Pranvera Kola – DITA
Dhimbjet e papritura të kraharorit, marramendja, vështirësitë në frymëmarrje, apo djersitja, janë ndër simptomat e para që tregojnë se kemi të bëjmë me shqetësime të zemrës, për të cilat duhet të drejtoheni menjëherë në strukturat e specializuara mjekësore për të marrë kujdesin e duhur. Kjo pasi këto simptoma mund të jenë edhe paralajmëruese të urgjencave kardiake, të cilat nëse nuk trajtohen në kohë, mund të mbartin pasoja fatale për jetën.
Ndaj, mënyra më e mirë për të shmangur ndërlikimet e rënda të shkaktuara nga sëmundjet e zemrës, është kryerja e kontrolleve periodike që në moshë të re. Zbulimi i hershëm i sëmundjeve të zemrës, bën që edhe trajtimet të jenë efikase, duke reduktuar në masë pasojat e rënda të tyre. Si në botë, ashtu edhe tek ne, sëmundjet e zemrës përbëjnë shkakun kryesor të vdekjeve.
Gjatë viteve të fundit është konstatuar edhe një tjetër fenomen shqetësues, që ka të bëjë më përhapjen e sëmundjeve të zemrës edhe tek moshat më të reja.
Përballë këtij rreziku, si dhe në kuadër të “Ditës Botërore të Zemrës”, ekspertët e shëndetit publik vënë theksin tek masat që duhet të merrni për të parandaluar sëmundjet kardiovaskulare, të cilat janë kthyer në një rrezik serioz për shëndetin. Sipas specialistëve të ISHP-së, sëmundja kardiovaskulare është një term i gjerë dhe përfshin një sërë patologjish që ndikojnë në zemër dhe në enët e gjakut.
“Një atak në zemër, ose goditje në tru mund të jetë paralajmërimi i parë i një sëmundjeje kryesore. Ka shumë lloje sëmundjesh që mund të japin goditje në zemër, ose në tru.
Këto sëmundje klasifikohen ndryshe në tre grupe të mëdha: në sëmundje që ndikojnë drejtpërdrejt në zemër, në tru dhe në sistemin periferik të qarkullimit të gjakut. Edhe në vendin tonë, në vitet e fundit ka një rritje të vazhdueshme të sëmundjeve kardiovaskulare”, bëjnë me dije ekspertët e ISHP-së.
Rreziku që mbartin
Sëmundjet kardiovaskulare në Shqipëri shkaktojnë mbi gjysmën e vdekjeve, duke zënë vendin e parë të të gjitha vdekjeve, ndaj mund të konsiderohen si sëmundjet me peshën më të madhe në shoqërinë shqiptare. “Nëse do të shikonim rastet e vdekjeve, shohim se dy janë sëmundjet që shkaktojnë më shumë vdekje, sëmundjet e arterieve koronare, apo sëmundjet ishemike të zemrës dhe goditja në tru (sëmundjet cerebrovaskulare).
Kjo është edhe arsyeja se pse duhet të kujdesemi që herët për to. Nëse nuk e bëni këtë, ju e vendosni veten tuaj në rrezik për sëmundjet kardiovaskulare, ku përfshihen sëmundjet e zemrës dhe goditja në tru (stroke)”, theksohet në udhëzuesin këshillues të përgatitur nga ekspertët e ISHP-së, mbi kujdesin që duhet treguar ndaj sëmundjeve të zemrës.
Sipas të dhënave të raportuara nga strukturat shëndetësore, rezulton se meshkujt janë më të prekshëm prej sëmundjeve kardiovaskulare, ku shfaqet rreth dhjetë vite më parë, nga sa ndodh tek femrat. Sëmundja fillon të shfaqet klinikisht te meshkujt që në moshën 45 vjeçare, ndërsa te femrat nga mosha 55-vjeçare.
Por, bashkëshoqërimi i faktorëve gjenetikë, me faktorë të tjerë rreziku të modifikueshëm, bëjnë që të ulet edhe më shumë mosha e pacientëve që preken nga sëmundjet kardiovaskulare, duke rrezikuar edhe më të rinjtë.Pjesa më e madhe e sëmundjeve kardiovaskulare mund të parandalohen duke bërë disa ndryshime të thjeshta në jetën e përditshme, si: ngrënia dhe pirja në mënyrë të shëndetshme, kryerja e aktivitetit fizik dhe lënia e duhanit.

Masat që duhet të merrni
Ekspertët e ISHP-së thonë se kujdesi për zemrën tuaj fillon duke kuptuar, apo njohur në fillim rrezikun tuaj, ndaj sigurohuni që të njihni të gjithë parametrat tuaj shëndetësorë(gjendjen tuaj shëndetësore). Që në moshë të re duhet të kryeni kontrolle rutinë tek mjeku juaj i familjes për të zbuluar se sa të rrezikuar mund të jeni nga sëmundjet e zemrës.
Nuk duhet të neglizhoni as simptomat duke i trajtuar si kalimtare, sikundër ndodh rëndom. Një ndër masat e tjera që duhet të merrni është kontrolli i nivelit të sheqerit në gjak. Mjekët thonë se glukoza e lartë në gjak mund të jetë tregues i diabetit, çka e shton edhe më shumë rrezikun për të zhvilluar ndërlikime të zemrës. Sëmundjet kardiovaskulare janë përgjegjëse për 60 për qind të të gjitha vdekjeve te njerëzit me diabet, ndaj nëse ajo nuk diagnostikohet, apo nuk trajtohet mund t’ju rrisë rrezikun për sëmundje të zemrës dhe goditje në tru.
Rol vendimtar në parandalimin e këtyre sëmundjeve ka edhe kontrolli i vazhdueshëm i presionit të të lartë të gjakut. Lënia e duhanit është një ndër gjërat kryesore që ju mund të bëni për të përmirësuar shëndetin e zemrës tuaj. Ekspozimi ndaj tymit të duhanit është një shkak për sëmundjet e zemrës te joduhanipirësit. Lënia e duhanit do t’ju përmirësojë jo vetëm shëndetin tuaj, por edhe atë të njerëzve që ju rrethojnë.
Nëse ju keni probleme në lënien e duhanit, kërkoni një këshillë profesionale sesi ta lini atë”, bëjnë me dije ekspertët e ISHP-së. Gjithashtu duhet të dini se kur ju qëndroni aktiv, mund të reduktoni rrezikun për sëmundje të zemrës dhe të ndiheni mirë. Përpiquni të kryeni të paktën 30 minuta aktivitet të moderuar deri në intensiv 5 herë në javë. Të gjitha lëvizjet, si: loja, ecja, punët e shtëpisë dhe kërcimi kanë rëndësi.
Kujdesi për ushqimin
Gjithashtu, edhe ushqyerja, apo marrja e lëngjeve në mënyrë të shëndetshme i jep zemrës tuaj energjinë e nevojshme për të jetuar. “Mos u ushqeni me shumë ushqime të përpunuara dhe të parapërgatitura, pasi ato kanë shumë sheqer dhe yndyra. Pakësoni pijet me sheqer dhe lëngjet e frutave. Në vend të tyre merrni ujë, apo lëngje pa sheqer. Përpiquni të hani 5 porcione në ditë me fruta dhe zarzavate, ato mund të jenë të freskëta, të ngrira, të konservuara, ose të thata. Merrni brenda udhëzimeve të rekomanduara sasinë e alkoolit që përdorni. Përgatisni vetë në shtëpi ushqimin për në shkollë apo në punë”, këshillojnë specialistët e ISHP-së.
Bëni kujdes me pilulat kontraceptive
Kujdes të madh duhet të tregojnë edhe gratë që marrin pilula kontraceptive, sidomos ato mbi moshën 35 vjeç. Duhet të jeni në kontakt të rregullt me mjekun që ju ka rekomanduar medikamentet kontraceptive. Më shumë kujdes duhet të tregojnë edhe gratë që përdorin hormonoterapi gjatë menopauzës. Preparatet hormonale rrisin rrezikun e sulmeve në zemër dhe në tru. Prandaj, përdorimi i tyre duhet te jetë në kohën e duhur dhe në dozën e duhur, gjithmonë nën kontrollin e mjekut specialist
Ndjekja e trajtimeve
Rol vendimtar për mbajtjen nën kontroll të këtyre sëmundjeve luan edhe kujdesi për trajtimet mjekësore, i cili ndikon pozitivisht në pjesën më të madhe të rasteve të evidentuara me ndërlikime të zemrës. Trajtimi konsiderohet shpëtimi më i madh për të sëmurët kardiak. Një trajtim sa më i rreptë medikamentoz është dhe çelësi kryesor për mbajtjen e sëmundjes nën kontroll. Nëpërmjet mjekimit mund të përcaktohet dhe një prognozë e saktë e ecurisë së sëmundjes. Nevojitet edhe një bashkëpunimi i ngushtë mes mjekut dhe pacientit, pasi vetëm në këtë formë mund të sjellë rezultatet e duhura dhe pozitive në shmangien e sëmundjeve kardiake.
Faktorët e riskut dhe parandalimi i tyre
Sëmundjet kardiovaskulare mund të parandalohen duke pasur në menaxhim faktorët e rrezikut që i stimulojnë ato. Mjekja kardiologe në QSUT, D.Sh.M. Daniela Teferiçi, shpjegon faktorët, si dhe masat parandaluese që zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. sFaktorët e rrezikut për t’u prekur nga sëmundjet kardiovaskulare janë të ndryshëm. Ata kategorizohen në faktorë të pamodifikueshëm dhe në faktorë të modifikueshëm.

Faktorët që nuk mund t’i ndryshojnë
Mosha është një ndër faktorët e pamodifikueshëm që përbën rrezik për sëmundje kardiovaskulare. Më konkretisht, meshkujt mbi 45 vjeç dhe femrat mbi 55 vjeç kanë rrezik për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare. Një tjetër faktor në këtë grup, është edhe seksi. Sërish mund të themi se meshkujt janë më të rrezikuar se femrat për të zhvilluar sëmundje artereoskleroike, pra të enëve të gjakut. Te femrat ky rrezik shtohet me fillimin e menopauzës. Po ashtu, ndikon edhe trashëgimia. Personat që kanë në pemën familjare një mashkull që ka pësuar një atak kardiovaskular para moshës 55 vjeç, ose një femër që ka pësuar një atak kardiovaskular para moshës 65 vjeç, quhen që kanë trashëgimi për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare.
Faktorët e rrezikut që mund t’i kontrolloni
Diabeti
Personat diabetikë janë dyfish më të rrezikuar për të zhvilluar sëmundje artereosklerotike të enëve të gjakut kundrejt jodiabetikëve. Kemi dy tipe, diabeti tip 1, që zakonisht është me origjinë virale, pra kemi të bëjmë me shkatërrim të qelizave të pankreasit që prodhojnë insulinën dhe nuk prodhohet më insulinë dhe diabeti tip 2, që mund të shfaqet nga mbipesha, mungesa e aktiviteti fizik, nga mënyra e ushqyerjes me shumë kalori, tek të cilët prodhohet insulinë, por ajo nuk vepron në qeliza.
Hipertensioni
Te një person me shifra të larta të tensionit arterial, enët e gjakut janë në një presion më të lartë, i cili çon në prishje të shtresës së brendshme të enëve të gjakut që quhet endotel dhe prisha e tij çon në formimin e pllakës artereosklerotike, deri në mbyllje nga trombi.
Dislipidemitë
Yndyrat përfshijnë kolesterolin dhe trigliceridet. Dy komponentët kryesor të kolesterolit janë: LDL kolesteroli, që është komponenti i dëmshëm, si dhe komponenti i mirë i quajtur HDL kolesterol, ku ky i fundit pastron gjakun nga sasia e tepërt e kolesterolit. Personat që kanë një profil të dëmshëm lipidik kanë rritje të kolesterolit të keq dhe ulje të kolesterolit të mirë.

Duhanpirja
Kjo është pjesë e stilit të jetesës dhe është një nga armiqtë kryesor të enëve të gjakut. Me ndërprerjen e duhanit, ka mundësi që të zhduken edhe efektet e tij të dëmshme. Nuk është kurrë vonë për të ndaluar duhanin. Është shumë e rëndësishme për të mos zhvilluar sëmundje kardiovaskulare, pasi vazhdimi i pirjes së duhanit pas diagnostikimit me sëmundje të zemrës mund të konsiderohet “vetëvrasës”.
Mënyra e të ushqyerit
Shumë e rëndësishme është edhe ushqyerja me një dietë të shëndetshme. Këshillohet që të konsumohet i vaji i ullirit, frutat dhe perimet, si dhe të bëhet kujdes me yndyrat që kanë origjinë shtazore, pasi ndikojnë në shtimin e riskut për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare.
Aktiviteti fizik
Ne futemi tek popujt sedentar, që nuk kryejnë aktivitet. Pra hamë keq dhe nuk lëvizim. Duhet të bëhet aktivitet fizik i moderuar deri në të fuqishëm, të paktën 2 orë e 30 minuta në javë. Nëse aktiviteti që zhvillohet është aerobik i fuqishëm, mjafton edhe 1 orë e gjysmë në javë. Kush nuk ka kohë për aktivitet ushtrimor, mund edhe vetëm të ecë deri në 30 minuta në ditë. Aktiviteti fizik luan një rol shumë të rëndësishëm në rritjen e kolesterolit të mirë në organizëm.
Stresi
Nuk është një faktor i mirëfilltë rreziku,por ai nxit shfaqjen e sëmundjes artereosklerotike. Stresi nxit shpërthimin e hormoneve-katekolaminave, të cilat janë vazo ngushtuese dhe bëjnë ngushtimin e enëve të gjakut të zemrës, të cilat nëse janë edhe të shtresëzuara nga pllakat arterosklerotike, mund të çojnë në mbylljen totale të enës së gjakut, duke shkaktuar infarktin.
Preklampsia
Që është hipertensioni gjatë shtatëzanisë. Preklamsia shfaqet në muajin e gjashtë të shtatëzanisë dhe është një faktor i ri rreziku. Është parë që këto femra kanë probabilitet më të lartë të zhvillojnë sëmundje kardiovaskulare në të ardhmen, kundrejt femrave që nuk kanë pasur preklampsi.
Mosha kur duhet të nisni kontrollet
Kush është i shëndetshëm duhet të tregojë shumë kujdes për të parandaluar zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Për këtë është e rëndësishme kryerja e analizave në mënyrë periodike. Tensioni duhet matur minimalisht një herë në vit, që rreth moshës 20 vjeç. Një herë në tre vjet, duke filluar po në moshë të re duhet vlerësuar profili lipidik, pra yndyrat. Këto kontrolle janë shumë të rëndësishme pasi ka situata të trashëguara dhe duke bërë këto kontrolle të vazhdueshme arrihet të diagnostikohet në kohë dhe të parandalohet përkeqësimi i këtyre faktorëve dhe shfaqja e sëmundjeve të zemrës.

Ekzaminimet diagnostikuese
Ekzaminimi më i thjeshtë është elektrokardiograma (EKG), por që jep shumë informacion përsa i përket ngushtimit të enëve të gjakut dhe ritmit të zemrës. Nëse në EKG nuk ka informacion për ngushtim të enëve të gjakut, atëherë kalohet në dy ekzaminimet e tjera Eko kardiake dhe prova ushtrimore, pasi një EKG që del mirë, nuk përjashton ngushtimin e arterieve koronare sepse ngushtimi mund të jetë aq i vogël sa nuk jep simptoma në qetësi, pra në kushtet në të cilat kryhet EKG. Në Eko kardiake vlerësohen lëvizjet e muskulit të zemrës dhe valvulat, megjithatë edhe Eko mund të dalë shumë mirë në rastet e sëmundjes artereosklerotike, deri në momentin që nuk ka ndodhur një infarkt, pasi nuk është bllokuar ena e gjakut, apo të jetë dëmtuar muskuli i zemrës. Në këtë pikë është shumë e rëndësishme të kalohet në provën ushtrimore, apo siç i themi ndryshe biçikleta. Gjatë provës ushtrimore rritet konsumi i oksigjenit dhe aty shfaqen simptomat e arterieve edhe kur ato janë lehtësisht të ngushtuara. Pra shikohet çfarë ndryshimesh elektrokardiografike shfaqen gjatë sforcimit fizik. Gjatë provës shikohet edhe si përgjigjet tensionit gjatë sforcimit fizik, si edhe nëse ka aritmi gjatë sforcimit fizik. Nëse kemi diagnostikuar që ka një ngushtim të arterieve koronare kalohet në ekzaminim tjetër që është koronarografia dhe që është një ekzaminim invaziv. Koronarografia shikon arteriet koronare dhe lokalizon ato që janë të ngushtuara, në çfarë mase janë të ngushtuara dhe bëhet trajtimi me stentim (zgjerim i enës së gjakut), ose me ndërhyrje kirurgjikale.
