Robert Elsie, si njëri nga ne njerëzit e dijes shqiptare

Ornela

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe

Për shkaqe fondamentale të njohura që nga kohët e lashta, shqiptarët dhe historia e tyre, kultura dhe fondamenti i tyre shpirtëror, rrugëtimi dhe pengesat e këtij udhëtimi kanë arritur të hyjnë në konsideratat dhe opinionin e studiuesve të huaj gjithëkategorish. Toka dhe njerëzit e këtyre anëve i kanë grishur herë pas here dhe kohë pas kohe njerëzit e huaj të dijes, të cilët nuk kanë ngurruar t’i kushtojnë jetën dhe fuqinë e dijes këtij trualli dhe këtyre njerëzve. Metafora e gjithë kësaj vijimësie intelektuale nga të huajt është absolutisht e lexueshme, sepse dëshmitë e një vendi ndër më të lashtët e Ballkanit, e gjuhës ndër më të vjetrat indoevropiane, i kanë referencat tek gjuha e shqiptarëve. Nga njëra anë dëshmitë dhe faktet, dhe nga ana tjetër shqisa e hollë e studiuesve të huaj, për atë që atyre iu është kërkuar, janë bërë bashkë për të ndërtuar një realitet mbijetese dhe valoriteti bashkëpunues kohë pas kohe.

Pavarësisht epokave dhe kohëve në të cilat janë bërë prezent studiuesit e huaj në domenin shqiptar, ata përbëjnë një plejadë të artë dhe rëndësia për t’i dëshmuar të gjithë pjesë të një plejade dijesh, është normale, madje dhe funksionale, parë si realitet i brendshëm i dijes, po ashtu dhe si realitet i jashtëm. Dr. Hahni, Majeri, Shuflaj, Pederseni, Bariç, Tagliavini, Franc Nopça të cilët i përkasin fushës së dijeve shkencore, që nga gjuha, albanologjia, historia e deri tek etnologjia dhe folklori, vazhdojnë të mbeten dijetarët e shquar, të cilët arritën të krijojnë kontaktet dhe marrëdhëniet e kulturës shqiptare me opinionin e huaj perëndimorë, në kushte dhe rrethana tejet të nevojshme për shqiptarët. Natyrisht, domeni shqiptar ishte i begatë, interesant dhe një madem që nuk mund të konsumohej lehtë. Kësaj plejade të njohur, pa as më të voglin hezitim, i bashkohet studiuesi, albanologu, përkthyesi dhe shkrimtari Robert Elsie, i cili është njëri nga zërat më të shquar të dijes filologjike, i cili thuajse gjithë jetën ia ka kushtuar Shqipërisë dhe Kosovës.

Elsie është një personalitet i shquar dhe interesant i dijes, i cili i përket shkollës perëndimore ku ai është shkolluar, është formuar dhe ka filluar rrugëtimin e dijes, studimeve dhe hulumtimeve shkencore. Nëse plejada e para tij ishte e shkolluar në universitetet dhe katedrat e njohura të Vienës, Gjermanisë, Kroacisë, Gracit e gjetkë, Elise mbart në formimin e tij kulturat universitare të Universitetit të Kolumbisë Britanike, studimet Universitare të Lira të Perëndimit (Berlin), angazhimin praktik të Studimeve të Larta (Paris), Institutin e Dublinit (Irlandë) dhe Universitetin e Bonit (Gjermani). E gjithë kjo kulturë dhe të nxëni dijesh shkencore- praktike, duket si iu vu në shërbim për të eksploruar dhe për tu marrë me Shqipërinë dhe kulturën e saj.

I lindur në Vankuverin e largët të Kanadasë, larg kontinentit të vjetër evropian, Elsie duket se më së shumti ishte një evropian i qartë, kulturalisht, shpirtërisht dhe shkencërisht. Siç duket, dashuria për Shqipërinë dhe shqiptarët iu bë një lloj lajtmotivi pune dhe angazhimi, që kur për herë të parë vizitoi Shqipërinë në vitin 1978. Elsien, falë të mësuarit dhe përdorimit mjaft mirë të gjuhës shqipe e kanë takuar shumë nga njerëzit e dijes në Shqipëri dhe në Kosovë, sepse siç ai shprehej, ai frekuentonte rregullisht eventet kulturore dhe filologjike, frekuentonte bibliotekat shqiptare me një rregullsi të habitshme, kërkonte të kishte kontakte të vazhdueshme me njerëzit në rrugë, në auditoret studentore, në shtëpi e kudo ndodhej. Elsie ishte një mjeshtër i rrallë i komunikimit me njerëzit pavarësisht shtresës kulturore.

Që në kontaktin e parë me Shqipërinë dhe Kosovën, Elsie nuk u shkëput dot nga shqiptarët për shumë arsye, të cilat mund të kuptohen lehtësisht përmes krijimtarisë dhe veprimtarisë së tij shkrimore, hulumtuese, studimore dhe evidentuese. Pa asnjë dyshim, Elsie i ka njohur shqiptarët dhe përmes njerëzve të mendimit që vinin nga dherat e huaja në Shqipëri, po ashtu dhe nga kontaktet që kultura shqiptare krijoi me perëndimin gjatë shekullit të kaluar. Ai vazhdoi të ishte një ndërmjetës mes takimeve të Universitetit të Bonit dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, po ashtu qe një frekuentues i rregullt i Seminareve Ndërkombëtare për gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë. Lidhja e tij qe kaq e fortë me Shqipërinë, sa e la amanet që trupi i tij pas vdekjes të prehej në Shqipëri. Në moshën 67 vjeçare, në kulmin e fuqisë intelektuale, ai u nda nga jeta, ku patjetër la shumë punë të papërfunduara, pasi ai ishte një pasionant i projekteve të mëdha.

Robert Elsie është një nga studiuesit me një akribi të shquar shkencore dhe me interesa shumë të gjera. Duke qenë albanolog, përkthyes, studiues dhe shkrimtar, kjo i ka mundësuar atij të mundë të depërtojë në realitetet historike, filologjike, shpirtërore, kulturologjike dhe etnologjike shqiptare, të cilat kanë gjetur pasqyrim të larmishëm dhe të gjerë në një korpus botimesh mbi gjashtëdhjetë të tillë. Një korpus i tillë botimesh në shqip dhe në gjuhë të huaj, me një kreativitet brenda vendit dhe jashtë vendit, përbën një pasuri jo e zakontë, që Elsie i ka dhënë lexuesit, institucioneve të dijes brenda dhe jashtë, një lloj “enciklopedie” shqiptare me prerje historike, gjuhësore, folklorike, letrare, poetike, zakonore, bashkëkohore. Është një pasuri e “regjizuar” nga një njeri i dijes, i cili njihte mjaft mirë rrugët e rëndësishme të komunikimit urban dhe akademik, elitar dhe populist.

Nëse sheh me vëmendje titujt e botuar nga Elsie, shihet një prirje për të rimarrë në konsideratën e studiuesit dhe “interpretit” fondamente të dijes dhe të kulturës shqiptare, ku bie në sy Migjeni, historia e kulturës shqiptare, Azem Shkreli, historia e letërsisë shqiptare, kanuni, Fishta, poetë të huaj si Kavafis, Visar Zhiti, Flora Brovina, autorë të tjerë të huaj që janë marrë me kulturën shqiptare dhe çështje të tjera. Ka një marrëdhënie të brendshme në këtë qasje të Elsies, për shkakun e nevojës së qasjeve fondamentale për historinë e letërsisë shqiptare, si një koncept fondamental referencial të saj në kulturën e popujve dhe të kulturave. E mu për këtë shkak autori ka arritur të sjellë në vlerësimin e tij historinë e kulturës shqiptare, atë të Kosovës, të dhëna dhe dëshmi të shumta nga kultura e lashtë shqiptare dhe eposi, që për nga koha dhe nga përkushtimi, një studiuesi do t’i duhej një jetë.

Kuptohet qartë, ky raport i tij me këto angazhime, duket se i kanë shërbyer atij për një bazë referenciale, duke vënë një gurë tjetër të rëndësishëm në sprovën e kulturës shqiptare, siç kanë bërë më herët albanologë të tjerë të njohur shqiptarë dhe të huaj. Këmbëngulja e prurjes në një dritë të re dhe moderne të interpretimit nga njëra anë e vertikalitetit historik shqiptarë (kanuni, cikli i kreshnikëve, etnokultura, folklori, Evlia Çelebia, leksiku i kulturës popullore, fjalori historik i Kosovës dhe fjalori historik i Shqipërisë etj) dhe kontribute të tjera të rrjedhës bashkëkohore të jetës, qoftë dhe me profilet e Fishtës, Migjenit, Eqrem Bashës, Azem Shkrelit dhe hapësira të tjera sintagmatike, mendoj se përmbushin një dëshmi kulturologjike dhe të zhvillueshme në rrjedhat kohore.

Robert Elsie i ka bërë një shërbim të shkëlqyer kulturës shqiptare jo vetëm me angazhimin për ta dëshmuar në të gjithë raportet Shqipërinë dhe kulturën shqiptare, por ai me korpusin e botimeve të tij, ka arritur të sjellë një këndvështrim modern dhe bashkëkohorë për fondamentin e kësaj kulture, të letërsisë shqiptare, të folklorit, të drejtës zakonore dhe të disa prej poetëve të tij të preferuar. Antologjia poetike e përzgjedhur prej tij duket se do të jetë një lloj certifikate e mirë për poezinë shqipe në perëndim dhe në të ardhmen.

Elsie meriton nderimin e dijes dhe shkencës shqiptare në përmasën e nevojshme, pasi ai qe, kontribuoi dhe punoi si njëri nga ne, njerëzit e dijes dhe kulturës. Vepra e tij ka nevojë për përuljen tonë të sinqertë, ashtu siç ai ia besoi trupin kësaj toke dhe mirësisë së këtyre njerëzve me një kulturë të lashtë.

Share This Article
1 Comment
  • SHIKO SI ESHTE MUHABETI,

    TE KRAHASOSH PUNEN E Z.ELSI

    ME PUNET SHKARRAVINA TE

    PSEUDOSTUDIUESVE QE KEMI PAGUAR

    ME PARATE TONA 100 E KUSUR

    VITE ESHTE SI TE KRAHASOSH

    DITEN ME NATEN.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *