Që në debutim trajneri i Kombëtares shqiptare, Christian Panucci, solli tre lojtarë të rinj, madje dy prej debutuan në ndeshjet e shtatorit, pikërisht Valon Ahmedi dhe Hysen Memolla, ndërsa Ivan Balliu pret shansin e tij më 6 tetor në Spanjë, duke qenë se ka shumë mungesa në radhët e kuqezinjve.
Pikërisht nisur nga mungesat e shumta, sidomos në repartin mbrojtës, Panucci pritet të grumbullojë një tjetër futbollist që ka spikatur në Itali.Bëhet fjalë për mbrojtësin Emanuele Ndoj. Ai luan në qendër të mbrojtjes dhe aktivizohet tek ekipi i Breshias në Serie B.
Më 21 nëntor Ndoj mbush 21 vjeç dhe kohët e fundit është aktivizuar me ekipin Shpresa që drejtohet nga Alban Bushi. Shtatlarti Ndoji u spikat nga De Biasi gjatë muajit shkurt, madje ish-trajneri i Shqipërisë pohonte se shumë shpejt Emanuele Ndoj do të jetë pjesë e Kombëtares shqiptare.
Dhe duket se ka ardhur momenti i mbrojtësit shqiptar, që ka luajtur edhe për të rinjtë e Roma-s. Në fundjavë Panucci do të shpallë listën për dy ndeshjet e fundit eliminatore “Rusi 2018”, pikërisht atë ndaj Spanjës më 6 tetor dhe me Italinë më 9 tetor, ku një ndër emrat e rinj është Emanuele Ndoj. Pritet vetëm shpallja e listës. Bushi e pati deklaruar që nga ekipi U-21 janë gati 6 lojtarë për Kombëtaren A.
