Zbulimi i kancerit të gjirit, mamografitë do kryhen edhe pasdite

Ornela

Pranvera Kola – DITA

Testet dhe ekzaminimet për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit mund të kryhen falas në të gjitha poliklinikat dhe spitalet e vendit duke ndjekur sistemin e referimit. Në kuadër të muajit për sensibilizimin kundër kësaj sëmundjeje të rrezikshme, autoritetet e dikasterit të shëndetësisë bëjnë me dije se gjatë tetorit, mamografitë do të kryhen edhe pasdite në poliklinikat dhe spitalet që e ofrojnë këtë shërbim, kjo veçanërisht për kategoritë që janë më të rrezikuara nga kjo sëmundje.

Aktualisht kryerja e mamografive falas do të vijojë edhe nëpërmjet shërbimit të njësisë lëvizëse në çdo rreth të vendit, sipas një grafiku të përcaktuar nga strukturat e shëndetit publik.

“Shërbimi me njësitë lëvizëse në rrethe ofrohet falas nga Instituti i shëndetit publik në bashkëpunim me drejtoritë rajonale të shëndetit publik. Ekzaminimin mund ta kryejnë gratë e interesuara në moshën mbi 50 vjeç, ose ato të moshës 40-50 vjeç që konsiderohen me risk të lartë. Sipas ekspertëve të shëndetit publik sëmundja ka të bëjë me daljen e qelizave të gjirit jashtë kontrollit.

Rreziku që paraqet kjo sëmundje është tepër i lartë, për faktin se duke qenë se kanceri i gjirit mund të fillojë në pjesë të ndryshme të gjirit, mund të përhapet edhe jashtë tij, nëpërmjet enëve të gjakut dhe enëve limfatike, duke lëshuar kështu metastaza.

Nga kjo sëmundje preken të dyja gjinitë, si gratë, ashtu edhe burrat. Por më e zakonshme sëmundja është tek gratë. Specialistët e ISHP-së theksojnë se disa gra janë në rrezik më të lartë për kancerin e gjirit, sesa disa të tjera. Kjo për shkak të historisë së tyre mjekësore, personale, familjare, ose për shkak të ndryshimeve të caktuara gjenetike. Konkretisht bëhet me dije se kanceri i gjirit prek të gjitha gratë, por rreziku shtohet me rritjen e moshës, ku përgjithësisht preken moshat mbi 50 vjeç.

Por, pavarësisht kësaj kanceri i gjirit mund të shfaqet edhe në mosha fare të reja. Janë pikërisht këto kategori që duhet të jenë edhe më të kujdesshme në kryerjen e kontrolleve depistuese të hershme, për të zbuluar sëmundjen në stadet kur trajtimet mund të jenë efikase dhe pa pasoja të rënda për shëndetin e tyre. Studimet kanë treguar se rreziku për kancerin e gjirit është rezultat i një kombinimi faktorësh, të cilët i gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.

Sa i takon shpeshtësisë së kësaj sëmundjeje, saktësohet nga të dhënat e raportuara prej Agjencisë Ndërkombëtare mbi Kërkimet mbi Kancerin në Botë, se kanceri i gjirit ka incidencën më të lartë ndër llojet e kancerit që prekin gratë.

Fatkeqësisht pjesa më e madhe e vdekjeve nga kanceri i gjirit ndodh në vendet me të ardhura të ulëta e mesatare, ku shumica e grave me kancer gjiri diagnostikohen në faza të vonshme, kur trajtimet nuk mund të japin rezultatet e duhura për shkak të rëndimit së tepërmi të sëmundjes.

Lidhur me shenjat klinike që ndihmojnë në zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje, specialistët thonë se ndodh që njerëz të ndryshëm të kenë shenja të ndryshme të kancerit të gjirit. Por, disa të tjerë nuk kanë shenja fare dhe mund ta konstatojnë kancerin e gjirit vetëm pas një mamografie rutinë. Ndaj apelohet për kontrolle të hershme.

Si zbulohet kanceri i gjirit

Janë një sërë kontrollesh që ndihmojnë në zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje, e për pasojë edhe të pasojave të tyre. Konkretisht, bluzat e bardha vënë në dukje se katër mënyrat e kontrollit të gjirit për rrezikun e zhvillimit të kësaj sëmundjeje përfshijnë:  Vetëkontrollin mujor të gjirit, ekzaminimin klinik nga një personel shëndetësor i specializuar, kryerjen e mamografisë, si dhe të Eko-ve të gjirit.

  • Vetëkontrolli mujor i gjirit

Specialistët e ISHP-së sqarojnë se vetëkontrolli mujor i gjirit është një veprim shumë i thjeshtë që çdo femër mund ta bëjë pa shumë mundim, me lëvizje rrotulluese me dorë kontrollohen me radhë gjinjtë, deri në pjesën e sipërme të kraharorit dhe sqetullat. Vetëkontrolli i gjirit rekomandohet të bëhet 1 herë në muaj që nga mosha 20 vjeç. Periudha më e përshtatshme është disa ditë mbas menstruacioneve. Mjaft raste të kancerit të gjirit janë zbuluar nga vetë gratë. Një femër duhet ta kthejë në zakon kontrollin mujor të gjirit.

  • Ekzaminimi klinik i gjirit

Nëse nuk arrini të dalloni vetë ndryshimet që mund të pësojnë gjinjtë tuaj duhet të paraqiteni tek një personel i specializuar mjekësor. Ekzaminim klinik i gjirit është një kontroll i gjirit i kryer nga një personel mjekësor i trajnuar, i cili mund të kapë kancerin në stade të hershme. Ekzaminim klinik i gjinjve rekomandohet të bëhet 1 herë në vit ose së paku çdo 2 vjet.

  • Mamografia

Mamografia kap kancerin e gjirit në faza shumë të hershme. Mamografia mund të kryhet në çdo kohë, por do të ishte më e përshtatshme që të zgjidhej momenti kur gjinjtë nuk janë të fryrë, apo të dhimbshëm, si për shembull 3-4 ditë mbas menstruacioneve.

Nuk duhet ndonjë parapërgatitje e veçantë për të bërë mamografinë. Kur gratë shkojnë për mamografi, është mirë të veshin bluza me fund, ose pantallon, në mënyrë që të lehtësojnë procedurat e ekzaminimit të gjirit. Rezultati i mamografisë zakonisht merret mbas disa javësh.

Për gratë që kanë kryer mamografi më parë, këshillohet të kenë filmat e tyre me vete për t’i lejuar mjekut të bëjë krahasimin. Nëse mamografia është normale, duhet vazhduar bërja e saj sipas intervaleve kohore të rekomanduara.

Kanceri i gjirit mund të shfaqet në çdo kohë, madje edhe nga një mamografi tek tjetra, prandaj mamografia duhet bërë në mënyrë të vazhdueshme dhe jo vetëm një herë. Kur mamografia është e parregullt nuk do të thotë gjithmonë se ka kancer.

Për këtë duhet të bëhen teste shtesë dhe kontrolli nga një specialist i gjirit apo një kirurg. Kjo nuk do të thotë që ju keni kancer ose keni nevojë për kirurgji. Bisedoni me mjekun për të mësuar se cila metodë kontrolli është më e drejtë për ju, dhe kur duhet ta bëni atë.

  • Eko e gjirit

Një tjetër ekzaminim që ndihmon në zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje është edhe kryerja e Eko-ve të gjirit. Bluzat e bardha rekomandojnë që Eko të kryhet kryesisht tek ato femra që kanë gji tё dendur, kanë dëmtim qё nuk interpretohet qartё me anё tё mamografisё, kanё mbushje tё gjirit me silikon dhe vetëm pak ind mund tё përfshihet nё mamografi, si dhe ato që nuk mund tё ekspozohen ndaj rrezeve x ( gratë shtatzëna).

Ekzaminimet që duhet të kryeni sipas moshës

Gratë që nuk kanë asnjë faktor rreziku, kanë një rrezik mesatar për të zhvilluar kancer gjiri. Atyre u rekomandohet që nëse janë të moshës 20-40 vjeç, duhet që të bëjnë një ekzaminim klinik të gjirit te personeli mjekësor çdo tre vjet, si dhe vetëkontroll mujor i gjirit. Për gratë që janë në moshën 40-50 vjeç, ekzaminim klinik te personeli mjekësor duhet të bëhet çdo vit, po ashtu nuk duhet të lini pas dore as vetëkontrollin mujor të gjirit.

Ndërsa grupmoshat 50-70 vjeç duhet të bëjnë mamografi çdo 2 vjet, ekzaminim klinik te personeli mjekësor çdo vit, si dhe vetëkontroll mujor i gjirit.

Gratë që kanë disa faktorë rreziku (si histori familjare apo personale, probleme beninje të gjirit, fillim të hershëm e mbarim të vonshëm të menstruacioneve, mosbindje, ose lindje mbi moshën 30 vjeç, obezitet, ind gjiri të ngjeshur dhe ekspozim ndaj rrezatimit terapeutik) kanë një rrezik më të lartë se mesatarja për kancer gjiri.

Atyre u rekomandohet që të bëjnë ekzaminim klinik i gjirit te personeli mjekësor çdo vit, konsultë me specialistin e gjirit, mamografi (dhe EKO nëse është e nevojshme) çdo vit nga mosha 40 vjeç, si dhe vetëkontroll mujor i gjirit.

Ndërsa grave që kanë faktorë gjenetikë (janë bartëse të difektit BRCA1 apo BRCA 2), kancer gjiri te një familjar mashkull, kancer gjiri dhe kancer vezoresh në të njëjtin person, në dy ose më shumë familjarë të ngushtë u rekomandohet ekzaminim klinik i gjirit çdo gjashtë muaj, mamografi dhe rezonancë magnetike çdo vit nga mosha 25 vjeç, si dhe konsultë me specialistin e gjirit dhe specialistin gjenetik në mënyrë rutinë.

Hapat se si trajtohet kanceri i gjirit

Kanceri i gjirit është ndër llojet e kancerit pothuajse tërësisht i trajtueshëm. Kanceri i gjirit trajtohet në disa mënyra si: ndërhyrjet kirurgjike, kimioterapia, terapia hormonale, terapia me rrezatim.

Mënyra e trajtimit varet nga lloji i kancerit të gjirit dhe se sa është i përhapur ai. Njerëzve me kancer të gjirit shpesh u duhet të marrin më shumë se një lloj të trajtimi.

Bluzat e bardha vënë në dukje se fatmirësisht, pothuajse të gjitha mënyrat e trajtimit bashkëkohor ofrohen edhe në Shqipëri. Së fundi kanë hyrë edhe preparate të cilat rrisin jetëgjatësinë për pacientët në faza të avancuara.

Trajtimet e reja vonojnë progresin e sëmundjes shumë më mirë se preparatet e deritanishme, duke ofruar një mundësi të re për pacientët.

Disa nga faktorët e rrezikut përfshijnë:

Mosha

Rreziku për kancerin e gjirit rritet me rritjen e moshës, por kjo nuk do të thotë se nga kanceri i gjirit nuk preken edhe moshat e reja. Edhe këto të fundit janë mjaft të rrezikuara.

Ndryshimet në disa gjene

Ekspertët  e shëndetit publik thonë se deri në 10 për qind e kancereve të gjirit janë si rezultat i një defekti gjenetik. Gratë që kanë trashëguar këto ndryshime gjenetike janë në rrezik të lartë edhe për të zhvilluar kancer të vezoreve.

Fillimin e hershëm të menstruacioneve

Femrat që u fillojnë menstruacionet para moshës 12 vjeç, janë të ekspozuara ndaj hormoneve për një periudhë më të gjatë kohore, çka sipas specialistëve shërben si faktor risku, pasi shton rrezikun për zhvillimin e kancerit të gjirit.

Fillimin e menopauzës pas moshës 55 vjeç

Ashtu si fillimi i hershëm i menstruacioneve, edhe menopauza e vonshme rrit ekspozimin e femrës ndaj hormoneve për një periudhë më të gjatë kohore, duke rritur kështu edhe rrezikun për kancerin e gjirit.

Shtatzanitë në moshë të madhe

Shtatzënitë në moshë të madhe ose moslindjen e fëmijëve shihen si një tjetër faktor që ka ndikon në zhvillimin e kësaj sëmundjeje.

Mungesën e aktivitetit fizik

Mjaft të rrezikuara për të zhvilluar këtë sëmundje janë edhe femrat që neglizhojnë kryerjen e aktivitetit fizik. Mungesa e aktivitetit fizik shton riskun për të qenë mbipeshë, apo beze, veçanërisht pas menopauzës.

Historitë personale dhe familjare me kancer gjiri

Gratë që kanë pasur kancer gjiri kanë më shumë gjasa për t’u prekur përsëri nga kanceri i gjirit. Gjithashtu rreziku i një gruaje për kancer gjiri është më i lartë nëse ka pasur nënën, motrën, vajzën (të afërm të shkallës së parë) me kancer gjiri.

Alkooli, duhani dhe ndryshimet në indet e gjirit

Që të tre këta faktorë janë potencialisht të rrezikshëm për zhvillimin e kancerit të gjirit. Nëse një grua ka faktorë rreziku për kancer gjiri, ajo duhet të flasë me mjekun lidhur me mënyrat që mund të ulin rrezikun, si dhe kontrollet që duhen bërë.

Disa shenja që mund të jenë tregues të kancerit të gjirit janë:          

  • Një gjëndër, apo një kokërr në gji, ose nën sqetull. Shumë faktorë mund të shkaktojnë gjëndra në gjoks duke përfshirë edhe kancerin, por jo çdo gjëndër në gji është kancer.
  • Trashje, ose ënjtje e një pjese të gjirit.
  • Ndryshime të lëkurës së gjirit-skuqje, plagë apo dëmtime të tjera të lëkurës së gjirit.
  • Skuqje, çarje apo trashje e lëkurës përreth thithit të gjirit, gropëzim i thithit të gjirit.
  • Rrjedhje nga gjiri përveç qumështit të gjirit, duke përfshirë edhe gjakun.
  • Çdo ndryshim në madhësinë, apo formën e gjirit.
  • Dhimbjet si dhe çdo ndryshim tjetër i pazakontë që mund të vëreni në gjinjtë tuaj.
  • Fryrje apo ënjtje e krahut nga njëra anë. Kjo pasi disa herë kanceri i gjirit mund të përhapet edhe në gjëndrat limfatike nën krah dhe të shkaktojë fryrje apo ënjtje të tij. Prandaj, gjëndrat limfatike të ënjtura duhen konsideruar një shenjë e mundshme e kancerit të gjirit.
  • Ndryshimet në gji jo detyrimisht do të thonë se një femër ka kancer gjiri. Megjithatë, nëse një femër ka simptomat e mësipërme duhet të shkojë menjëherë te mjeku të kontrollohet.

Në Spitalet Rajonale, Bashkiake, Poliklinika, shërbimi do të ofrohet:

Nga e hëna në të premte ora 08:00- 18:00

Të shtunën ora 09:00-14:00

Mamografitë kryhen në:

Spitalin Rajonal Shkodër.

Poliklinikën Shkodër.

Spitalin Rajonal Elbasan.

Poliklinikën Korçë.

Poliklinikën Qendrore Tiranë.

S.U.O.GJ.”Mbretëresha Geraldinë”.

 

Shërbimi do të ofrohet edhe me mamografët e lëvizhëm, që do të udhëtojnë në të gjithë Shqipërinë, sipas këtij kalendari:

Në Fier- Nga Data 9– 11 tetor

Në Vlorë- Nga data 13-17 tetor

Në Gjirokastër- Nga data 18-21 tetor

Në Përmet- Nga data 22- 25 tetor

Në Lezhë- Nga data 26-31 tetor

Në Kukës- Nga data 1-4 nëntor

Në Dibër- Nga data 7-11 nëntor

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *