Emiratet e Bashkuara Arabe janë duke ndërtuar një “qytet hapësinor” gjigant në shkretëtirë, në përpjekje për të simuluar kushtet e jetës në Mars këtu në Tokë.
Ky qytet që do të kushtojë 115 milionë euro do të mbulojë 1.9 milionë metra katrorë të shkretëtirës emirate, duke u bërë kështu qyteti më i madh simulues që është ndërtuar ndonjëherë, shktuan euronews.
Projekti, i zbuluar këtë javë, ka për qëllim të simulojë kushtet e jetës njerëzore në Mars ‘UAE Mars Mission’ për ta bërë një koloni njerëzore në planetin e kuq deri në vitin 2117.
Arkitekti danez Bjarke Ingels do të punojë në bashkëpunim me shkencëtarë dhe inxhinierë të Emirateve për të dizajnuar qytetin e madh, i cili do të konsistojë me një seri kupash që përmbajnë laboratorë për ushqim, energji, ujë dhe testime bujqësore.
Qyteti do të përmbajë edhe një muze që shfaq arritjet më të mëdha njerëzore në hapësirë, me mure të krijuara nga zalli i shkretëtirës të ndërtuara në 3D.
Një grup njerëzish pritet që të jetojnë në qytet për një vit të tërë, për t’u mësuar me kushtet atje dhe të jetës në Mars.



