Speciale nga gazetari investigativ Artan Hoxha, Dosja ‘Tropoja’. Vrasjet në Tropojë dhe paralajmërimi për Azem Hajdarin që merret nën ruajtje nga policia dhe SHISH. Pohimet e ish-Ministrit të Brendshëm Perikli Teta. Si u mor peng drejtori dhe u grabitën 480 mln lekë në Bankën e Kursimeve të Tropojës mbrëmjen e 13 janarit 1998. Atentati i 4 qershorit ku Azem Hajdari mundi t’i shpëtojë këtij atentati
Artan Hoxha: Fatmir Haklaj dyshonte se Azem Hajdari u implikua në vrasjen e të vëllait. Grabitja e 480 mln lekëve në Bankën e Kursimeve në Tropojë me pengmarrjen e drejtorit, u bë nga të fortët, por asnjëherë ata nuk dolën para ligjit. Atentati i 4 qershorit 1998 ndaj Azem Hajdarit lidhet me serialin e vrasjeve në Tropojë.
Përpara se të vritej më 12 shtator 1998, Azem Hajdari i shpëtoi një tjetër atentati të organizuar nga Haklajt më 4 qershor të po atij viti. Fatmir Haklaj dyshonte se Hajdari dhe njerëzit e tij ishin implikuar në vrasjen e vëllait dhe kunatit në Qafën e Luzhës. Paralajmërimet e bëra nga ish-ministri i Rendit Publik Perikli Teta dhe nga ish-shefi i SHIK-ut Fatos Klosi, nuk ia ndryshuan mëndjen Azem Hajdarit për të mos shkuar në vendlindjen e tij pavarësisht rrezikut që i kanosej. Si u grabitën 480 milionë lekë të vjetra nga Dega e Bankës së Kursimeve në Tropojë? Pse Fatmir Haklaj vendosi të qëllonte me top alpin banesën e personave të dyshuar se i kishin vrarë vëllain më 5 janar 1998? Si u katapultua 21-vjeçari Jaho Mulosmani në krye të policisë së Tropojës?
GRABITJA E BANKËS
Pa u shuar ende jehona e 6 vrasjeve të njëpasnjëshme që ndodhën në ditët e para të janarit 1998, një tjetër ngjarje e tronditi Tropojën. Mesnatën e 12 janarit duke u zbardhur data 13 janar, një grup personash të armatosur arritën të merrnin peng drejtorin e Bankës së Kursimeve në Bajram Curri dhe dy policët e shërbimit të rojës, duke grabitur një shumë prej 480 milionë lekësh të vjetra. Paratë nuk kishin mbushur ende 24 orë nga momenti që u transportuan në Bajram Curri. Policia e Tropojës nuk arriti të bënte as reagimin më të vogël edhe pse grabitja ndodhi jo më larg se 200-300 metra në vijë ajrore nga godina e komisariatit. Fatmir Haklaj ishte larguar nga detyra e shefit të policisë së Tropojës vetëm 4 ditë më parë dhe policia lokale ende nuk e kishte marrë veten nga ngjarjet e fundit. Grabitja e Degës së Bankës së Kursimeve në Bajram Curri u shoqërua me zhurmë të madhe nga media. Opozita në Tiranë reagoi dhe një herë tjetër duke akuzuar për këtë ngjarje të njëjtin grup personash, që sipas saj drejtohej nga Haklaj. Kjo ngjarje vazhdon të jetë ende e pazbardhur, edhe pse ka pasur një proces gjyqësor, në të cilin u dënuan ata që duhet ta ruanin dhe jo ata që e grabitën.
HAKMARRJA
Vrasja e Shkëlqim Haklajt ktheu pranë familjes pas shumë vitesh të gjithë djemtë e saj. Hamdi Haklaj u kthye nga Gjermania, ku kishte emigruar qysh pas ngjarjes në Malin e Shkëlzenit, ndërsa Halil Haklaj nga Belgjika. Fatmir Haklajn nuk e zinte vendi pa u hakmarrë për vrasjen e të vëllait. Pa humbur kohë ai përzgjodhi personat ndaj të cilëve dyshonte se ishin implikuar në pritën e Qafë Luzhës. Për t’iu afruar Haklaj e kishte shumë të vështirë, pasi ata qëndronin të bashkuar e mund të pësonte dhe vet dëme në njerëz. Në këto kushte, për të asgjësuar kundërshtarët dhe minimizuar në maksimum dëmet e veta, ai vendosi të ndërmerrte një aksion të padëgjuar deri në atë kohë. Sipas të dhënave të siguruara nga policia e Tropojës në kohën kur ajo drejtohej nga “Dëshmori i Atdheut” Kolonel Gani Malushi, Fatmir Haklaj në pamundësi për t’iu afruar një baze ku ai mendonte se qëndronin të grumbulluar personat që morën pjesë në vrasjen e vëllait dhe kunatit, vendosi ti godasë ata me artileri. Ai përdori topa të lëvizshëm që transportoheshin lehtë, të tipit alpin. Banesa ku qëndronin kundërshtarët e tij u godit disa herë me predha topi, por për fat të mirë nuk pati viktima në njerëz. Sulmi rezultoi i pasuksesshëm, pasi qitësit nuk guxuan ti afroheshin shumë objektivit, për shkak se mund të goditeshin me breshëri me mitralozë gjatë tërheqjes. Kjo ngjarje është e skeduar dhe ende e pa zbuluar në arshivën e policisë së Tropojës.
MULOSMANI
Fakti që ishte person në kërkim për vrasjen e Shaqir Hoxhës nuk e shqetësonte shumë Fatmir Haklajn. Ai ishte i bindur se prokuroria e Mirditës, e ngarkuar për të hetuar këtë çështje, nuk do të guxonte t’i hapte telashe. Ndërsa dëshmitarët okularë të ngjarjes, preferonin më mirë ta qepnin gojën, se të luanin me zjarrin që mund tu kushtonte jetën. Pavarësisht se Fatmir Haklaj mbetej njeriu më i fuqishëm në veri të vendit, ai kishte nevojë për njerëzit e tij në polici. Ai donte jo vetëm të ishte informuar për lëvizjet e shtetit, por kërkonte të kontrollonte dhe veprimet e policisë në territorin e tij. Me mbështetjen e padiskutueshme të Haklajt dhe të disa personave të rëndësishëm që përfaqësonin administratën shtetërore në Tropojë (mes tyre dhe i dërguari i qeverisë Taulant Dedja), 21-vjeçari Jaho Mulosmani u vendos në detyrën e shefit të rendit në komisariatin e Bajram Currit. Emërimi i tij bëri bujë, jo vetëm për moshën mjaft të re, por dhe për faktin se Jaho Mulosmani shumë shpejt u kthye në një personazh protagonist në atë që sot quhet “Dosja Tropoja”. Pavarësisht se nuk plotësonte asnjë kriter për të mbajtur një detyrë kaq të rëndësishme, për më tepër në prag të krizës së Kosovës, Jaho rridhte nga një familje shumë e njohur në Malësinë e Gjakovës. Mulosmanët kanë qenë vazhdimisht Bajraktarët e Krasniqes, bajrakut më të madh ndër katër bajraqet që përfshihen në rrethin e Tropojës. Në kullën e gurtë të Mulosmanëve, u zhvillua konferenca e famshme e Bujanit nga data 31 dhjetor 1943 deri më 2 janar 1944. Mulosmanët kishin qenë flamurtarët e Krasniqes në çdo qëndresë të armatosur ndaj invazioneve turke apo sërbo-sllave në veri të vendit. Vetëm gjatë luftës së dytë botërore katër komandant batalionesh të forcave partizane ishin prej Mulosmanëve. Shefi i ri i policisë së rendit në Tropojë, Jaho Mulosmani mbante emrin e njërit prej tyre, Jaho Salih Mulosmanit, i vrarë në fundin e shkurtit 1944, gjatë një beteje me trupat naziste gjermane.
PARALAJMËRIMI
Për të përkrahur dhe ndihmuar sadopak materialisht refugjatët e parë të ardhur nga Kosova, më 4 qershor 1998, drejt Tropojës u nis një grup deputetësh dhe përfaqësuesish të lartë të Partisë Demokratike. Mes tyre ishin dhe Azem Hajdari, Pjetër Arbnori dhe Jozefina Topalli. Përpara se grupi i deputetëve të PD-së të nisej drejt Tropojës, shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar Fatos Klosi dhe ministri i brendshëm, i ndjeri Perikli Teta, do ta paralajmëronin Azem Hajdarin, që ai të mos udhëtonte drejt vendlindjes së tij. Nëpërmjet informatorëve në terren, SHIK-u ishte informuar për rrezikun serioz që i kanosej deputetit demokrat Hajdari, nëse udhëtonte drejt Tropojës. Të njëjtin informacion kishte dhe Ministria e Brendshme. Ish-ministri Teta e njoftoi Hajdarin se policia nuk kishte mundësi t’i garantonte jetën nëse shkonte në Bajram Curri. Në këto kushte Teta i kërkoi Hajdarit që të mos e kryente një udhëtim të tillë. Por deputeti i PD-së, lideri i dhjetorit ’90, Azem Hajdari, e refuzoi në mënyrë kategorike paralajmërimin e ministrit të brendshëm, Teta. “Askush nuk mund të më ndalojë të shkojë në vendlindjen time”, ishte përgjigja e Hajdarit. Fatmir Haklaj kishte dyshime për implikimin e Hajdarit në dy ngjarje. E para ishte vrasja e djalit të xhaxhait, ndihmësgjyqtarit Sokol Haklaj, dhe ish-truprojës së Azemit, Ibrahim Rustemi në urën e Milotit. Ndërsa ngjarja e dytë ishte vrasja e të vëllait Shkëlqimit dhe kunatit, Artur Demiri në Qafën e Luzhës. Për këtë shkak Haklaj e kishte fiksuar në objektivin e tij deputetin e PD-së.
ATENTATI MBI HAJDARIN
Ajo që ishte paralajmëruar, në të vërtetë ndodhi në mbrëmjen e 4 qershorit. Pasi kishin kryer vizitat dhe takimet e rastit në qendrat e strehimit të refugjatëve, deputetët e PD-së po shpërndaheshin në bazat ku do të kalonin natën në Bajram Curri. Përveç truprojave që i kishin shoqëruar deputetët e PD-së nga Tirana, për sigurinë e tyre duhej të kujdesej në mënyrë të veçantë dhe policia e rendit në Tropojë, shef i së cilës ishte Jaho Mulosmani. Ai e përmbushi detyrën në shoqërimin e Arbnorit dhe Topallit, por për Hajdarin nuk mori përsipër asgjë. Përkundrazi e la atë të ekspozuar ndaj çdo rreziku që mund t’i kanosej. Në momentin që Azem Hajdari dhe shoqëruesit e tij, po shkonin në një banesë ku do të kalonin natën, u ndodhën nën breshëritë e armëve. Si rezultat i zjarrit të hapur nga disa persona, u godit fuoristrada ku udhëtonte deputeti Hajdari, por për fat të mirë ky i fundit shpëtoi pa dëmtime. I vetmi i plagosur nga ky incident ishte gazetari i Televizionit Shqiptar Bardhyl Pollo. Duke ndjerë rrezikun që i kanosej, Hajdari e kaloi natën në banesën e një mbështetësi të PD-së në Tropojë, që njëkohësisht kishte dhe lidhje farefisnie me Haklajt. Pikërisht me këtë fakt e justifikoi më pas Fatmir Haklaj, pamundësinë për të mësyrë në banesën ku u strehua Hajdari. Deputeti i PD-së i kishte mbijetuar pritës, por mesazhi për të ishte mjaft i qartë, sepse plumbat e kallashnikovëve kishin depërtuar brenda fuoristradës së tij. Menjëherë sapo u kthye në Tiranë Hajdari, akuzoi për autorësinë e kësaj ngjarje përfaqësuesit e shtetit në Tropojë dhe në veçanti vëllezërit Haklaj. Ministria e Brendshme dhe SHIK-u deklaruan se e kishin njoftuar deputetin demokrat për atë që mund ti ndodhte, por ai s’ua kishte vënë veshin. Pavarësisht asaj që ndodhi dhe zhurmës së madhe të bërë në Tiranë, Fatmir Haklajt nuk i hyri gjemb në këmbë. Ai vazhdoi qetësisht aktivitetin e tij i sigurt se askush nuk do të guxonte ta drejtonte gishtin drejt tij.
(Vijon nesër)
Zinxhiri i krimeve, atentate e vrasje të tjera në Tropojë
22 qershor 1997
Fatmir Haklaj i shpëton një prite të organizuar në afërsi të Milotit. Në këtë pritë u vra djali i xhaxhait të Fatmirit, Sokol Haklaj, ndihmësgjyqtar në Skrapar dhe efektivi i Gardës Ibrahim Rustemi. Fatmir Haklaj dhe Agron Gjyriçi shpëtuan, pasi Haklaj vrau njërin nga autorët e pritës.
6 maj 1999
Fatmir Haklaj ishte objektivi i një atentati me mina të telekomanduara në vendin e quajtur Varret e Shalës. Nga shpërthimi i eksplozivit u vra nipi i Haklajve, Eduart Haklaj, ndërsa Fatmir Haklaj, Sami Kërnaja dhe Shpëtim Gjyriçi mbetën të plagosur duke i mbijetuar vdekjes.
4 gusht 1999
Gjatë një atentati me mina të telekomanduara në vendin e quajtur Brinja e Cërnicës u vranë Halil Haklaj dhe Feriz Kërnaja. Ndërsa Fatmir Haklaj, Fatmir Daka dhe një polic tjetër i komisariatit të Bajram Currit, mbetën të plagosur nga aktivizimi i katërt nga një grup personash të panjohur.
4 nëntor 1999
Në një pritë të organizuar në fshatin Bujan, 100 metra nga kulla e Sali Mulosmanit, mbetën të vrarë Fatmir Haklaj dhe Sami Kërnaja, ndërsa Jaho Mulosmani u plagos me dy plumba, por i mbijetoi vdekjes. Autorët dyshohet të kenë qenë pesë persona mes tyre dy efektivë të forcave speciale.
12 qershor 2000
Salih Mulosmani u vra me breshëri Kallashnikovi përpara karburantit të Bujanit. Vrasësit dyshohet se ishin tre persona dhe udhëtonin me një veturë tip “Opel” me ngjyrë të kuqe, që e dogjën pak orë më vonë. Në vendngjarje u plagos dhe një i ri, kushëri i viktimës, që punonte në karburant.
13 shtator 2000
Një komando me njerëz të armatosur sulmon për herë të parë kullën e fortifikuar të Haklajve në Kërnajë. Objektivi ishte goditja me snajper e Hamdi Haklajt, por atentati dështoi për shkak se qitësi nuk mund t’i afrohej shumë kullës, në të kundërt mund të vritej nga rojet e saj gjatë tërheqjes.
NESËR DO TË LEXONI:
-Çfarë u bisedua në takimin sekret të 2 shtatorit 1998 mes Feriz Kërnajës me Skënder Gjinushin, Kastriot Islamin e Namik Doklenqë u pasua me lirimin nga burgu të Halil Haklajt e Isamedin Haxhisë të arrestuar në Gramsh për trafik armësh.
-Çfarë u bisedua në zyrat e selisë së PD-së më 2 shtator 1998 mes Azem Hajdarit dhe plakut të Haklajve. Roli i Izet Haxhisë në këtë takim.
-Vrasja e Azem Hajdarit më 12 shtator 1998, kush e nxori nga godina e PD-së në pritë, fati i mëvonshëm i protagonistëve e dëshmitarëve në ngjarje.

Se questo è vivere ,morire ché cos’è ?
O Artan,kronologjia e ngjarjeve eshte shume konfuze.E kuptoj qe keto ngjarje kane sekretet e tyre akoma dhe permendja e ndonje personi sjell automakisht probleme serioze jete per ate dhe familjen,por keto gjera nuk ndodhin ne Tokio me 10 milione banore.Ne Tropoje te shkoje nje tirans per 1 dite e merr vesh edhe me i humburi i Lekbibajt,ne sensin qe eshte vend i vogel.Shume atentate dhe shume falimente atentatesh me bindin se kemi te bejme me tropojane tipike,nga ata qe me mesataren 9.4 vinin ne shkollen Skenderbej,per tu kthyer pa mbushur vitin ne Tropoje me mesatare 4.9 e pa mesuar akoma te lidhin dy fjale.Riktheheshin pas kater vjetesh ne akademine ushtarake me 9.5 per tu diplomuar me nderhyrjen e Azem Hajdarit sikur te ishin demokrate skandinave.Nje xhenier qe ve 70 kg tritol dhe i shperthen vetem gjysma e ngarkeses nuk eshte xhenier,eshte çoban dhensh i veshur me aksion.Ata ish.specialet qe sulmojne çatite e kullave me bazooka jane çobane pa haber,se kundertanku ka nje logjike pse perdoret kunder blindit,se te ishte ashtu do quhej mortaje.O zot mberriten minat me telekomande dhe C4 ne duart e prapambetjve te Lek Dukagjinit e shiko çfare bejne.Me vjen sinqerisht keq per tragjedine e fisit Haklaj,por uroj qe femijet Haklaj te rriten ne Suedi e Belgjike me mentalitet tjeter dhe te gezojne jeten,se vjen vetem nje here;paraardhesit e tyre ishin njerez te tjeter shekulli.Mos ia pafshin me bojen atij vendi,ku ne çdo qafe dhe gryke presin çobanet e gjakut me tuta kamuflazhi duke luajtur filma me gjera te rrezikshme,qe as ia kane idene deri ne fund se çfare jane ne gjendje te bejne.Se fundi,kaq te vdekur(reth 150)nuk mund te justifikohen vetem me dava hakmarrje.E pamundur te mos kete movent pazaresh te prishura,siç ndodh rendom me mafiet.Thuhet se ne Tropoje kishte grupe qe merreshin me trafikun ilegal te armeve,nuk ke thene absolutisht asgje ne kete drejtim.Pune te mbare!
O Artan nje pyetje kisha une rreth vrasjes se Azem Hajdarit.
PSE NUK MERRET NE INTERVISTE ZENEL NEZAJ SHOQERUESI I AZEMIT I CILI ESHTE NE BELGJIKE. Hidhen thashetheme jo e nxori ky apo ai ne prite por deshmitari kryesor nuk pyetet.
Cfare tentohet te mbulohet?