Cristiano Ronaldo rrëfehet. Fantazisti portugez ka shkruar një letër për “The Players’s Tribune”, portalin ku sportistët u drejtohen tifozëve dhe mbështetëve të tyre. Pikërisht në këtë letër, madrileni kujton fëmijërinë e tij, duke treguar episode të ndryshme, që nga koha kur babai i tij e çonte që të stërvitej në fushat e futbollit, drei te Championsi i fituar në Cardiff kundër Juventus. Në moshën 7-vjeçare, CR7 bën debutimin e tij në një ndeshje me CF Andorinha falë babait të tij që në cilësinë e magazinierit të skuadrës, e merrte me vete që të stërvitej me lojtarë më të mëdhenj se ai, sikurse tregon në letrën e shkruajtur.
“Nuk ndalej kurrë së motivuari që të shkoja të luaja me ekipet zinxhir. E dija që kjo e bënte krenar për mua dhe kështu ndodhi. Gjatë ditës së parë nuk kuptoja shumë rregulla, por e gjitha ajo më pëlqente. U lidha me organizimin dhe me idenë e fitores”, tregon Ronaldo, i cili në lidhje me varfërinë e familjes së tij dëshmon: “Ajo që është e sigurtë është që në atë kohë nuk kishim shumë para. Jeta në Madeira nuk ishte e lehtë. Luaja me këpucë të vjetra që trashëgoja nga vëllai im, ose që më huazonin të afërmit e mi. Por, kur je i vogël, paratë nuk janë një shqetësim i yti”.
Ende i ri, Ronaldo përshëndeti familjen e tij dhe u nis për në Lisbona. “Isha 11 vjeç kur u largova nga ishulli për tu transferuar te të rinjtë e Sporting Lisbona dhe ajo ishte periudha më e vështirë e jetës sime. Më duket ende një çmenduri kur mendoj për atë moment. Djali im Cristiano Junior është 7 vjeç në këtë moment. Preferoj të mos mendoj që në katër vitet e jetës së tij ta ndihmoja për të bërë valixhet dhe për ta nisur për në Paris ose Londër”, deklaron CR7.
Ronaldo në rini çudiste në fushë, por ishte shumë i dobët në peshë. “Nuk kisha muskuj. Kështu, në moshën 11 vjeç mora një vendim. E dija që kisha më shumë talent se të tjerët. Në atë moment vendosa do të punoja më fort se ata. Nisa të largohesha fshehurazi nga rezidenca gjatë natës, për tu stërvitur. U bëra më i fortë dhe më i shpejtë. Që nga ajo kohë, kur dilja nga fusha, ata që thonin se isha shumë i vogël më shikonin me dyshim, sikur t’i binte bota mbi kokë”, tregon Cristiano Ronaldo.
Pas Lisbonës, transferimi te “Djajtë e Kuq” dhe fitorja e Champions në Moskë, në vitin 2008. “E kujtoj akoma kur fitova Champions me Manchester, emocionet më pushtuan. E njëjta gjë kur fitova trofeun e parë të “Topit të Artë”. Por ëndrrat e mia bëheshin më të mëdha çdo herë. Kështu mendoj se funksionojnë ëndrrat, apo jo? Kisha admiruar gjithmonë Real Madrid dhe dëshiroja një sfidë të re. Doja të fitoja trofe me Madridin. Të thyeja të gjitha rekordet dhe të konvertohesha në një legjendë të klubit”, rrëfen CR7.
Kujtimi më i bukur i Cristiano Ronaldo? Champions i fituar në Cardiff kundër Juventus: “Menjëherë pasi fituam finalen e Champions në Cardiff kishim bërë historinë. Pas vërshëllimës së trefishtë, dëgjova se kisha dhënë një mesazh për të gjithë botën. Edhe djali im hyri në fushë për të festuar me mua…dhe emocioni ndryshoi menjëherë. Ai vrponte nga njëra anë në tjetrën me djalin e Marcelo. E ngritëm bashkë trofeun.
Më pas shëtitëm nëpër fushë dorë për dore”. Në lidhje me ambiciet e fundit: “Pas 400 ndeshjesh me Real Madrid, fitorja vazhdon të jetë ambicia ime kryesore. Është e gjitha për mua. Besoj se kështu kam lindur. Por ndjesia kur fitoj ka ndryshuar. Ky është një kapitull i ri i jetës time. Kam një mesazh shumë special të gdhendur në këpucët e mia të reja, Mercurial. Është pikërisht gjëja e fundit që shoh kur lidh këpucët, para se të eci nëpër tunel. Është si një përkujtim i fundit, motivacioni më i fundit. Citon: ‘Ëndrra e një djaloshi’”.
