“Kriza” e vjeshtës te Milan e ka gjetur viktimën e parë! Emanuele Marra nuk është më përgatitësi atletik i kuqezinjve. Lajmin e ka bërë të ditur, vetë trajneri Vincenzo Montella, në profilin e tij në “Twitter”, ku ka shkruar:
“Rifillim Milan: Kam menduar për një kohë të gjatë si ta rris përgatitjen e ekipit. Ta nisim nga përgatitja atletike. Pas një analize shumë të kujdesshme, kam bërë vlerësimet e mia dhe mes fushave ku duhet të përmirësohemi kam evidentuar përgatitjen atletike, për të cilën kam vendosur të ndjek një plan të ri që fatkeqësisht nuk gjeti miratimin e plotë nga bashkëpunëtori im në këtë fushë, Emanuele Marra. Së bashku me të vendosëm, me shumë keqardhje, të ndërpresim marrëdhënien profesionale. Gjej rastin për ta falënderuar për punën që ka bërë gjatë këtyre viteve në përkrah meje.”
Marra, nga Roma, ishte një bashkëpunëtor “historik” i trajnerit kuqezi, që në hapat e para të karrierës. Ata kanë punuar së bashku te Fiorentina dhe Sampdoria.
