhe ka qenë një prej protagonistëve më të rëndësishëm në futbollin botëror”.
