Datat e testit të praktikës për farmacistët e rinj

Ornela

Pranvera Kola – DITA

Rezultatet pozitive në testin e praktikës janë vendimtare për të gjithë farmacistët e rinj që duan të garojnë në mbyllje të vitit për të fituar lejen e ushtrimit të profesionit. Vlerësimet për dijet e fituara gjatë ndjekjes së praktikës profesionale do të zhvillohen në datat 12-20 tetor, sipas një kalendari të përcaktuar për secilin kandidat.

Autoritetet e Urdhrit të Farmacistit bëjnë me dije se të gjithë kandidatët që kanë shlyer tashmë detyrimet me ndjekjen e praktikës, duhet të bëjnë regjistrimin përkatës brenda datës 10 tetor, për të hyrë në testin e praktikës, i cili do të zhvillohet vetëm me gojë para një komisioni ekspertësh të kësaj fushe, në datat e përcaktuara.

Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara datat e testimit për secilin kandidat (ku identifikimi bëhet nëpërmjet numrit të dosjes së praktikës të përcaktuar për secilin aplikues). Praktikantët që i nënshtrohen provimit të praktikës profesionale në mënyrë  të përsëritur, duhet të paraqesin brenda dhjetë ditëve të ardhshme kërkesën dhe mandatin e pagesës prej 5 mijë lekësh të derdhur në një nga bankat e nivelit të dytë. Ndërsa kandidatët që e japin për herë të parë këtë testim gjatë këtij sezoni, tarifa që duhet të shlyejnë është 10 mijë lekë.

“Provimi i aftësimit praktik do të organizohet në ambientet e Urdhrit në datat 12-20 tetor, sipas ndarjes së detajuar për secilin praktikantët që plotëson kriteret e kërkuara. Ditën e provimit secili kandidat duhet të ketë me vete kartën e identitetit, në të kundërt nuk mund të hyjë në testim”, sqarohet nga Urdhri i Farmacistit. Gjithashtu është zbardhur edhe fondi bazë i pyetjeve, rreth të cilave do të orientohet testi i praktikës. Fondin me 252 pyetjet dhe ushtrimet përkatëse të praktikës gjendet i plotë online në faqen e Urdhrit të Farmacistit.

Sa i takon vlerësimit, provimi i praktikës konsiderohet i kryer vetëm pas vlerësimit pozitiv të dhënë nga komisioni. Konkretisht, testimi i aftësimit praktik cilësohet pozitiv nëse kandidati është vlerësuar me 50-100 pikë. Ndërsa ata që do të marrin më pak pikë se sa ky kufi i përcaktuar, duhet që të japin nga e para provimin. Por, për këtë duhet të presin sezonin e vitit të ardhshëm kur do të zhvillohen testimet e radhës të praktikës profesionale, çka do të thotë se nuk mund të konkurojë në mbyllje të vitit për licencën. Hyrja në provimin e praktikës lejohet deri në pesë herë.

Nëse kandidati do të dështojë edhe herën e pestë, ai nuk mund të ushtrojë më profesionin përkatës të farmacistit. Janë një sërë kategorish të kandidatëve që përjashtohen nga detyrimet për ndjekjen e praktikës tre mujore.

Mund të përjashtohen plotësisht, apo pjesërisht nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale, të gjithë kandidatët që provojnë se për një periudhë të caktuar kohore, kanë ushtruar profesionin përkatës, apo kanë kryer praktikën profesionale jashtë vendit, që i ka dhënë mundësi të përvetësojë dije profesionale të mjaftueshme në fushën e farmaceutikës.

Për t’u bindur nëse përvoja e kandidatit është e mjaftueshme aq sa për ta përjashtuar nga ndjekja e praktikës, autoritetet drejtuese të këtij urdhri, do të kërkojnë edhe dokumentin përkatës të lëshuar nga institucioni ku kandidati ka ndjekur këtë formim. Vetëm kandidatët që do të kalojnë me sukses provimin e praktikës do mund të hyjnë në sezonin e provimeve të shtetit që do të zhvillohet përgjatë muajit dhjetor për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit (licencën profesionale).

Rezultatet kaluese në këtë provim e lejojnë kandidatin që të pajiset me lejen e ushtrimit të profesionit. Janë me qindra kandidatët që janë në pritje të këtij sezoni testimesh për të konkurruar për licencën, pjesa dërrmuese e të cilëve hyjnë në provim për të disatën herë, pasi kanë dështuar në sezonet e shkuara. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar edhe procedurën e regjistrimit që duhet të ndiqet për dhënien e provimit të shtetit për licencën përgjatë muajit dhjetor.

 Datat e testimit për secilin kandidat

  • Në datën 12 tetor do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 2402-2434.
  • Në datën 13 tetor do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 2435-2467.
  • Në datën 14 tetor do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 2468-2500.
  • Në datën 15 tetor do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 2501-2533.
  • Në datën 16 tetor do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 2534-2566.
  • Në datën 17 tetor do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 2567-2599.
  • Në datën 18 tetor do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 2600-2626, e do të vijohet në dy ditët e mbetura edhe me praktikantët që e kanë kryer praktikën në periudha të mëparshme, por që nuk kanë rezultuar kalues në testimin praktik të sezonit të tyre.

Kriteret e testimit për licencat e reja në sezonin e dhjetorit

  • Në provimi e shtetit për licencën do mund të hyjnë vetëm kandidatët që kanë shlyer të gjita detyrimet me ndjekjen e praktikës dhe testimit përkatës. Edhe në këtë rast këta kandidatë duhet që të bëjnë regjistrimin final për testin e licencës. Regjistrimi i kandidatëve për provimin e shtetit të sezonit dhjetor do kryhet në datat 19-24 tetor.
  • Dokumentet që duhet të dorëzohen nga kandidatët që hyjnë  për herë të parë për t’u regjistruar për provim shteti  janë:

-Formular aplikimi.

-Fotokopje e kartës  së identitetit.

-Fotokopje e noterizuar e diplomës universitare dhe listës së notave.

-Fotokopje e noterizuar e suplementit të diplomës.

-Dëshmi e pjesëmarrjes në praktikën profesionale ( lëshuar nga UFSH në momentin e kalimit me sukses -të provimit të VAP).

-Dëshmi e kursit të ndihmës së shpejtë ( lëshuar nga Kryqi Kuq Shqiptar).

-Raport mjeko ligjor.

-Dëshmi penaliteti.

-Vërtetim nga prokuroria e rrethit qe nuk është në ndjekje penale.

-Mandat pagesa në llogari të AKP

-Dy  fotografi.

 

Dokumentet që duhet të rinovojnë mbetësit e sezoneve të shkuara:

-Formular aplikimi.

-Fotokopje e diplomës universitare

-Fotokopje e kartës  së identitetit.

-Raporti mjeko-ligjor.

-Dëshmi penaliteti.

-Vërtetim nga prokuroria e rrethit që nuk është për ndjekje penale;

-Mandat pagesa në llogarinë e AKP

-Dy fotografi .

-Kandidatët  për t’u regjistruar duhet të paraqesin detyrimisht dëshminë e penalitetit, lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *