Shifrat e raportuara gjatë viteve të fundit nga autoritet shëndetësore mbi përhapjen e sëmundjeve të ndryshme kanë rrezuar mitet që kanë të bëjnë me fakte të tilla se sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru prekin vetëm të moshuarit, meshkujt, si dhe popullatat më të pasura. Strukturat e shëndetit publik konfirmojnë se sëmundjet e zemrës po prekin njëlloj sa gratë po aq dhe burrat, (pavarësisht faktit se rreziku i këtyre sëmundjeve tek gratë është nënvlerësuar seriozisht).
“Në fakt, sëmundjet e zemrës janë vrasësi numri një i grave në botë, duke shkaktuar vdekje 1 në 3 femra. Sidomos gratë mbas menopauzës sëmuren dhe vdesin më shumë se burrat, megjithatë vdekjet nga këto sëmundje janë pothuajse gjysmë për gjysmë midis të dyja gjinive. Sa i takon nivelit të vdekshmërisë në vendin tonë gratë vdesin më shumë nga sëmundjet e enëve të gjakut të trurit në masën 38.3 për qind, ndërsa burrat vdesin më shumë nga sëmundja ishemike e zemrës në masën 32.4 për qind“, sqarohet nga ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik. Kështu, pavarësisht faktit se sëmundjet e zemrës, si të gjitha sëmundjet e tjera kronike, rriten me moshën apo takohen më shpesh në moshat e larta, ato nuk duhen konsideruar si një problem vetëm i të moshuarve. Në listën e të prekurve shfaqen edhe fëmijët, madje në raste të caktuara rreziku për shfaqjen e sëmundjeve të zemrës shfaqet që në barkun e nënës, si dhe rëndohen më shumë me rritjen e fëmijës, nëse nuk tregohet kujdes për të. Sot njihen shumë lloje të ndryshme të sëmundjeve që mund të japin ose goditje në zemër ose goditje në tru dhe për lehtësi ndahen në tre grupe të mëdha: në sëmundje që ndikojnë drejtpërdrejtë në zemër, në tru dhe në sistemin periferik të qarkullimit të gjakut.
Sëmundjet e zemrës tek fëmijët
Raportimet e bëra nga strukturat shëndetësore tregojnë se edhe fëmijët janë shumë të prekshëm nga sëmundjet kardiovaskualre, veçanërisht në rastet kur prindërit e tyre vujanë nga këto sëmundje. Sipas mjekëve rreziku për sëmundje të zemrës tek fëmijët mund të fillojë që para lindjes,që gjatë zhvillimit të fetusit, dhe rritet më tej gjatë fëmijërisë me ekspozimin ndaj dietave jo të shëndetshme, mungesës së aktivtetit fizik dhe pirjes së duhanit. “Sëmundjet kardiovaskulare ,si të gjitha sëmundjet kronike,fillojnë që në barkun e nënës dhe shtohen me moshën, për shëmbull është provuar se pesha e ulët në lindje është e lidhur me një risk të shtuar për hipertension, sëmundje zemre, cerebrovaskulare dhe diabet në jetën adulte”, pohohet më tej nga specialistët e ISHP-së.
Shifrat
Sëmundjet kardiovaskulare në Shqipëri shkaktojnë mbi gjysmën e vdekjeve, duke zënë vendin e parë si shkak i të gjitha vdekjeve, ndaj mund të konsiderohen si sëmundjet me peshën më të madhe në shoqërinë shqiptare. Dy sëmundjet që mbartin pasojat më të rënda pohohet të jenë sëmundjet e arterieve koronare apo infarkti i zemrës dhe goditja në tru. Ndërkohë që shtimi i rasteve të reja të evidentuara me sëmundje të zmerës gjatë viteve të fundit në radhë të parë i dedikohet rritjes së moshës mesatare të popullatës, apo rritjes së numrit të moshuarve. “E theksojmë se 61 për qind e shkaktarëve janë faktorët që i kemi ne vetë në dorë, si kontrolli apo trajtimi i rregullt i hipertensionit, shmangia e duhanpirjes, ushqyerja me fruta e perime, të qenit më aktiv,etj”, theksohet më tej nga ISHP.
Kostoja në trajtim
Shtimi i këtyre rasteve mbart një kosto të lartë e cila nuk rëndon vetëm pacientin apo të afërmit e tij por edhe gjithë shoqërinë. Me këto pasoja janë të lidhura invaliditeti i personave, pensionet e parakohshme, ditët e humbura në punë, produktiviteti në punë, pra kemi më pak persona të aftë për punë, rritje e shpenzimeve shëndetësore, konsum medikamentesh, aparaturash, ulje rroge dhe ulje e të ardhurave individuale e familjare. Duke qenë se sëmundjet kardiovaskulare, në shumicën e tyre,lidhen ngushtësisht me faktorët e stilit të jetesës të cilët mund të ndryshohen dhe të bëhen të trajtueshëm e të kontrollueshëm, atëherë: “Apeli bëhet për të nxitur marrjen e masave për të shpëtuar njerëzit jetën e tyre,duke bërë vetëm disa ndryshime,të cilat mund të ndihmojnë për të zvogëluar rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru, si inkurajim për ushqim të shëndetshëm, inkurajim për kryerje të aktivitetit fizik,shmangien e përdorimit të duhanit dhe kontrollin e rregullt të presionit të gjaku
Fakte që nuk duhen neglizhuar !
Sëmundjet kardiovaskulare shkaktohen në përgjithësi nga kombinimi i një sërë shkaqesh të përbashkëta e të shumta, duke filluar me karakteristikat social-biologjike,si presioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë, mbipesha e obeziteti, diabeti, apo faktorët e mënyrës së jetesës,si dieta jo e shëndetshme, duhanpirja, mungesa e aktivitetit fizik, konsum i shtuar i alkoolit,të cilat rrisin probabilitetin për të pësuar një problem të enëve koronare apo cerebrovaskulare.
Sëmundjet kardiovaskulare shkaktojnë vdekje të parakohshme. Përsa i përket barrës së vdekjeve,faktor kryesor rreziku i sëmundjeve kardiovaskualre është presioni i lartë i gjakut, 17.2 për qind, duhanpirja 10,8 për qind, mbipesha e obeziteti 6,7 për qind, inaktiviteti fizik 6,6 për qind, alkoolpirja 6,4 për qind, sheqeri i lartë në gjak 6,3 për qind, kolesteroli i lartë në gjak 5,2 për qind, marrja e pakët e fruta-perimeve 3.9 për qind.
Parë në këtë kënd vështrim shumica e sëmundjeve kardiovaskulare janë shkaktuar nga faktorë të rrezikut që mund të kontrollohen, trajtohen ose të modifikohen. Të gjithë ekspertët e shëndetësisë sot në botë, besojnë se sëmundjet kardiovaskulare janë dukshëm të parandalueshme, duke evituar një numër të madh vdekjesh të parakohshme.
Organizata Botërore e Shëndetësisë përllogarit se, të marra së bashku, uljet modeste të tensionit të gjakut, obezitetit , të kolesterolit dhe të përdorimit të duhanit në të gjithë popullsinë, mund të përgjysmojnë shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare. Ndër faktorët madhorë të pakësimit të rasteve me sëmundje kardiovaskulare raportohet se janë ndryshimi i mënyrës së jetesës, si ushqyerja me më shumë fruta e perime, më pak yndyra shtazore dhe kalori, ulje të nivelit të duhanpirjes,etj, si edhe përmirësimi i sistemit të shërbimeve shëndetësore,si kapje e hershme dhe trajtim i përshtatshëm i faktorëve të rrezikut sidomos hipertensionit, trajtim më i mirë i urgjencës dhe ndërhyrjet fizike në enët koronare,etj.
