Dedë Gjon Luli përballë shovinistëve

Ornela

Prof. Gazmend Shpuza

 (Vijon nga numri i kaluar)

Duke pasur parasysh sa u tha më sipër rreth pretendimeve të autorëve të huaj, për sa i takon karakterit të kësaj kryengritjeje, nuk mund të mos çuditë fakti, që ka edhe ndonjë autor shqiptar, i cili, dashur pa dashur, bie në po këto pozita duke i bërë jehonë tezës mbi, kinse, inferioritetin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Veri të vendit në rrafsh politik në krahasim me atë që u zhvillua në Jug të tij. Ai do të shkruante: “Jugu e ushqente Lëvizjen Kombëtare Shqiptare me mendimin politik kombëtar, ndërsa Veriu e fuqizonte të parin me kryengritje të armatosura të parreshtura. Ishte, pra, ky një bashkërendim veprimesh me kokë dhe me çark” (?!).

Shkrirja e lëvizjes së armatosur të masave popullore me luftën politike të ndërgjegjshme të qarqeve politike atdhetare intelektuale brenda dhe jashtë vendit, ashtu sikurse në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shënonte një sukses shumë të rëndësishëm për lëvizjen tonë kombëtare edhe në prag të shpalljes së Pavarësisë. Kjo ishte një dëshmi shumë e qartë dhe shprehëse e shkallës së lartë në të cilën kishte arritur ndërgjegjja kombëtare e masave të thjeshta malësore, të menduara si forca të prapambetura, pre e patriarkalizmit, prapmbetjes dhe e ndikimit absolut të forcave reaksionare të vendit dhe të huaja. Nga këto pozita, Dedë Gjo Luli, i deklaronte përfaqësuesit të Perandorisë Osmane në Cetinë në kohën, kur ky po përpiqej t’i bindte malësorët, që të hiqnin dorë nga kërkesat kombëtare dhe të kënaqeshin me plotësimin e disa kërkesave të karakterit lokal që iu paraqitën atyre nga misioni i meshtarve shqiptar, të cilëve u printe argjipeshkvi Serreqi, veç të tjerash, se të drejtat që kërkonin në “Librin e Kuq”, i donin, siç u tha, jo vetëm për vete, por për të “tanë Shqypninë”.

Deda me vetëdijen e tij të lartë bëhej interpret autentik i të gjithë baskëluftëtarëve të tij të cilët poshtë “Librit të Kuq”, Menorandumit të Greçës të shkruar shqip dhe frengjisht nga Luigj Gurakuqi,  kishin vënë vulat e tyre metalike (myhyret): Sokol Baci (Grudë), Dedë Gjon Luli (Hot), Dedë Nika (Grudë), Dodë Preci (Kastrat), Tomë Nika (Shkrel), Cal Dedi (Selcë), Lulë Rapuka (Vukël), Llesh Gjergji (Nikç), Gjeto Mark Ujka (Hot), Mehmet Shpendi (Shalë), Avdi Kola (Gimaj), Nikë Mehilli (Shllak), Tup Çuni (Prekal), Binak Lulashi (Toplanë), Bash Bajrami (Nikaj) dhe Bek Delia (Dukagjin). Siç shihet, midis tyre, ka mjaft nga ata që mbanin emra e mbiemra myslimanë, pa farë droje apo kompleksi, se mos cënonin identitetin fetar dhe aq më pak identitetin e tyre kombëtar.

I angazhuar qysh në vitet e lavdishme të Lidhjes së Prizrenit, në luftën për mbrojtjen e trojeve amtare nga ambiciet shoviniste të knjazit të Malit të Zi, Dedë Gjo Luli me malësorët e tij u ndeshën jo vetëm me forcat malazeze, por dhe me vendimet antishqiptare të Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit dhe pas 35 vjetësh dhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Këto vendime përgjysmuan trojet amtare përfshijë vendlindjen e Dedës. Më se gjysma e shqiptarëve që nuk e gëzuan pavarësinë nuk u pajtuan asnjëherë me këto vendime krejtësisht të padrejta.

Qëndrimi i Dedë Gjo Lulit, përballë këtyre vendimeve, ka mbetur proverbial. Prej tyre po kujtojmë vetëm përgjigjen, që plaku ynë i dha më 1913 admiralit anglez Sesil Burnej, kur ky i komunikoi se Hoti dhe Gruda kishin marrë fund për Shqipërinë: “Ti zotni ke hyqëm me shitë kopshtin tand, se atë temin as nuk e shes, as nuk e fali”, duke përfunduar, pa iu dridhur qerpiku,: “A ka tagër (të drejtë) dhe forcë Europa me më ndalë që ta derdhi gjakun tem?”.

Shovinistët serbë në bashkëpunim me veglat e tyre, forcat esadiste, dhe krerë vendas mundën ta kapin në pabesi, Dedën bashkë me të birin e shoqëruesit e tij. Me anën e një letre të shkruar në emër të kapidan Marka Gjonit dërguar përmes Kolë Tomës së Velës Dedën e ftonin të merrte pjesë në një mbledhje të krerëve të Malësisë, që do të mbahej te kisha e Oroshit.  Ndërkohë abati i Mirditës, Preng Doçi, sapo ishte nisur për në Shkodër, ndërsa kapidani, siç thuhet, ishte fshehur prej frikës së serbëve dhe të esadistëve.

Mirditasi Pal Doçi, autori i mirënjohur i disa botimeve shkencore, midis tyre dhe i biografisë më të parë e me sa dimë edhe të vetme, deri më tash, kushtuar Dedës, dëshmon për qëndrimin të paktën jo korrekt të derës së Gjonmarkajve. Këtij mendimi P. Doçi i mbahet dhe në botimin e tretë të saj në vitin 2003 dhe e mbështet, sipas shkrimtarit Sandër Gera, dhe Nora, e reja e Dedës, më 1962.

Dedën dhe grupin e tij, midis tyre dhe pesë mirditas i pushkatuan në Sheshëz të Mirditës më 24 shtator 1915.

Nuk është rastësi dhe ia vlen të nënvizohet fakti që Dedën nga Malsia e Madhe e ekzekutojnë ushtarët e krajl Pjetrit në Mirditë ndërsa Isa Boletinin nga Kosova e ekzekutojnë ushtarët e krajl Nikollës në Podgoricë, për t’i shlyer borxhin krajl Pjetrit. Një ndarje djallëzore e detyrave midis Beogradit dhe Cetinës.

Dedë Gjon Luli arriti të vihej në ballë të lëvizjes çlirimtare mbarëshqiptare që po ngrihej në Shqipëri në fillim të shekullit të kaluar në saj të atdhetarizmit, me një përfytyrim të saktë të raportit të kombësisë plurifetare shqiptare me institucionet klerikale që drejtoheshin nën një kontroll të rreptën ga politika shtetërore evropiane, ballkanike dhe osmane. Nga përvoja historike e Malsisë së Madhe, ku lindi, u rrit dhe u formua ai krah për krah Çun Mulës, Smajl Martinit, Mehmet Shpendit e plot të tjerëve, arrin në përfundime tejet të përparuara për kohën. Ai aty u rrit midis feve dhe përballë politikave që shfrytëzonin dhe shpërdoronin ndarjen fetare të shqiptarëve.

Popullsia e Malsisë së Madhe qe ndarë që heret në katolikë e ortodoksë, më pas në shumicë pravosllavë, e pranë tyre, për mendimin tim, besohet se nuk kanë munguar edhe ata bogomilë. Si rrjedhim, Kuçi shqiptar administrohej nga një vojvod katolik dhe një ortodoks pravosllav. Pas pushtimit osman pranë tyre u vendos natyrshëm dhe një i tillë i besimit islam. Shqiptarët e besimit ortodoks jo vetëm ata të Kuçit por dhe të Vasojeviçit, Drekaloviqit dhe të Palabardhajt (bjellopavliqët) përmes liturgjisë dhe shkollavet në saj të zbatimit të sistemit tejet tolerant të mileteve të zbatuar nga osmanët, gradualisht u sllavizuan. Ndarja fetare çoi në ndarje etnike, në shkëputjen e shqiptarëve ortodoksë nga vëllezërit katolikë dhe nga ata që u islamizuan deri në kunërvenjen luftarake midis tyre. Islamizimi nuk çoi në turqizimin e masës së madhe të besimtarëve që kaluan në fenë e re. Bashkëjetesa e trashëguar dhe e përforcuar nuk lejoi që kjo ndarje e re të shndërrohej më tej në përçarje fetare dhe etnike në shkallë mbarëshqiptare.

Në fillim të vitit 1897 në Malsi me përdhosjen e objekteve të kultit të të dy besimeve nis një fushatë për të shkaktuar grindje midis banorëve myslimanë dhe katolikë deri brenda  në qytet të Shkodrës.  Ato filluan me ngritje e heqje kryqesh në Rrjoll. Vijuan me thyrje kryqesh nëpër varreza e therrje derrash nëpër xhami. Prapa këtyre provokacioneve të rrezikshme qëndronin agjentura të huaja apo dhe klerikë fanatikë, rivalitetet midis tyre e deri midis urdhrave fetarë, françeskanë dhe jezuite. Rrethet katolike ekstremiste austriake përballë ndikimit në rritje të institucioneve homologe italiane ishin të interesuar të krijonin një situatë të tensionuar nga e cila ata të shfaqeshin mbojtësit e vetëm të katolicizmit në Shqipëri.

Për të mjanuar rrezikun e një përleshjeje fetare në Shkodër dhe rrethina në këtë gjendje tejet të ndezur, kontribut të veçantë dhanë Dedë Gjon Luli i Hotit katolik dhe Baca Kurti i Grudës mysliman. Ata krah për krah bashkatdhetarëve e Shkodrës, bënë të mundur arritjen e marrëveshjes midis elementëve të ndryshëm fetarë. Ata morrën vendimin për dënimin maksimal të zbatuesve të këtyre provokacioneve, katolikë dhe myslimanë.

Kronisti erudit e i palodhur i historisë dhe i traditave të qytetit të Shkodrës me rrethinat, Hamdi Bushati, na përcjell dëshmi interesante edhe për këtë aspekt të qëndrimeve të Dedës në favor të bashkimit kombëtar të bashkatdhetarëve. Ai u rreshtua në krah të Mustafa Agë Sykja-s, nismëtarit autoritar dhe energjik të përpjekjeve për kapërcimin e pasojave tejet të rrezikshme të provokacioneve të sipërpërmendura. Atyre që u çuditën se si Deda vuri myhyrin (vulë metalike me emrin e tij) në marrëveshjen historike dhe ndonjerit që nuk e miratonte qëndrimin e tij ai i përgjigjet prerë dhe me guxim: “Po të më thoshte Mustaf aga me u ba turk (mysliman) ndoshta do ta pranojshe propozimin e tij, jo ma me vu myhyr në mazbatë (teksti i marrëveshjes) për me u pajtue me vllaznit tonë”. Kështu shprehej Deda një katolik i devotshëm, i shquar së parit për shqiptarinë e tij.

Edhe më i prerë qe Deda kundër propagandës së klerikëve të huaj dhe s’bashku me ta edhe të ndonjë meshtari shqiptar në mbështetje të tezës së bashkimit të Malësive katolike me Malin e Zi të krishtenë kundër osmanëve. Kundër kësaj propagande doli pater Mark Gojani frati i Rrapshës i mbështetur nga Dedë Gjon Luli. Prandaj, pater Bazile përpiqej ta largonte M. Gojanin nga Hoti.

Prijsi i Hotit, më 27 shkurt 1904, i shkruan arqipeshkvit të Shkodrës austriakut Karl Poten: “Ngatrrestarëve u kanë pri frati i Trieshit dhe ai i Grudës me ta asht ba edhe P. Gjoni i Kastratit. Jazëk për meshtarë shqiptarë kundër vllaut të vet kësisoj me punue, ma mire me ndej kishat të mbylluna. Në qoftë ndokush meshtar gjakut e vllaznisë sonë, po e përbejë për mund e gjak të Skenderbegut që e ka derdh për Shqypni, të na dale zot te zotnia jote.”

Një propagandë e tillë, mjerisht, zuni vend për pak muaj, pa kaluar as dhjetë vjet, Mali i Zi më i pari nisi Luftën  Ballkanike dhe iu turr Shkodrës. Bajraktarë të blerë nga krajli nxitën malësorët të rreshtohen përkrah forcave të tij e madje t’u prinin atyre deri para mureve të Rozafatit. Dom Nikoll Kaçorri do të ngrihej kundër kësaj propagande së cilës tani, do t’i printe vetë arkipeshkvi J. Serreqi.

Armiqtë e jashtëm dhe reaksioni vendas esadisto-bajraktar të bindur, që tek Dedë Gjo Luli e shumë e shumë atdhetarë të tjerë, kishin të bënin me kundërshtarë të papërkulur të synimeve të tyre armiqësore ndaj Shqipërisë, kapën me tradhëti dhe ekzekutuan me dhjetëra sish, duke filluar me Ç. Topullin e M. Qullin për të vazhduar me M.Shpendin e I.Boletinin, me G. Butkën e I. Klosin, Th.Gërmenjin e S. Nivicën e shumë të tjerë, deri në fund të Luftës së Parë Botërore. Një fushatë masive përbën ajo që ndërmorën shovinistët serbë dhe malazezë në ndihmë të agjentit të tyre, Esad pashë Toptanit, për zhdukjen e “rebelëve”, atdhetarëve, si Ahmed Bejtaga, Qamil Haxhifeza, Haxhi Qamili, Osman Picari, Sadi Tatani, Bajram Xhani, Haxhi Qira, MaksutTroplini, Reshit Gjata, Nebi Bali, Muharrem Xhafa e dhjetra të tjerëve.

Udhëheqësit më të vendosur të Kryengritjes antiesadiste pas largimit të princ Vidit nga Shqipëria, u akuzuan si “dumbabistë”, nga dumbabistët më të flaktë që nga vetë Esad pasha dhe krahu i djathtë i tij Faik Konica, si dhe Musa Qazimi e të tjerë, si dhe nga klerikë katolikë, të cilët përkundrejt V.Vidit protestant parapëlqenin princ Fuatin e Egjyptit. Vjena nuk e pati të vështirë t’ua shuante këtë dëshirë të thekur dumbabiste. Atyre nuk u mbeti tjetër veç t’u binin më fort se përpara daulleve të “dumbabismit” esadist për të akuzuar sit ë tillë kryengritësit  antiesadistë të udhëhequr nga H. Qamili. Këto daulle të vjetra nuk kanë të pushuar dhe sot e kësaj dite, tashmë, të arrnuara me një disidence kallpe postdiktatoriale të autorëve të letërsisë socialiste, e cila nuk përfaqëson në thelb veçse mbeturinat e ringjallura të esadizmit faikian.

Dedë Gjo Luli është përfaqësuesi më i madh i një familjeje atdhetare, e cila u shua e tëra në luftërat për çlirim kombëtar. Si i tillë Dedë Gjo Luli, bën pjesë në atë plejadë udhëheqësish të shquar popullorë si Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi, Alush Taka, Muharrem Rushiti e të tjerë, të cilët dhanë një ndihmesë të pallogaritshme për shkrirjen e programit të Rilindjes Kombëtare me luftën e armatosur të masave dhjetra mijëshe të kryengritësve. Në sajë të këtij bashkëpunimi, lufta e paprerë e popullit tonë kundër sundimit të huaj shumëshekullor, mundi të kapërcente karakterin spontan dhe të fitonte një ndërgjegje dhe organizim në shkallë kombëtare si në kohën e Lidhjes.

Megjithse analfabet Deda me shokë arritën ta perceptonin e madje ta përvetësonin drejt programin e Rilindjes, të bënin një hop shumë të madh në formimin e tyre politik dhe me ndikimin e gjerë që gëzonin në popull, kontribuuan në mënyrë vendimtare që idetë programatike të Rilindjes, të depërtonin thellë në gjirin e masave kryengritëse. Një ndihmesë të veçantë në këtë drejtim dhanë edhe atdhetarë e revolucionarë intelektualë nga të gjitha viset shqiptare, të cilët u lidhën ngushtë me forcat kryengritëse, me masat popullore, u futën në gjirin e tyre, apo edhe luftuan krah për krah kryengritësve në vitet 1910-1912, si Ismail Qemali e Hasan Prishtina, Hil Mosi e Risto Siliqi, Sali Hoxha (Hidi) e Hasan Ballanca, Luigj Gurakuqi e Themistokli Gërmenji, Sali Nivica, Namik Delvina e Musa Demi e plot të tjerë.

Dedë Gjo Luli, i vënë përballë sulmesh të padrejta për të njollosur figurën e tij, mbetet ashtu sikurse e ka vlerësuar demokrati i madh Avni Rustemi: “Burrë i pa frikë dhe i panjollë i maleve tona”. Norën të renë e Dedës, para bustit të heroit, birit të Libohovës, lotët e tradhtuen burrneshën. Kur e pyetën se çfarë e lidhte me Avni Rustemin, ajo siç tregon Sandër Gera, u përgjigj; “Ky asht im bir, që ka marrë hakun e babë Dedës dhe të burrit.”

Me atdhetarizmin, aftësitë organizative e luftarake, autoritetin dhe mendjen e tij të madhe Deda, meritat e të cilit jo pak kush është përpjekur t’i përvetësojë, mbetet dhe sot e kësaj dite me jetën dhe veprën e tij, shembull për brezat e sotshëm dhe të ardhshëm jo vetëm për njerëzit e thjeshtë, por dhe për intelektualët dhe politikanët. Edhe sot, pas 102 vjetësh të vrasjes së tij ai, siç ka thënë Plaku i Vlorës, Ismail Qemali për bashkëluftarin e tij të besës, Plakun e Hotit, Dedë Gjon Luli, mbetet “Pushkë e ngrehur për Shqipërinë”. Kjo thënie e marrë në kuptimin e saj më të gjerë, jo vetëm, në rrafsh luftarak, por dhe në atë politik kombëtar e jep jo vetëm figurshëm në mënyrë të plotë portretin e Heroi i Popullit, shqiptarit të madh.

 

 

Share This Article
1 Comment
  • Lavdi Ded Gjon Lulit-HERO-Mbrodhesi e Atdheut tone !
    Nga Pasuesit veterene Toronto-PAVETO.

    Faleminderit i nderuari dhe i pa lodhuri atdhetar;Z. Gazmend Shpuza,sa na kthiellon kete figure te ndritur, Te pa shoqin Ded Gjon Luli,krah me shoke te asaj periudhe te ndritur,Luftes per Pavaresi sa mbrojties nga synimet fqinje,shpallien e Pavaresise dhe konsoludimin e saj. .*(Une, 82 vjecar Pasues veterani, jam krenar dhe ;si pasues i birit te “Dangellise Naimjane”, Zavalanlliut ;Kapedan Jano Xhoga,bashkekohes te Ded Gjon Lulit, ne krahinen e Dangelli-Shqerise,(mes Permetit-Kolonje Leskovikut e Skraparit,) dhene jeten krye cetes qe komandonte, me1913 te,ne mbrojtie te Pavaresise,(nga synimete fqinjeve grabitqare),sa shpallur Ismail Qemali, Nendor 1913te.Faleminderit, Qarku i Gjirkastres, nderuar me titullin: “MIRENJOHIE”)
    **Ju i nderuar Gazmend Shpuza,me penen tuaj na bete ,te jetojme me ate periudhe herroike atdhetare, sa me te renet e saj,per te cilet jemi krenare me:”DED GJON LULET”..paraprires.
    I perjeshem kujtimi dhe vepra e tyre.
    Ti perkujtojme ne kete pervjetor te lavdishem 550 te te Gjergj Kastriotit -Skenderbe me; 104 vjetorin e Pavarsise dhe 74 te Clirimit te vendit me Luften N.Clirimtare1939-44-ter.
    .Nga tej oqeani ju shkruajme,(Toronto)i entuziazmuar, ketu krijuar Shoqate e Pasues Veteraneve “PAVETO” emertuar,krijuar kjo, ne kuadrin e 550 vjtetorit te herroit tone Kombetar: Gjergj Kastriotit-Skenderbe.

    Pasuesi Veteran -i shoqates- “PAVETO”-82 vjecari.(1)

    1-Shoqata: “Pasuesit veterane Toronto”.

    Toronto 27-09-2017 Guri Naimit D.(Dh Xhoga),

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *