“e-Albania”, vula elektronike e vetëshërbimit ndaj shtetit

Dita

 

Radhë, dokumente që merren në disa zyra, kohë e harxhuar, por edhe korrupsion. Të gjithë e dimë se këto probleme nuk mungojnë kur një qytetar shqiptar drejtohet për të marrë një shërbim nga administrata publike. Në fund kjo do të thotë një cilësi jo e mirë shërbimi.

Mjafton shembulli i aplikimit për një dokument bazik si certifikata. Një qytetar që jeton jashtë Shqipërisë, apo jashtë njësisë ku ka gjendjen civile, do të aplikojë për këtë dokument i cili ka afat vlefshmërie 3 muaj dhe mund të merret vetëm në njësinë përkatëse. Por për një periudhë kohore 3 mujore ai mund të mos arrijë plotësimin e dosjes së dokumentacionit që i nevojitet për aplikime të ndryshme dhe do të duhet të rikthehet për certifikatën. Po kështu ai mund të mos jetë në dijeni se për shërbime të caktuara do t’i kërkohet sërish një certifikatë dhe do të jetë i detyruar që të paraqitet sërish në zyrën e Gjendjes Civile për të marrë një kopje të re. Është e qartë pra se edhe për një dokument të tillë, kostot dhe koha faktike që kërkohet janë jo rrallë të pajustifikuara.

Lajmi i  mirë është se këtij problemi i ka ardhur fundi. Risitë teknologjike që janë bërë pjesë e shërbimeve të institucioneve shqiptare, mundësojnë tanimë që aplikime të ngjashme si ai për certifikatën, të bëhen online dhe nga çdo pikë aksesi në internet.

Me ndryshimet e mbetura ligjore dhe nënligjore përkatëse hapet rruga që vula elektronike të integrohet në sistemin e shërbimeve online të administratës publike.

Ç’do të thotë kjo?

Për qytetarin kjo do të thotë se ai do të ketë shumë shpejt mundësi të shkarkojë dokumente zyrtare online, të cilat të pajisura me vulën elektronike do të kenë të njëjtën vlerë ligjore si dokumentet fizike me vulë të njomë. Marrja e dokumentit elektronik kërkon identifikimin e kërkuesit përmes të dhënave të kartës së identitetit/pasaportës dhe kthimi i dokumentit me vulë vjen nëpërmjet integrimit të sistemeve përkatëse me një sërë teknologjish të reja që garantojnë transaksion të sigurt nga të dyja palët. Po kështu dokumenti elektronik i pajisur me vulë elektronike (dhe që mund të printohet nga një kompjuter i thjeshtë), mund të përdoret nga qytetarët në dosje aplikimi si dokument shoqërues, si për shërbimet online, ashtu edhe i printuar në sportelet e institucioneve. E thënë më thjeshtë: itinerari i zakonshëm nga zyra në zyrë për një certifikatë, vërtetim etj., merr fund. Marrja e një sërë dokumenteve, së shpejti do të kryhet online nga çdo pikë aksesi në internet, 24/7, pasi vula elektronike implementohet për të gjitha shërbimet elektronike që gjenerojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga sistemet elektronike dokumente administrative si vërtetime apo certifikata.

Kjo vlen edhe për biznesin që kërkon p.sh një vërtetim xhiroje për tri vitet e fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve: me anë të shkarkimit online në dokumentit së bashku me vulën elektronike shmanget humbja e kohës si dhe veprime të tjera burokratike që do të sillnin kosto të tjera për biznesin. Ky është vetëm një nga disa shërbimet që do të ofrohen me vulë elektronike edhe për lehtësimin e kësaj kategorie.

Pra, vula elektronike të ndihmon për t’u vetëshërbyer në gamën e institucioneve shtetërore, pa patur nevojën e askujt, por thjesht të një kompjuteri, të një tableti, telefoni mobile apo të një sporteli dixhital.

Po ku mundet një qytetar apo biznes ta marrë dokumentin për të cilin interesohet dhe a ka një orientim të drejtë për përdorimin e kësaj risie?

Kjo adresë është portali unik qeveritar e-Albania që është kthyer në urën e vetme të komunikimit online me qytetarët dhe bizneset dhe mbi 500 shërbimet elektronike që ofrohen në të. Implementimi teknik i vulës elektronike është kryer tashmë në portal dhe të gjithë qytetarët shqiptarë kanë mundësi që pasi të identifikohen me të dhënat e tyre, të konsultojnë certifikatën personale apo familjare, vërtetimin e pensionit etj. me vulë elektronike, e cila merr vlerë të plotë përdorimi pas plotësimit të kuadrit ligjor që pritet të ndodhë shumë shpejt.

Portali sot numëron mbi 310.000 përdorues të regjistruar, të cilët çdo muaj gjenerojnë rreth 33.000 përdorime të shërbimeve elektronike. Për ata që janë tanimë përdorues të regjistruar në portal, rëndësia e vulës elektronike për dokumentet që ofrohen nga shërbimet publike, është e kuptueshme.

 

Share This Article
2 Comments
  • Me ne fund nje gazete shkruan per kete arrtje te madhe dhe nuk merret me cfare tha ifioto Paloka apo idioti kriminel Basha. Une besoj se eshte me lajm ky lehtesim i madh per qytetaret se u rropen 27 vjet nga Paloket sesa pasqyrimi i budallalleqeve qe dhkruan ne facebook i rrjedhuri Berisha, shkaktari i katastrofes postkomuniste ne Shqiperi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *